Nga Gjekë Gjonlekaj/New York
Më 7 të këtij muaji Shoqata Mbarkombëtare e ish të persekutuarëve politikë e Shqipërisë dega Malësia e Madhe,organizon një mbledhje të posaçme për të nderuar 6 trimat e Hotit.
Kjo ceremoni nderimi do të mbahet në Koplik. Më këtë rast do të shpallen “Nderi i Unionit, 6 Trimat e Hotit”.
Lufta e Dytë Botërore solli tragjedinë dhe shkatrrimin më të madh në historinë e njerëzimit. Këtij tsunami botëror nuk i shpëtoi as populli shqiptar. Këto stuhi katastrofike bënë kërdinë kudo u përplasën. Kush kishte menduar se ato dallgë oqeanike do të godasin aq fuqishëm Traboinin. Kush e kishte imagjinuar se kjo llavë vullkanike do të shpërthente pikërisht në Bardhaj të Hotit në vendlindjen e Dedë Gjo’Lulit. Kush kishte kujtuar se ky tërmet do të përplasej në themelet e oxhaqeve të Mirash Gjelit dhe Gjelosh Ulës. Kjo tragjedi e madhe i bashkoi deri në përjetësi dy familje fisnike të vëllazërisë Dedvukaj e Gojçaj. U vëllazëruan edhe më shumë në qëndresën e tyre heroike, për te shpëtuar nga mundimet dhe vdekja, vëllaun e tyre Gjelosh Lulin e Hotit.
Për këto llahtari kisha dëgjuar qysh në fëmijëri. Për besën dhe mundimet e Mark Mirit dhe Kolë Mirit flitej më shumë se për asnjë ngjarje tjetër. Ndërsa për Mark Gjelosh Ulën dhe vëllazërit e tij dëgjonim më pak sepse tragjedia e tyre kishte përfunduar në anën tjetër te kufirit shqiptar. Tre vëllazërit Gojçaj kishin përfunduar në burgjet e Shqipërisë,bile Lul Gjelosh Ula pas shumë vuajtjesh e mundimesh kishte dhënë shpirt në burgun shqiptar të diktaturës bolshevike. Markun e Lukën pas lirimit nga ferri komunist i kishin internuar në kampe përqëndrimi. Ata kishin vajtur në amshim pa gëzuar asnjë ditë lirie. Dy legjendat e Malësisë sonë në Mal të Zi, Mark Miri dhe Kolë Miri kishin pësuar mundime të papërshkrueshme nga Toger Baba dhe forcat e tij barbare. Në gjygjin jugosllav Mark Miri e kishte marrë përsipër krejt fajësinë e vëllaut, kështu që Kola nuk u dënua me burgim. Mark Miri qëndroi në burgun komunist jugosllav disa vjet. Për Mark Mirin kisha dëgjuar në Malësi. Këtë burrë legjendar të Hotit e kisha takuar për herë të parë në New York, Natën e Sh’Njonit më 28 gusht të vitit 1981. Ky trim i përmendur ishte atë natë në shtëpinë e vëllaut të tij, Kolë Mirit. Dukej shumë i qetë dhe i përzëmert. Mbaj mend se tërë natën qëndroi në këmbë, për nder të mysafirëve që kishin shkuar në këtë festë të famshme të Hotit. E kisha parë Kolë Mirin shumë herë në festën e tij, por kurrë nuk e kisha parë të lumtur si atë natë. Ndjehem keq edhe sot pas 36 vjetësh pse nuk bisedova më shumë me këtë burrë shqiptar të Malesisë. Për Mark Mirin kisha dëgjuar fjalë e komente të mira më shumë se për asnjë malësor shqiptar. Në rininë e tij thonë se kishte qënë ndër djemtë më të pashëm e sokola të Malësisë së Madhe. Ishte dalluar në logjet e Malësisë. Ndërsa në pleqëri dukej si ato figurat e shëjta të Leonardo Da Vinçit ose të Mikellangjelllos në katedralet evropiane. Pamja elegante përkonte me shpirtin e tij tepër fisnik.
Ndërsa vëllaun e tij Kolë Mirin e kam takuar dhjetëra herë këtu në New York. Kolë Miri ishte burri më i nderuar i Malësisë se Madhe në Amerikë . Ai kishte imigruar në Shtetet e Bashkuara në moshën 60-vjecare. Pavarësisht se ishte në gjëndje të mirë shëndetësore për të punuar familja nuk e lejoi të bënte asnjë punë. Ndonjëherë kujdesej për fëmijë dhe kurrgjë më shumë. Familja e tij bëri përparime të dukshme ekonomike dhe nga ato përparime Kola gëzoi, sepse kishte mundësi për të marrë pjesë në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e malësorëve në Amerikë dhe në Malësi.
Me Kolë Mirin kam biseduar shumë për mundimet e tij e të Gjelosh Lulit, të Markut dhe të Mark Gjelosh Ulës dhe qëndresën e tyre heroike. Asnjë herë në jetë nuk e kam parë ose dëgjuar që të mburret me qëndresën e tij. Kur fliste për Gjelosh Lulin kishte shumë emocione. Kur këndonin raspsodët malësorë për qëndresën e tij dhe të Markut, Kola qante si fëmijë për tragjedinë e Gjelosh Lulit. Kolë Miri fliste shumë për mundimet e Mark Gjelosh Ulës. Tre trimat e Hotit kishin pësuar mundimet e Krishtit për shpëtimin e Gjelosh Lulit. E kishin traditë,sepse edhe Mirash Gjeli, babai i Markut dhe Kolës kishin bërë më shumë për shpëtimin e Dedë Gjo’Lulit se asnjë familje tjetër e Hotit. Kjo trevë e Hotit quhet Bardhaj. Mbase quhet Bardhaj se ka pasë burra zemër bardhë. Jo rastësisht këtu ka lindur Dedë Gjo’Luli dhe gjithë ata trima të përmedur të familjes së tij që kishin rënë dëshmorë në kohëra të ndryshme për lirinë e Shqipërisë.
Për mundimet e tij dhe të Markut e të Mark Gjeloshit, Kola mund të fliste ditë të tëra. Çastet më të hatashme kishin qënë kur forcat e Toger Babës kishin kërkuar nga Kola të zhvishej lakuriq. Ai kishte thënë nuk zhvishej kurrë lakuriq. Ata i kishin thënë zhveshu duke i thënë se edhe Krishti ishte zhveshur lakuriq. Kola kishte bërtitur deri në kup të qiellit nuk është e vërtetë se Krishtin nuk e keni parë kurrë lakuriq. Ata e kishin lidhur në hell për ta pjekur si kafshën. E kishin parë se është e kot dhe kishin hequr dorë nga ky tmerr. Më vonë kur ishte liruar kishte vajtur për ta parë atë vend, “Golgothën” e tij. Forcat komuniste të Bajo Stankoviqit kishin vepruar në marrëveshje të plotë me Toger Babën. Marku e Kola dhe Mark Gjeloshi për një kohë e kishin mbajtur Gjelosh Lulin në një shpellë të Bardhajëve në Mal të Zi. Gjelosh Luli tregonte Kola, kishte frikë se mund ta kapnin forcat komuniste jugosllave dhe kishte kërkuar ta kalonin në një shpellë të Shqipërisë. Marku e Kola nuk mund ta ndihmonin më, sepse ishin arrestuar nga sigurimi jugosllav, duke përfunduar në burgun e Podgoricës. Edhe Mark Gjeloshi me vëllazër e kishin ndihmuar deri atë ditë që ishin arrestuar. Më vonë i kishte shkuar në ndihmë Mirash Gjoka i Kastratit. Siç duket kapedan dhe profesor Gjelosh Luli kishte vdekur atje diku afër Veleçikut në vitin 1946. Kush e kishte paramenduar se një pinjoll i Dedë Gjo’Lulit i edukuar në familjen më pariotike të Malësisë së Madhe dhe i arsimuar në shkollat më të larta ushtarake të Italisë me bursën shqiptare mund të përfundonte në këtë mënyrë.Gjelosh Luli ishte martuar me motrën e Kolë Bibë Mirakës, por nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë të kalonte në Itali, ashtu siç kishte bërë elita poltike shqiptare anti-komuniste. Mendoj shumë herë pse Gjelosh Luli nuk ishte larguar nga Shqipëria? Para disa vjetësh kam takuar të bijën e tij Isabela Lulin, por nuk biseduam për këtë çështje. Qëndruam së bashku në një darkë në shtëpinë e Marash Kolë Mirit në New York. Ishte shumë grua e zgjuar e atdhetare. Thonë se kishte qëndruar shumë e rreptë edhe në kohën e diktaturës në Shqipëri. Ajo ishte ftuar për nderime në Parlamentin e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Histori të tilla mund të lexohen vetëm në kohërat antike dhe biblike. Kjo trevë legjendare ishte shumë e organizuar qysh në shekullin XIV. Pavarësisht stuhive Hoti gjithmonë triumfoi. Kam parë shumë burra shqiptarë dhe të huaj, por nuk kam parë kurrë burra si Mark Mirin e Kolë Mirin. Të tillë kishin qënë edhe Mark Gjelosh Ula dhe dy vëllazërit tij Luli dhe Luka. Besa e tyre ishte më e qëndrueshme se Mali i Veleçikut. Kështu kisha shkruar për Kolë Mirin para 25 vjetësh,një ditë pas vdekjes. Marku e Kolë Miri ishin si Shën Pali e Shën Pjetri. George Washingtoni ka thënë: Eshtë më vështirë me qënë hero në paqë së në luftë. Këta kishin qëndruar heronjë të vërtetë edhe në paqë. Pas Dedë Gjo’Lulit për ta është kënduar e folur më shumë se për këdo tjetër në Hot. Zoti i kishte pajisur me cilësitë më të larta njerëzore. Shoqata Mbarëkombëtare e të Persekutuarëve Politikë–Dega Malësia e Madhe bëjnë vepër të shkëlqyeshme,duke nderuar gjashtë trimat e Malësisë së Madhe. Ata meritojnë titullin “Nderi i Kombit” dhe monumente në Malësi të Madhe dhe më gjerë. Do të ishte nder i veçantë për autorët shqiptarë të bënin vepra letrare dhe artistike për këta trima legjendarë të Malësisë së Madhe. Qëndresa e tyre heroike është me vlera universale. Ky është tregimi më i madh i Hotit për më shumë se një shekull. Me këtë rast përkujtojmë gjashtë martirët antikomunistë të Malësisë që u pushkatuan nga forcat jugosllave të Bajo Stankoviqit tek kisha e Grudës me 13 shkurt 1945.