Shkruan Nikë Gashaj
Shikuar historikisht, në përgjithësi dallohen dy rryma të kundërta dhe të fuqishme intelektuale në raport me politikën si atribut i pushtetit shtetëror.
Rrymën e parë e përbëjnë intelektualët –ithtarë të filozofisë pozitiviste, respektivisht funksionale. Sipas tyre, e gjithë ajo që shmanget dhe që del jashtë regjimit politik është vetëm devijim, deformim dhe rast patologjik. Kjo rrymë intelektuale vazhdimisht është imponuar me një ofertë të hapur, që është e gatshme të veprojë në ruajtjen e regjimit politik dhe mbrojtjen e interesave të veta nga sulmet revolucionare –ndërrimet.
Një drejtim i tillë social ka qenë i përbashkët për të gjithë protagonistët e tij, që nga Konti, përmes të Dirkemit, deri te Veberi.
I tërë kapitali intelektual ishte i pëqëndruar në hulumtimin e një ane të realitetit: rendit shoqëror, stabilizimit të strukturës politike ekzistuese – edhe pse ajo në raste të shpeshta ka qenë një sistem politiko – shoqëror jo human. Në të vërtetë, ky drejtim në thelb ka qenë një koncept statik për mbrojtjen e status quo-s, si dhe një ideologji koservatore mbi shoqërinë dhe politikën.
Rryma e dytë intelektuale ka qenë bartëse e filozofisë dialektike-kritike, që do të thotë një vizion i ri mbi mundësitë e reja njerëzore dhe shoqërore, që e ka kapërcye strukturën ekzistuese politike dhe njëherit ka qenë armë ideore për ndërrimin e saj. Kjo rrymë ka qenë ana intelektuale e procesit të emancipimit historik të njëmëndësisë shoqërore. Këtë orientim e kanë përfaqësuar një plejadë e autoritetëve të njohura intelektuale, sikurse janë: Llukaç, Korsh, Blloh, Sartr, From, Markuze, Mills, Golldman, Kosik, Goulldner, Horkhajmer, etj.
Nga kjo rrjedh se të gjitha konfliktet e mëdha globale në fushën e shkencës, artit, moralit, fesë dhe politikës kanë qenë konflikte të intelektualëve me qëndrime dhe përcaktime të ndryshme dhe divergjente mbi drejtimet dhe orientimet socio-historike. Miti mbi intelektualët është prishur edhe me faktin që një numër i madh i personave të arsimuar shpesh herë është bërë pjesë e pandarë e regjimeve politike autokratike. Janë bërë pjesë të sistemeve politike të bazuara në dominim, tjetërsim dhe dehumanizim.
Intelektualët e tillë në punën e vet janë të përulur dhe dhe të përvujtë, si dhe të nënshtruar qëndrave të forcave politike dhe interesit për profit.
Po ashtu, fatkeqësisht, në histori ndodh që politikën shtetërore ta drejtojnë strukturat mediokër, të cilat shpesh i persekutojnë dhe i dënojnë krijuesit dhe intelektualët e denjë, si dhe personat me të cilët nuk u përputhen mendimet, duke i kompensuar kështu ndjenjat e veta të paaftësisë dhe të sterilitetit. Arsimi i tyre është i përcjellur me një verbërim shpirtëror, josensibël për probleme jashtë rrethit të tyre të ngushtë të interesit.
Njohuritë e tyre janë të njëanshme dhe të përcipta. Ata në praktikën politike drejtohen dhe udhëhiqen nga pozita e utilitarizmit, korrupsionit, kontrabandës, malverzimeve dhe krimeve të ndryshme.
Natyrisht se personat e tillë në mjedisin në të cilin jetojnë, përjetojnë qortime e përbuzje, mospërfillje dhe injorim. Në këtë mënyrë ata janë të zhvlerësuar në pikëpamje morale, politike, intelektuale dhe njerëzore. Ndërkaq, duhet të themi se përkufizimi i vjetëruar që çdo person që e ka kryer ndonjë fakultet apo shkollë të lartë e konsideron si intelektual dhe i cili mbështetet në kriteret formale burokratike, nuk është më i mjaftueshëm për t’u kuptuar esenca e jetës intelektuale dhe roli i intelektualëve.
Meqënëse me një klasifikim të tillë edhe oficeri policor paraqitet si intelektual vetëm për arësye se e ka studiuar akademinë policore, drejtësinë apo kriminalistikën, edhe pse horizonti i tij mendor nuk e tejkalon teknikën e thyerjes, shpartallimit dhe ndëprerjes së demostratave të punëtorëve, studentëve etj. Po ashtu intelektualë prezentohen edhe ata që e kanë kryer ndonjë fakultet në vende periferike ose gjysmë periferike me nota gjashta dhe kanë studiua mesatarisht 7-10 vjetë, ose diplomatë i kanë blerë dhe falsifikua. Natyrisht se në vendet e Europës Prendimore dhe në Amerikë, “studiuesit” e tillë nuk mund të inkuadrohen kurrkund, sepse nuk konsiderohen si intelektualë. Ndërsa tek ne, ka raste që ata të parët punësohen, mandje dhe fitojnë funksione me rëndësi në administatën shtetërore. Dukuritë e tilla, mos të paraqitshin brengosje dhe fatkeqësi, do të ishin komike.
Në anën tjetër kemi intelektualët humanistë dhe kreativë, të cilët sipas natyrës së vet dëshirojnë të jenë autonomë dhe jokonformistë. Ata synojnë të jenë mendimtarë të lirë, krijues të ideve, vlerave dhe marrëdhënieve të reja. Janë mendjethellë dhe qënie humaniste, sensibilë për problemet e njeriut, të popujëve dhe të pakicave kombëtare. Mirëpo, politika dhe raporti i saj ndaj humanizmit shumë herë janë koncepte jokompatibile dhe në kundërthënie. Politika e tillë për krijuesin dhe intelektualin e denjë ka njfarë ngjyrosjeje socio-etike, për çka ata ngrihen kundër kësaj politikë, e cila nuk është në favor të së vërtetës, të progresit, si dhe të emancipimit njerëzor dhe kombëtar.
Në botën në të cilën jetojmë, jemi dëshmitarë të lëvizjeve dhe ngjarjeve historike në të cilat logjika e forcës dhe logjika e të vërtetës janë në kundërshtim. Ne na duket se atë raport e ka shpjeguar bukur Gorki, kur ka thënë: “shteti e vret njeriun në mënyrë që në të ngjallet kafsha, e mbasi me forcën e asaj kafshe e forcon pushtetin e vet, lufton kundër mprehtësisë së arsyes, e cila gjithmonë është armik i dhunës”. Ato janë momentet më të errëta të historisë. Por, ajo pasqyron raportin midis politikës joliberale në njërën anë dhe qytetarëve e inteligjencës në anën tjetër. Po ashtu, kjo tregon arsyet kryesore pse intelektualët krijues e të denjë nuk janë të angazhuar në politikë. Sepse, ata dëshirojnë të ruajnë dhe të mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e vet njerëzor dhe intelektual.
Historia ka mjaftë shembuj të antiintelektualizmit si politikë iracionale e mohimit të veprimtarisë kritike të inteligjencës humaniste dhe krijuese. Por edhe kur krijuesit dhe intelektualët e denjë kanë qenë krejtësisht afër rrethit më të ngushtë politik, numri më i madh i medimtarëve nuk kanë arritur që plotësisht të depërtojnë në fshehtësitë politike. Teoria politike tregon se është e vështirë për të njohur tabiatin e politikës. Ajo u ka përgatitur befasi edhe intelektualëve më të njohur të mëndimit njerëzor e politik. Që ironia të jetë më e madhe edhe atëherë kur ata kanë qenë në miqësi dhe krah për krah me pushtetarët. Platoni dy herë përpak që nuk e ka paguar me kokë, për arësye se pushtetarëve të Sirakuzës, përndryshe miq të tij dhe me ftesën e tyre, u ka dhënë këshilla të “tepërta”.
Kemi gjithashtu edhe një rast tjetër, vetëm se me një epilog më të rëndë, që ndodhi dy mijë vjet më vonë me Tomas Morin, të cilin Henerik VIII, përndryshe admirues dhe mik i madh i tij, ia ka prerë dënimin që ka paraqitur një shembull më drastik të brutalitetit në mesjetë. Edhe në kohë më të reja kemi dukuri të ngjashme.
Përfundim
Një raport i tillë i politikës ndaj mendimtarëve shpie deri në rezignacioni, i cili është i natyrës jo vetëm gnoseologjike, por edhe morale-politike. Nga ajo parashtrohen pyetje të shpeshta nga mendimtrët politikë: çfarë është rëndësia e kuptimit dhe e njohjes së politikës, në qoftë se ajo nuk mund të ketë ndikim në rrjedhat e zhvillimit dhe të artikulimit të politikës shtetërore.