Shkruan Nikë Gashaj

 

Nisem nga njohjet se  standardet ndërkombëtare përbëjnë: normat juridike ndërkombëtare dhe praktikën pozitive të vendeve demokratike të mbrojtjes së pakicave kombëtare.

 

Më tutje po fokusohem në pasqyrimin pozitës juridike të pakicave në një numër të shteteve bashkëkohore:

 

  1. a) Në Finlandë ekziston autonomia territoriale e pakicës suedeze në Ujdhesën Aland, dhe përpos saj është krijuar edhe vetëqeverisja e veçantë suedeze dhe “Parlamenti suedez në Finlandë”. Gjuha suedeze, krahas gjuhës finlandeze, është e njohur si gjuhë zyrtare në Finlandë. Po ashtu është siguruar edhe shkollimi në gjuhën suedeze, duke përfshirë dhe arsimimin universitar. Ndërkaq, e gjithë ajo nuk e rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit finlandez.

 

  1. b) Në Itali një vëmendje të veçantë tërheq autonomia e pakicës gjermane në Tirolin Jugor, e themeluar me ligjin e veçantë kushtetues, më 31 gusht 1972. Përvoja pozitive e autonomisë gjatë një periudhe më se katërdhjetë vjetë çon në përfundim se nëpërmjet të një modeli të tillë është gjetur zgjidhja e konflikteve shumëvjeçare, pa e rrezikuar integritetin territorial të Italisë.
  2. c) Kushtetuta e Spanjës, neni 2, përmban një garanci të përgjithshme të drejtave të nacionaliteteve dhe rajoneve për autonomi.

Popujt pakicë në Spanjë: katalonasit, galicianët dhe baskët gëzojnë autonomi kulturore dhe territoriale-politike.

Vlen të theksohet se baskët në strukturën e përgjithshme të popullatës së Spanjës bëjnë pjesë vetëm me 4 përqind, por, megjithatë, ata e kanë akademinë e shkencave, universitetin, institute të ndryshme etj.

 

ç)  Një formë specifike të autonomisë së bashkësive kulturore e njeh kushtetuta e Belgjikës. Kushtetuta e Belgjikës, neni 3, cakton statusin e “bashkësive kulturore: franceze, holandeze dhe gjermane”; këtyre bashkësive u garanton”kompetencat që u janë dhënë me kushtetutë ose me ligje të nxjerra në bazë të kushtetutës”.

  1. d) Ligji i Ukrainës për pakicat kombëtare nga 25 qershori 1992, ka përcaktuar rregullin sipas të cilit:”Shteti u garanton të gjitha pakicave kombëtare të drejtën e autonomisë nacionale-kulturore”(neni 6, paragrafi 1).

Më parë, Ukraina, në bazë të referendumit të 1 dhjetorit 1991, e ka formuar”Rajonin autonom hungarez”.

  1. dh) Kushtetuta e Sllovenisë, neni 64, parasheh të drejtat e veçanta kolektive, për dy pakica autonome në Slloveni: italiane dhe hungareze, që nënkupton të drejtën e formimit të vetëqeverisjes në rajone, ku këto bashkësi jetojnë. Në tetor të vitit 1994, Sllovenia ka nxjerrë ligjin e veçantë për bashkësitë vetëqeverisëse nacionale.
  2. e) Në Kushtetutën e Kroacisë, në nenin 15, paragrafi 2, pakicave u është garantuar autonomia kulturore. Kroacia, më 1991, ka nxjerrë edhe ligjin kushtetues për të drejtat dhe liritë njerëzore dhe të drejtat e bashkësive etnike dhe nacionale ose të pakicave. Me këtë ligj, krahas autonomisë kulturore, është rregulluar edhe çështja e autonomisë territoriale të Kninit dhe të Glinës. Ndërkaq, dispozitat e ligjit kushtetues për të drejtat e organizimit të autonomisë territoriale nuk janë më në fuqi, për arsye të shpërguljes së pjesës më të madhe të serbëve nga Kroacia, si pasojë e konfliktëve të armatosura, me rastin e shpërbërjes së RSFJ-së. Mirëpo, Kroacia e ka ndërrua Ligjin e më parshëm dhe me 2002 e ka nxjerrë Ligjin e ri  kushtetues mbi të drejtat e pakicave kombëtare.

ë) Kushtetuta e Hungarisë, neni 48, paragrafi 4, me një normë të përgjithshme përcakton që”pakicat nacionale dhe etnike mund të formojnë vetëqeverisjen në nivelin e bashkësive lokale dhe në nivelin shtetëror”. Po ashtu, Hungaria prej vitit 1993 ka edhe ligjin për të drejtat e pakicave nacionale dhe etnike”. Kapitulli III i këtij ligji u kushtohet të drejtave kolektive të pakicave, kurse kapitulli IV vetëqeverisjes së pakicave.

  1. f) Letonia ka nxjerr ligjin për zhvillimin e lirë të grupeve kombëtare dhe etnike të Letonisë dhe për të drejtën e tyre për autonomi kulturore.
  2. g) Ligji i Lituanisë për pakicat etnike, prej vitit 1989, në nenin 10 parashikon mundësinë e formimit të organeve të veçanta, të “Komiteteve publike” të pakicave.
  3. gj) Kushtetuta e re e Estonisë e qershorit 1992, pakicave etnike ua ka dhënë të drejtën për autonomi kulturore. Po ashtu, Estonia, më 1993, ka nxjerrë ligjin e veçantë për autonominë kulturore të pakicave kombëtare: ruse, suedeze, gjermane dhe hebraike.
  4. h) Në dispozitat themelore të kushtetutës së Kinës është rregulluar që ”autonomia rajonale të formohet në ato zona, ku ndonjëra prej nacionaliteteve pakicë jeton në bashkësi kompakte” (neni 4, paragrafi 1, alineja 3).

 

Në SHBA, ekzistojnë një numër i pakicave kombëtare, sikurse janë: Idiantë, Portorikantë, Çikanostë, Havaitë, etj. Këto grupe jovullnetarisht janë inkorporua në SHBA, nëpërmjet të pushtimit ose të kolonizimit.

 

Mbas inkorporimit ty tyre,  mumëri më i madh të këtyre grupeve e kanë fituar statusin  special politik. Për shembull, fiset idiane janë të pranuara si ”kombe të pavarura vendase” me qeveri të  veta, gjykata dhe të drejta kontraktuese. Portoriko është “komonvelt”, kurse Gvam – Guam është protektoriat. Çdonjë prej këtyre popujëve është i bashkuar apo i unjisuar nën qeverin federale me të drejtën speciale  të vetëqeverisjes. Këto grupe gjithashtu kanë të drejtë të përdorimit të gjuhës dhe të tokës.

 

Në Gvamë dhe Havai, gjuha vendase ka një status të barabartë me gjuhën angleze në shkolla, gjykata dhe në institucine të tjera të komunikimit me pushtetin, ndërsa spanjollishtja është gjuhë ekskluzive zyrtare në Portorik.

 

Kanada e ka miratua sistemin federativ e cili u siguron popullësisë frankofone të Kvebekut autonominë rajonale. Edhe Kanada dhe SHBA, si dhe vendet skadinave ua pranojnë të drejtatë vetëqeverisëse popujëve autoktonë.

 

Më tutje, Britania e Madhe, e ka zgjedh rrugën e garantimit të autonomive rajonale  pakicave  kombëtare.

 

Mospranimi apo mosnjohja, anulimi dhe gulçimi i të drejtave të pakicave, kryesisht çon kah intoleranca, jolojaliteti i pakicave dhe konfrontimi interetnik me pasoja  negative.

 

Duhet të thuhet se sot shumë shtete të Prëndimit në të cilat pakicat kanë një pjesëmarrje të rëndsishme në popullësi, e pranojnë – si për arësye morale ndaj pakicave, si dhe për  shkaqe të gjykimit të drejtë – se janë ”shumëkombëshe”, më parë se”shtete nacionale”.

 

Në kushtetutat e këtyre shteteve shpesh herë është e përcaktuar se brenda kufijëve të tyre ekzistojnë dy ose më shumë komëbe konstinuitive, dhe secila prej këtyre kombëve ka të drejtë legjitime për pëdorimin e gjuhës së vet dhe për vetëqeverisje, e që janë të domosdoshme për ruajtjen e identitetit dhe të kulturës së tyre.

 

Njohjet teorike dhe empirike tregojnë, se në qoftë se dëshirojmë demokratizimin e jetës politike, nëse duam një barazi të vërtetë të qytetarëve dhe të gjitha bashkësive nacionale, atëherë duhet të ndërtohet një sistem politik  i tillë i cili do të ketë një mekanizëm të organizuar dhe të përcaktuar për mbrojtjen e promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Përkundrazi, është e pamundur të krijohen marrëdhënie të reja demokratike, ndërsa në anën tjetër të ruhen zgjidhjet e vjetra institucionale dhe vetëdija politike konservatore.  Në atë kontekst teoria politike tregon se demokracia konsensuale dhe i ashtuquejturi modeli liberalo-komunitar i sistemit politik do të ishte konform, i pajtueshëm dhe i përputhshëm me shoqëritë plurale, multietnike dhe multikulturore, sikurse është Mali i Zi. Në esencë të sistemit të tillë qëndron filozofia qytetare (civile) liberale-sociale, e plotësuar me parimet dhe mekanizmat përkatës të artikulimit të lirë dhe të mbrojtjes së të drejtave  të pakicave kombëtare.

 

                                                 Pakicat në Mal të Zi

 

Në Kushtetutën e Malit të Zi 2007(neni 97)  janë rregulluar të drejtat e veçanta të pakicave. Ajo në mënyrë mjaftë të gjerë i përcakton të drejat e pakicave dhe e mbron identitetin e tyre kombëtar. Mali i Zi e ka dhe ligjin për të drejtat dhe liritë e pakicave, si dhe ligjin për ndalimin e diskriminimit etj. Më tutje Mali i Zi i ka formuar dhe disa institucione, sikurse janë: Ministria për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, Fondi për pakica, Qendra për ruajtjen dhe kultivimin e kulturave të pakicave, Këshillat nacional të pakicave. Natyrisht, se tërë kjo është e nevojshme, por jo dhe kusht i mjaftueshëm i sendërtimit konsekuent të të drejtave të pakicave në njëmëndësinë konkrete, në fakticitet. Meqënëse, problemi akoma ekziston në zbatimin e normave kushtetuese e ligjore në praktikë, në dallimin evident në mes të normave dhe njëmendësisë objektive.  Problemi qëndron në shkallën e   zhvillimit të vetëdijes qytetare, të vullnetit të vërtetë politik dhe jo vetëm deklarativ, si dhe të kulturës juridike e politike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, sikurse janë shqiptarët në Mal të Zi. Prandaj, në atë sferë jemi ende në një gjendje deficitare.

 

 

Ligji për pakica i rendomtë  dhe jo kushtetues

 

Në Mal të Zi, ligji për të drejtat dhe liritë e pakicave është i rëndomtë dhe jo ligj kushtetues, sikurse është për shembull ligji kushtetues për pakicat kombëtare të Kroacisë. Është e njohur se Ligji kushtetues ka një fuqi juridike më të madhe se ligjet tjera të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim me të. Ligji kushtetues për pakica u siguron atyre një sigurim më të madh juridik sesa ligji i rëndomtë. Në anë tjetër ligji i rëndomtë (i thjeshtë)  i tanishëm për të drejtat dhe liritë e pakicave vuan nga një numer i konsiderueshëm i dobësive, të metave dhe të mangësive. Mungesa kryesore e ligjit të tanishëm në fjalë qëndron në faktin se ai nuk përmban dispozita ndëshkimore për moszbatimin të tij, prandaj shtrohet pyetja e detyrueshmërisë dhe përgjegjësisë për implementimin e  ligjit të tillë. Andaj, nuk është me rëndësi vetëm me i pas ligjet, por më me rëndësi është që ligjet të jenë të mira dhe cilësorë.

 

                                           Këshillat nacional të pakicave

 

Avokati i Popullit të Malit të Zi i ka dergua Qeverisë së Malit të Zi Iniciativën ligjëvënëse për ndërrimet dhe plotësimet e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave (Iniciativa ligjëvënëse, nr. 03-276/13, më 16. 05.2013.)

Në Iniciativën ligjëvënëse të ombudsmanit, ndër të tjerat thuhet, se është e domosdoshme: “Rishqyrtimi apo shqyrtimi i dispozitave të nenit 33 të Ligjit aktual të cilat kanë të bëjnë me strukturën dhe numrin e antarëve të Këshillave nacional sipas funksionit të cilët zgjedhen me automatitzëm dhe se kjo mënyrë e zgjedhjes nuk është e lirë, e drejtpërdrejtë dhe jep përparësi përfaqësuesëve të pushtetit publik nga strukturat e partive politike, përkundër zbatimit të parimit të përgjithshëm e transparencës në zgjedhjet e përgjithshme e të lira dhe të drejtpërdrejta, në kuadër të popujve pakicë dhe të bashkësive tjera nacionale pakicë, çka do të thotë se kushtet, procedurën dhe mënyrën e zgjedhjes së antarëve të këshillave, në pajtim me parimet e lartëpermendura duhen të rregullohen me ligj. Në atë drejtim, zgjedhjet e përgjithshme, të lira dhe të drejtpërdrejta për konstituimin e këshillave nacionale do t’i kontribonte ngritjes së nivelit profesional dhe kuadrovik të tyre nga krijuesitë shkencor dhe kulturor të pjesëtarëve të popujëve pakicë dhe të bashkësive të tjera nacionale pakicë, si dhe të ndërtimit të besimit me organet e pushtetit publik, përpa influencë politike, me qellim të ruajtjes, kultivimit dhe avansimit të identitetit kombëtar të pakicave dhe të përparimit të drejtave dhe lirive të njeriut.

 

Mirëpo, fatkeqësisht me befasi  mund të konstatohet, se Iniciativa ligjëvënse e Avokatit të Popullit të Malit të Zi( Ombudsmanit) për zgjedhjen e dretpërdrejtë të Këshillave nacional, prandaj dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, nuk është pranua. Ajo do të thotë se nuk ekziston vullneti politik për avansimin e pozitës së pakicave në këtë drejtim, prandaj as të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, çka nuk është mirë, sepse kjo çështje ka të bëj  me vet funksionimin e sistemit juridiko-politik mbi baza të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe të pushtetit  ligjor.

 

 

 

Pëfundim:  jam i mëndimit se në Mal të Zi duhet në mënyrë permanente të kërkohen,  të gjenden dhe të ndërtohen zgjidhje demokratike, të drejta, optimale e funkcionale juridike dhe institucionale për mbrojtjen dhe sendërtimin e të drejtave të pakicave kombëtare, prandaj dhe të shqiptarëve, dhe atë jo vetëm për shkaqe të stabilitetit politik të vendit, por para së gjithash për shkak të arësyeshmerisë e cila nënkupton rregullimin e drejtë të shoqërisë dhe të shtetit.

 

Thelbi i zgjidhjes së drejtë të çështjes së pakicave kombëtare, qëndron në atë, që kurrkush mos të ndiej presion nga më i madhi dhe më i forti, por çdo popull pavarësisht nga madhësia e tij numerike ta ndiej vetin të barabartë dhe të lirë. Sepse, sikurse do të thoshte Gandi: “qytetërimit tonë do ti gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimi u ofronë pakicave”.

 

 

 

 

 

 

 

 

By admini