Nga Nikë Gashaj

 

Identiteti kombëtar  dhe kombi paraqesin konstrukte të përbëra nga komponente të shumta, të lidhura dhe kauzale – etnike, kulturore, territoriale, ekonomike dhe politiko-juridike.

 

Ato janë lidhëse të solidaritetit midis anëtarëve të komuniteteve të bashkuara  dhe të unisura në sajë të ndjenjave të përbashkëta, miteve dhe traditës, lidhëse të cilat munden, por nuk iu duhet të gjejnë shprehje në shtetet e atyre bashkësive, por të cilat plotësisht dallohen nga lidhjet e pastra juridike dhe burokratike shtetërore. Duke studiuar në mënyrë koceptuale, kombi krijohet në bazë të dy grupeve të kombinuara dhe të bashkuara të dimensioneve, njërit qytetar dhe territorial, ndërsa tjetrit etnik dhe gjenealogjik.

 

Në përpjestime të cilat ndryshojnë prej rastit në rast, pikërisht një shumëdimensionalitet i tillë është shndërruar në identitet kombëtar, në një fuqi, forcë dhe energji të përkulshme dhe të qëndrueshme në jetën bashkëkohore dhe politike dhe ia ka mundësuar që me sukses të shoqërohet me ideologji të tjera të fuqishme dhe lëvizje, duke mos e humbur me atë karakterin e vet.

 

Një fuqi të tillë të dukshme dhe të qartë të identitetit kombëtar mund ta ilustrojmë me shqyrtimin e disa funksioneve, të cilat ai i ka për grupe dhe për individë. Në pajtim me dimensionet e lartpërmendura, funksionet e tilla mund t’i ndajmë në ato të “jashtme” dhe në ato të “brendshme”.

 

Funksionet e jashtme të identitetit kombëtar janë: territoriale, ekonomike dhe politike.

 

Kombet, së pari, e caktojnë territorin shoqëror në kuadër të të cilit pjesëtarët e tyre duhet të jetojnë dhe të punojnë dhe kështu i caktojnë mezhdet e territorit historik, të cilat e vendosin bashkësinë kombëtare në kohë dhe në hapësirë. Ndërkaq, ato ua sigurojnë individëve “qëndrat e shenjta”, objektet e haxhillekut shpirtëror dhe historik, të cilat e qesin në dritë unitetin e “gjeografisë morale” të kombit të tyre (Antoni D. Smit).

 

Në pikëpamje ekonomike, kombet i pranojnë synimet që kontrollin mbi resurset territoriale, duke përfshirë kështu edhe fuqinë punëtore. Ato, poashtu, e përpunojnë ndarjen e përbashkët të punës dhe nxisin mobilizimin e të mirave dhe të fuqisë punëtore, si dhe ndarjen e resurseve në mes të pjesëtarëve të vet në atdhe. Duke caktuar përkatësinë, kufinjtë dhe resurset, identiteti kombëtar u jep një bazë racionale idealeve të autarkisë nacionale (V. Johnson).

 

Edhe në pikëpamje politike identiteti kombëtar  e përkrah shtetin dhe organet e tij, respektivisht ekuivalentet parapolitike në kombet, të cilat nuk e kanë shtetin e vet.

 

Zgjedhja e kuadrove politike, rregullimi i sjelljeve politike dhe zgjedhja e qeverisë janë të mbështetura në kriteret e intereseit nacional, për çka supozohet që e pasqyron vullnetin dhe identitetin kombëtar të popullatës përkatëse.

 

Ndoshta është më i dukshëm funksioni politik i identitetit kombëtar të legjitimitetit të të drejtave të përbashkëta ligjore  dhe të drejtave të institucioneve juridike, të cilat përkatësojnë cilësitë e vlerave dhe karakterin kombëtar dhe i ruajnë zakonet popullore nëpër shekuj si dhe rendin popullor. Thirrja në identitetin kombëtar sot është bërë një ligjësim kryesor i rendit shoqëror dhe i solidaritetit.

 

Identitetet kombëtare po ashtu kanë funksione të brendshme për persona në bashkësi shoqërore. Më evident është socializmi i pjesëtarëve të kombit si “nënshtetas” dhe “qytetarë”.

 

Sot ajo arrihet nëpërmjet sistemeve masive të standardizuara dhe publike të arsimimit, me ndihmën  e të cilave pushtetet shtetërore presin që ta rrënjosin lojalitetin kombëtar dhe veçanërisht një kulturë homogjene, ndërsa atë veprimtari shumica e regjimeve e ushtrojnë me një energji mjaft të madhe, nën ndikimin e idealeve nacionaliste të kulturës autentike dhe të unitetit.

 

Kombi është gjithashtu i thirrur të sigurojë një lidhje shoqërore midis pjesëtarëve të vet, duke iu dhënë repertorin apo terësinë e vlerave të përbashkëta, simbolet dhe traditën. Përdorimi i simboleve – flamuri, monedha, himni, uniforma, përmendoret dhe ceremonitë – përkujton pjesëtarët e kombit në trashëgiminë e tyre të përbashkët dhe të afërsisë kulturore, ndërsa ndjenjat e tyre të identitetit të përbashkët dhe të përkatësisë i forcon, i burrëron dhe i lëvdon ata.

 

Kombi bëhet rrethi për “arritjen e besimit”, kuadër për mbizotërimin e pengesave dhe të mungesave (Klausner).

Më në fund, ndjenjat e identitetit kombëtar janë mjet i fuqishëm për përcaktimin dhe vendosjen individuale në botë, nëpërmjet prizmit të personalitetit kolektiv dhe të veçorive të tij kulturore. Mu për këtë arsye kultura e përbashkët na mundëson  të njohim dhe të

 

 

dimë se “kush jemi” në botën bashkëkohore.  Duke e zbuluar atë kulturë sërish, e “zbulojmë” vetveten. 

Një proces i tillë i vetëdefinimit dhe i vendosjes paraqet sipas shumë elementëve çelësin për identitetin kombëtar, por dhe elementi i tij i cili ka shkaktuar më së tepërmi dyshim dhe skepticizëm.

 

Duke pasur parasysh qëndrimet dhe përceptimet e ndryshme të njerëzve, nuk është e çuditshme dhe e papritshme ajo që nacionalistet, kritikuesit e tij që nuk janë në gjendje që të dakordohen rreth kritereve për vetëdefinimin nacional. Kërkimi për kombëtaren dhe raporti i individit ndaj tij mbesin një element më enigmatik të projektit nacionalist.

 

Dyshimet e përmendura kanë karakter filozofik dhe politik, doktrina nacionaliste është sulmuar se ajo është logjikisht kontradiktore dhe jo korresponduese. Në emër të “identitetit kombëtar” njerëzit, gjoja kanë qenë të vullnetit që të vetëmohojnë dhe të heqin dorë nga liritë e veta dhe ato  po ashtu t’ua ngushtojnë dhe reduktojnë të tjerëve.

Kanë qenë të gatshëm të shkelin të drejtat qytetare (civile) dhe fetare të pakicave etnike, racore dhe të pakicave fetare të cilat kombi nuk ka arritur t’i absorbojë.

Në një mënyrë të ngjashme kanë vuajtur edhe marrëdhëniet ndërkombëtare ose saktësisht, marrëdhëniet ndërshtetërore.

 

Ideali i kombit, i rimbjellur në mbarë planetin, nga pika qendrore në perëndim, ka sjellë me vete një konfuzion, jostabilitet, përçarje dhe terror, veçanërisht në mjediset e përziera etnike dhe fetare. Nacionalizmi është doktrina e cila kombin e vë si qëllim të çdo aktiviteti dhe angazhimi politik, ndërsa identitetin kombëtar e trajton  si masë dhe kriter të çdo vlere njerëzore, qysh revolucionit francez e vën në pyetje tërë idenë mbi një njerëzim mbi bashkësinë botërore dhe unitetin e saj moral.

 

Në vend të saj nacionalizmi ofron një legjitimacion të ngushtë, të ngarkuar  dhe konfliktuoz për bashkësinë politike, legjitimacion i cili domosdoshmërisht një bashkësi kulturore ia kundërvë tjetrës dhe se duke patur parasysh numrin e thjeshtë dhe llojllojshmërinë e dallimeve kulturore, vetëm mund të zvarris njerëzimin në Haribdën politike (V. Kedourie, 1960 dhe Kedourie 1971).

 

Ajo është një akuzë e njohur, ndërsa gjerësia dhe ashpërsia e saj, në mënyrë të qartë tregojnë forcën dhe fuqinë emocionale dhe politike të idealeve, të cilat ajo i akuzon pa mëshirë.

 

 

 

Mirëpo, ideali dhe identiteti që mund të ushtrojnë aq funksione, kolektive dhe individuale, duhet të kenë pasoja të ndryshme shoqërore dhe politike, duke pasur parasysh rrethanat e ndryshme në të cilat nacionalistët duhet të veprojnë.

 

Do të mundemi, po ashtu, të theksojmë  edhe efektet mirëbërëse të nacionalizmit: mbrojtja e kulturave të pakicave, shpëtimi i historive dhe letërsive të “humbura”; frymëzimi i rilindjeve kulturore; zgjidhja e “krizës së identitetit”; legjitimimi i bashkësisë dhe i solidaritetit shoqëror; frymëzimi i rezistencës ndaj tiranisë; idelai i sovranitetit të popullit dhe të mobilizimit kolektiv; madje edhe motivimi  i zhvillimit ekonomik të mbështetur në forcat e veta. Ideologjive nacionaliste mund t’u përshkruhen me një bindje të njëjtë, të gjitha efektet e lartpërmendura fatale, katastrofike dhe vdekjeprurëse, mbi të cilat tregojnë dhe tërheqin vëmendjen kritikët politikë.

 

Pefundim

 

Është e pamundshme që të ofrohet  një dëshmi më e madhe, ose më informuese mbi fuqinë e dykuptimësisë së identitetit kombëtar dhe të nacionalizmit  ose mbi domethënien më të thellë, të cilët ata e kanë për pjesën më të madhe të njerëzve në shumicën e fushave të botës bashkëkohore. Edhe më tutje mbetet një fushë e rëndësishme për hulumtimet dhe kërkimet e studiuesve shkencorë mbi identitetin kombëtar, mbi forcën, fuqinë dhe rëndësinë e tij substanciale në marrëdhëniet ndërnjerëzore, qytetëruese dhe planetare.

 

By admini