Në tetor të vitit 2007 ishte 100-vjertori I Luftës së Lemajës dhe Grabomit. Më këtë rast ramë dakord me fratin e Trieshit në atë kohë At.Mirash Marinaj dhe me studiuesin e historisë Gjergj Nikprelaj për organizimin e një konference shkencore në Triesh ku do të merrnin pjesë dijetarë të ndryshëm nga Shqipëria dhe trojet shqiptare në Mal të Zi. Patër Mirashi dhe Gjergj Nikprelaj filluan punën duke themeluar një këshill të posaçëm për këtë çështje. Ata shkuan disa herë në Shkodër dhe u konsultuan me historianë dhe studiues të atij qyteti. Intelektualët shkodranë e pritën mirë këtë iniciativë. Patër Mirashi dhe Gjergj Nikprelaj kishin punuar seriozisht për suksesin e kësaj konference dhe për disa veprime të tjera ku bënte pjesë edhe mesha kushtuar luftëtarëve të Lemajës dhe Grabomit. Gjatë gjithë atyre përgatitjeve dy tre vet nga Nikmarashi kishin ngulë këmbë që të parët e tyre kishin qënë organizatorët dhe luftëtarët më të dalluar të Lemajës. Ata kishin ngulur këmbë që një i parë i tyre kishte qënë fillimi dhe mbarimi i asaj lufte. Gjergj Nikprelaj dhe këshilli përgatitor i Trieshit nuk kishin qënë dakord me këtë qëndrim, sepse ishte tepër absolut. Dy javë përpara se të mbahej kjo konference e ceremoni kundërshtarët shkuan natën nëpër hanë në Kishë të Tuzit për të ndaluar festimet e 100-vjetorit të kësaj ngjarje historike. Ata kërkuan nga Patër Pashku ndihmë që të mos realizohet ky projekt, duke kërcënuar se atë ditë do të derdhet gjaku në Triesh. Një kërcënim i tillë bëri që e gjithë kjo punë e përpjekje të dështojë. Pas një kohe ata që kundërshtuan manifestimin e kësaj ngjarje historike vendosën një pllakë përkujtimore të heroit të tyre në një shkëmb pranë rrugës. Përveç veprimtarisë për Gjon Ujkën nga familjarët e tij gushtin e kaluar nuk është bërë asnjë aktivitet ose nderim për 154 luftëtarë të Trieshit në Lemajë dhe Grabom, në vitin 1907.
Trieshi ashtu si edhe krahinat e tjera është sulmuar shumë herë nga ushtria turke. Qeta e Trieshit siç e quanin të moshuarit është sulmuar shumë herë nga ushtria turke. Lucë Lucaj në librin e tij:”Trieshi Ndërmjet Malësisë e Kuçit”, shkruan se kjo trevë u sulmua ashpër nga forcat turke në vitin 1717. Ata po kalonin nëpër Bregun e Cemit, për të hyrë në Triesh. Por pësuan keq në Dobërçin. Pozita gjeografike e Trieshit ishte shumë e veshtirë për pushtuesit. Trieshi është i rethuar me male të larta siç është: Suka e Grudës,Qytezat dhe Kazheniku. Ndërsa pjesa tjetër kundruell Cemit është shkëmbije dhe kalimi prej andej në Triesh mund të bëhet vetëm nëpër Grykë të Delajëve,Smedecit,pastaj nëpër Qye të Rrasës dhe Qafë të Nagrivës dhe i Lug të Ulicës. Trimat e Trieshit kur dëgjonin për ndonjë sulm të mundshëm turk zinin ato gryka dhe sulmi turk ishte i pamundur. Malësorët e krahinave të pushtuara njoftonin për rreziqet e mundshme. Shumë luftëtarë të njohur të maleve të Malësisë kërkonin strehim në Triesh, pasiqë ata ndiqeshin nga forcat turke. Midis tyre kishte qënë edhe Vuksa Gela i pari i Grudës. Kështu kishte ndodhur edhe me disa luftëtarë nga Hoti e Gruda, pastaj edhe nga Kuçi. Në Triesh nuk u ndërtua kurrë asnjë objekt turk. Ata e kishin të vështirë ta pushtonin Trieshin, jo se nuk ishin të interesuar por kjo trevë ishte e papushtueshme në atë kohë. Trieshi kishte shumë prona në Cem. Turqit pas Kongresit të Berlinit kishin ndërtuar në Lemajë një karaull dhe në vitin 1906 kishin filluar ndërtimin e një karaulle të madhe në Shesh që ishte pronë e Trieshit, kryesisht e vëllazërive të Nikmarashit. Gjatë atyre viteve nizamët turqë siç i quanin malësorët filluan shumë veprime të papërshtatshme kundër banorëve trieshianë në Lemajë dhe në Grabom. Banorët e atyre rajoneve ishin shumë të shqetësuar për incidente pothuajse të përditshme të ushtrisë turke. Ata kishin filluar të shkelin me dhunë edhe kodin moral të malësorëve trieshianë. Mosmarrëveshjet dhe përplasjet me nizamët u bënë të përditshme . Në Triesh nuk flitej ditë e natë për këto shkelje brutale të pronave dhe moralit të tyre.Paria e Trieshit kishte rënë dakord për një luftë kundër Turqisë në Lemaj dhe në Grabom. Por ata nuk mund ta fillonin luftën pa ia bërë të ditur Malit të Zi dhe Knjaz Nikollës. Mali i Zi ishte në marrëdhënie të mira me Turqinë dhe një luftë e tillë kishte për t’i dëmtuar intereset e tyre dypalëshe. Knjaz Nikolla në këtë Luftë kishte luajtur rolin e Ponc Pilatit. Paria e Trieshit nuk kërkonte mbështetjen e ushtrisë malazeze. Kërkonte vetem armë e municione. Natyrisht se Mali i Zi u kishte dhënë armatime dhe municione të mjaftueshme. Trieshi nuk kishte asnjë qëllim tjetër nga kjo luftë, përveç largimit të nizamëve nga ato territore. Luftën e organizoi Trieshi e jo Mali i Zi. Luftëtarët e Trieshit u ndanë në dy çeta. Nikmarashi,Muzhecku dhe Budza ishin çeta e Trieshit të Poshtëm, ndërsa Stjepohi, Delaj dhe Bekaj ishin çeta e Sipërme. Lufta e Lemajës filloi një javë pas Zojës Rruzare të Trieshit që gjithmonë festohej të dielën e parë të tetorit. Prijësit e Luftës, Paria e Trieshit dhe të gjithë luftëtarët kishin rënë dakord që lufta të fillonte një javë pas kësaj feste. Ashtu kishin vepruar. Dy çetat e Trieshit së bashku kishin 156 luftëtarë, shkruan Gjergj Nikprelaj në një studim të tij të pabotuar për Trieshin. Në atë studim Gjergj Niukprelaj tregon shumë hollësi për organizimin e kësaj lufte. Ai është shumë kategorik kundër teorive individuale dhe familjare të kësaj lufte. Gjergj Nikprelaj ka bërë shumë kërkime në arkivat e Cetinës dhe Podgoricës për Kryengritjen e Malësise të vitit 1911 dhe për Luftën e Lemajës dhe të Grabomit. Sipas Lucë Lucaj në Luftën e Lemjës ishin shquar trimat e Nikmarashit: Malot e Gjeto Gjeka, Cub Smajli, Gjon Ujka dhe Mal Vata, bile Mali e kishte filluar luftën i pari sepse kjo shtëpi kishte qënë gjithmonë hije mirë. Lucë Lucaj shkruan për trimërinë e Tomë Prelit dhe Prelë e Zef Tomë Hasurit. Çeta e Epërme e Trieshit kishte luftuar më shumë në Grabom. Në luftën e Grabomit ishin dalluar Gjelosh Toma dhe Lucë Dedë Husi, bile të dy ishin plagosur. Kjo luftë mori fund pas disa ditësh. Ushtria turke siç duket nuk kishte bërë rezistencë. Ishte larguar pa dëme të mëdha. Disa trieshianë kishin hyrë në katërkollën e tyre dhe kishin marrë armatime të ndryshme dhe pajisje shtëpiake. Si pasojë e kësaj lufte ata e ndaluan ndërtimin e karaullës së re në Shesh. As Trieshi nuk kishte pësuar humbje. Për Trieshin ishte një fitore e mrekullueshme. Kjo mund të jetë ndër luftërat e para antiturke në tokat shqiptare. Vetëm Kurbini në krye me Dom. Nikollë Kaçorrin kishte bërë një përpjekje të tillë tregonte Profesor Gazmend Shpuza. Profesor Skender Rizaj më kishte premtuar se do të shikonte arkivat turke të Stambollit për këtë Luftë. Për arsye se u pënguan aktivitetet për 100-vjetorin e kësaj Lufte, u anuluan edhe përpjeket të tjera. Vajtja e 156 trieshianëve në atë Luftë ishte akt heroik sepse luftës nuk i dihet kurrë.Të gjithë ata që morën pjesë në atë Luftë janë ndera e Trieshit e Malësisë dhe më gjerë. Ko Luftë parapriu Kryengritjen e Malësisë të vitit 1911. Historia e Trieshit pa Luftën e Lemajës është e cunguar. Për këtë luftë duhet bërë edhe më shumë studime. Trieshi dhe diaspora e kësaj treve sidomos ajo në Amerikë ka detyrë morale financimin e studimeve serioze dhe ndërtimin e një monumenti për luftëtarët e Lemajës dhe Grabomit në qëndër të Trieshit. Kjo përmendore mbase mund të realizohet sivjet me rastin e 110-vjetorit, por as vitin e ardhshëm nuk është vonë. Më mirë vone se kurrë thotë fjala e urtë popullore.