Nga Qani Osmani
Në epokën tonë shoqërore, politike e kulturore në të cilën po kalojmë, jeta e përditshme frymon me një adhurim dhe me një ushtrim të lirë të karaktereve të ndryshme njerëzore, profesionale e mendore. Një ndër defektet e karakterit që po e përcjellin njeriun e ditëve tona është edhe mediokriteti i cili përceptohet si një defekt i mendjes, si një harlisje e disa njerëzve tanë. Madje edhe si një lloj sëmundjeje e pashërueshme që kërkon një terapi shoqërore.
Fjala mediokritet vjen prej fjalës latine mediocritas, me të cilën Ciceroni, Lukreci, Seneka dhe shum shkrimtar, oratorë dhe filozofë e të tjerë i kishin pagëzuar njerëzit me aftësi, mundësi, prirje dhe me vlera-mesatare. Me këtë shprehje ata etiketonin të gjithë bashkëvendasit e vet që s’kishin prirje të radhiteshin në krye të rreshtit, por as nuk pajtoheshin të gjendeshin diku në fundin e tij. Romakët e mëdhej i kishin pagëzuar me këtë shprehje, pra, individët mesatarë, që e ndjenin veten të sigurtë ndërmjet të parëve dhe të fundmëve, duke ju shmangur ashtu peripetive, nëpër të cilat mund të kalojnë të parët dhe përbuzjeve, të cilave mund t’ju nënshtrohen të fundit.
Me këtë shprehje ne sot nënkuptojmë më tepër se ç’kanë nënkuptuar filozofët, oratorët dhe shkrimtarët romak. Shprehja mediokritet, përpos kuptimit të saj burimor, është pasuruar edhe me kuptime të reja, të cilat ja ka dhuruar jeta e saj e gjatë. Për këtë arsye çdo përpjekje që përmbajtja e kësaj shprehje t’i nënshtrohet ndonjë definicioni do ta ngushtonte kuptimin e saj, duke ia shkurtuar ashtu lexuesit mundësin që të krijojë një përfytyrim sadopak të plotë, të tërësishëm, mbi mediokritetin.
Një nga tiparet që zakonisht e shoqëron njeriun mediokër është indiferenca, përballë krizave shoqërore dhe politike, të cilat edhe shpesh ato burojnë nga përgjegjësit politik, mediokrit duke u përpjekur për ti kaluar ato vështërsi bëhen të pa dukshëm, të përkulshëm, të heshtur dhe konformist. Ata presin çastin e volitshëm të ndonjë përfitimi personal. Me dëgjueshmërin e tyre deri në mjerim të servilizmit ngritin karrierat e tyre shoqërore, politike e shkencore. Ata janë nuhatës e arrivistë të hollë të gjendjeve dhe rrethanave të ndryshme. Shpesh herë u ofrohet të tjerëve me butësi, me interesim e dashamirësi deri sa të arrijnë qëllimet e tyre të errëta dhe në fund ndahen nga ata njerëz kinse të lënduar, të prekur nga ndonjë fjalë e të fyer në ndonjë parim ani se ata nuk i njohin dhe nuk dinë fare për parime njerëzore.
Njerëzve mediokër shpesh u pëlqen që të mos e ndajnë negativen nga pozitivja, pohimin nga mohimi dhe heshtjen nga deklarimi. Për një çështje të caktuar ata më mirë e më lehtë do të mjaftoheshin me heshtjen, servilizmin dhe kurrë nuk shohin me respekt të gjitha mendimet kontradiktore. Nëse dikush është i bindur në të vërtetën, mediokri akuzohet për vetëbesim të tepruar. Ai ka shumë krenari, edhe pse nuk e di se çfarë është krenaria. Një lakmi të tillë njeriut mediokër do ti kishte vetëm i afërti me të servili, i cili mediokrin do ta konsideroj të mençur, të rezervuar dhe do ta admiroj për delikatesë mendimi e lavdërimi.
Njeriu mediokër shpesh shpërthen në deklarata të stuhishme dhe përjashton propozimet e kundërta, por i tillë nuk është vetëm atëher kur dikush nga të diskutuarit është miku, familjari apo i afërmi i tij. Ai nuk shërbehet me të vërtetat dhe fushë shikimet e tija janë tejet të ngushta. Mediokri është njeri pa dinjitet dhe një falsifikues i së vërtetës. Në virtytet e tija ekzistojnë turbullira, hije dhe në ndërgjegjen e tij nuk ekziston asnjë ndjejnë nderi. Në mungesë dinjiteti mediokrit janë si kopetë, skllevër në shërbim të injorancës.
Mediokër është ai person që pa u përpjekur fare përfiton nga burimet shoqërore. Ai që në fushën e marëdhënieve njerëzore mashtron dhe mashtrimi bëhet historia e jetës së tij dinake. Në veprimet dhe fjalorin e tij mungojnë kapacitetet e vuajtjes dhe të besnikërisë. Këta njerëz shpejtë tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Maskimi i tyre është i shkurtë në hapat e pabesisë, frikës, zilisë e injorancës. Me pak fjalë, njerëzit e varfër shpirtërisht nuk janë të besueshëm për shkak të vlerave dyshuese të fisnikërisë së tyre.
Për njeriun mediokër lumturia e tjetrit shikohet me zili dhe kjo gërryen zemrën e tij sikur një acid i ashpër. Sadizmi i tij buron nga vuajtja e të tjerëve. Kur të tjerët vuajnë mediokri duket se ndjen lumturi. Njerëzit e zakonshëm përdorin imagjinatën e tyre për të krijuar ideale të cilat u japin atyre një jetë të kuptimshme plotë begati ndërsa mediokri mësohet se si duhet të lakohet, si të bëhet protagonist i interesave vetjake. Mediokrit nuk pranojnë idetë e reja pozitiviste të kohës, ata në mënyrë narcisi i besojnë dhe i gëzohen vetëvetes dhe ideve të tyre dhe si të tillë ata janë dele të kopesë primitive.
Nga ana tjetër, njeriu mediokër ka për zili dhe xhelozi idealistët njerëzit pragmatik të veprimeve shoqërore. Mediokri pareshtur bën përpjekje për të njollosur apo edhe rrënuar ndonjë veprim fisnik dhe këtë e bën nga frika se këto parime ngrihen mbi demaskimin dhe ekzistencën e tij.
Mediokriteti shpesh është edhe mendjemadh. Spektri shpirtëror i njeriut të tillë është në gjendje të errët. Njeriu i tillë kurrë nuk gjen thjeshtësinë njerëzore, bukurinë konkrete të mirësisë dhe si i tillë ai është një mburravec i përhershëm para rrethit dhe shoqërisë. Ky njeri kënaqet me një post, me një detyrë të cilën e ka zënë në shoqëri. Ky njeri e mban veten se ka merita të jashtëzakonshme prandaj edhe është shpërblyer për të qenë një drejtor apo
udhëheqës të ndonjë digasteri etj. Ai jo rrallë edhe keqpërdor këto detyra, abuzon me këto përgjegjësi. Përfiton nga posti e detyra. Kushtëzon njerëzit e zakonshëm, kolegët e punës dhe sillet me një kapadallëk frustues sikur ai të ishte qendra e lëvizjes së botës.
Personi mediokër në nivel grupor është një shoqërues i keq brenda një grupi ose ekipi. Ai nuk është një i dedikuar për tu përballur në rast të ndonjë emergjence, ose në situatat të cilat aktiviteti përbën rreziqe të ndryshme. Njeriu mediokër, është ai që nuk qëndron në kuptimin e jetës së tij, qoftë për mir apo për të keq. Në këtë rast, njeriu i till nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët për të u cilësuar si njeri i famshëm ose një figurë politike.
Njeriu mediokër panvarësisht titullit, rolit të tijë në shoqëri, postit politik apo shkencor, nuk posedon asnjë ide për t’u përballur me sfidat e shoqërisë. Ideja e tyre është vetëm vetvetja dhe mënyra se si duhet për tu bërë i pasur materialisht, se si duhet manipuluar e fasifikuar qoftë të vërtetat historike apo edhe të vërtetën reale. Pa këto deformime mendore njeriu i tillë nuk ka idenë se si duhet jetuar.
Personazhet e mediokritetit duhet thënë se janë njerëz të neveritshëm. Premisat e kësaj neveritje ndoshta duhet shpjeguar më shumë tek një pjesë e rinisë së sotme. Ata duhet inkurajuar për të ruajtur me kujdesin më të madh vlerat, dinjitetin dhe idealet tyre. Njerëzit e dinjitetshëm, të rinjtë dhe inteligjenca njerëzore asnjëher nuk duhet ti dorëzohen rrjetës për tu shndrruar në forcë pasive të shoqërisë. Njerëzit e devotshëm dhe intelektualët e vërtetë vazhdimisht duhet të përballen me dukuritë mediokre duke luftuar rahatinë dhe injorancën e tyre e cila është e pavlefshme si për vet mediokrin po ashtu edhe për shoqërinë në përgjithësi.
Njeriu mediokër, në të vërtet nuk është ndonjë përjashtim i jetës sonë e cila është e stërmbushur me keqësime dhe dukuri negative nga më të ndryshmet. Gjëja e çuditshme është që rrethi dhe populli i cili nuk denjon ti jep hapësirën që ai të ngritet mbi njerëzit e merituar, intelektualët e vërtetë, krijuesit e çdo lëmie. Të tilla janë dukur të jenë edhe fushatat e partive politike, ku elektorati shpesh ka rënë në kurthet e verbëta të njerëzve të cilët me paraqitjen e tyre kanë pasur pamje engjëlli e përbajtje mediokri.