Kryetari i Komunës së Ulqinit z. Nazif Cungu me bashkpuntorët e tij, priti sot në vizitë pune Kryeministrin e Malit të Zi z Dushko Markoviq. Në takim u prezantuan të arriturat e pushtetit lokal në të kaluarën dhe planet për periudhën e ardhshme. Të pranishmit shprehën kënaqësi për rezultatet e arritura deri tani, posaçarisht për konsolidimin e situatës financiare në Komunë të Ulqinit, fillimin e punimeve të rrugës Ulqin-Krythë, marrjen me qira të objekteve të Rivijerës së Ulqinit nga kompania ‘’Karisma’’, me ç’gjë fillon zhvillimi i merituar i Komunës së Ulqinit. Nga të dyja anët u theksua që për zhvillim të mëtutjeshëm është e domosdoshme përshpejtimi i aktiviteteve në rrjetin e ujsjellësit dhe kanalizimit, për të cilat janë të kryer projektet dhe të siguruara mjetet kreditore në shumën prej 5.000.000 dhe 20.000.000 euro.

 

Kryeministri Markoviq ndër të tjerat, theksoi që qeveria e Malit të Zi do të investojë rreth 4.900.000 euro në rregullimin cilësor të shtratit të lumit Buna, dhe nuk do të lejohet që ky problem të paraqitet përsëri në periudhën e ardhshme.

 

Nga ana e Komunës së Ulqinit u kërkua që edhe në vitin e ardhshëm të vazhdohet përkrahja nga pushteti qendror, ndërsa Kryeministri premtoi që në buxhetin qeveritar për vitin e ardhshëm do të parashihet realizimi i projektit të vazhdimit të Bulevardit Nënë Terezë dhe lidhja me Bulevardin Teuta, për të cilën projekti është kryer vite më parë. Me këtë investim do të zgjidhet një nga problemet kyçe të komunikacionit në Komunën e Ulqinit, posaçarisht gjatë periudhës verore. Poashtu në vitin e ardhshëm do të parashihet edhe përpilimi i dokumentacionit projektues për zgjerimit të rrugës së Shtojit, dhe eventualisht urës mbi lumin Buna. Me palën Shqiptare do të hapen bisedimet rreth zgjerimit të pikës kufitare Sukubinë.

 

Poashtu është dhënë përkrahja për ndërtimin e stadiumit të fudbollit, pasi që Komuna ta ketë të gatshëm projektin dhe ta caktojë lokacionin.

 

Pas takimit në kabinetin e Kryetarit, Kryeministri vizitoi dy kompani të suksesshme në Ulqin “Tapacir Kurti” dhe “Faf & co”, të cilat eksportojnë një pjesë të madhe të prodhimit të vet, të cilave i premtoi çdo përkrahje të nevojshme.

 

Në fund u vizitua vendpunimi i rrugës magjistrale Ulqin – Krythë, ku punimet janë duke u vazhduar në dinamikën e paraparë, dhe ku do të bëhen përpjekjet maksimale që të përfundojnë para sezonës turistike.

 

Kryeministi dhe kryetari i Komunës në fund japën deklaratë për media. Në njërën nga pyetjet Kryeministri theksoi se zgjedhja e problemit të Valdanosit është duke shkuar në rrugën e duhur, që me Planin hapsinorë të Komunës së Ulqinit është e përcaktuar që aty mos të ketë ndërtim, ndërsa është duke vijuar procedura juridike për kthimin e ullishtës ish-pronarëve.

By admini