Shkruan Gjekë Gjonaj
Kultura dhe arti janë segmente shumë të rëndësishme pa të cilat asnjë shoqëri (komb) nuk mund të mbijetojë dhe as të ekzistojë.Vështruar në këtë kontekst nuk ka komb pa art e kulturë, sepse çdo komunitet njerëzish që e përbëjnë kombin ndërlidhet me identitetin kulturor. Një komb pa identitet të mirëfilltë e të njëmendtë nuk e ka të lehtë të gjejë rrugën drejt të ardhmes. Për më keq, një komb me identitet gjysmak e ka të pamundur të konsolidojë vetveten dhe të ardhmen e tij, shprehen elitat tona kulturore. Sipas tyre kultura dhe arti janë vetë shteti, vetë kombi. Fanarë që mbajnë të ndezur flakën e atdhetarizmit brenda një etniciteti. Të dyja bashkë janë gjymtyrë të pandara të një trupi. Kultura e arti i afrojnë dhe i bashkojnë qytetarët rreth një ideje, ideali që është kombëtar. Përveç kësaj arti e kultura në vetvete janë shpirti i një kombi, sinonim i lirisë , i gjetjeve apo zbulimeve të vazhdueshme të inovacioneve .
Dijetari Nibil Çinka shkruante: “Një kombi që i mungon njëtrajtshmëria dhe hemogjeniteti kulturor, atij i mungon ndërgjegjja kombëtare e vërtetë dhe e përsosur.Vlera e një kombi është në lidhje të ngushtë me ketë ndërgjegje, që është vepër kulture e qytetërimit”. Edhe psikologu dhe filozofi gjerrman Eduard Spranger thotë: “Një komb ja ka një kulturë kombëtare, ja s’ka asnjë”. Këtë mendim për kulturën e mbështetën thuajse njëzëri mendimtarët e shquar shqiptarë të viteve të 20-30-të shekullit të kaluar , Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli, At Anton Harapi, e shumë të tjerë më vonë , që përbëjnë aureolën e kulturës shqiptare.
Falë njerëzve të kulturës kombi ynë ka mbijetuar kombëtarisht. Këta misionarë të dyfishtë kulturën e artin e kanë konceptuaar si mision dhe detyrim kombëtar. Misioni i tyre, që nga Dom Gjon Buzuku,P. Budi , F.Bardhi, P.Bogdani, Jeronim de Rada e këndej, ishte kryesor , madje edhe vendimtar në të gjitha lëvizjet kombëtare. Me veprimtarinë e tyre kulturore mbajtën gjallë kujtesën historike të popullit shqiptar, sforcuan idealet për mbijetesë kombëtare dhe mobilizuan kombin për liri.
Politikat kulturore që udhëhiqen sot në shoqëritë shqiptare janë në disafvor të kulturës kombëtare. Politika e ka shtrirë ndikimin në art e kulturë. Investimet në këto dy fusha janë të pamjaftueshme. Ministrat shqiptarë të kulturës kanë komptetnca shumë të mëdha , karshi institucioneve të kultures e artit. Ata zgjedhin drejtorët e institucioneve kulturore jo në baza të aftësive profesionale, por kryekput në vija partiake. Këto emërime ( poste) politike pa mëdysghje e ulin cilësinë e krijimtarisë kulturore në përgjithësi, sepse në kulturë duhet të jetë kriterium vetëm vlera.
Më e keqja është se politikëbërësit shqiptarë, në shumicën e rasteve, fare pak e përcjellin kulturën. Ata kryesisht komunikojnë më njerëzit e kulturës, poetët, shkrimtarët, artistët e të tjerët vetëm pak para fushatave partiake ose në ndonjë moment kur e dinë se ka përfshirje mediale. Politikanët tanë vite të tëra trumbetojnë se duhet të shkojmë në Europë, se nuk jemi larg larg saj. Mirëpo harrojnë ose nuk duan të thonë se në Europë nuk shkohet vetëm me rrugë, drita e ujë. Në këtë familje evropiane futemi edhe me traditën, civilizimin dhe kulturën tonë. Kur të kemi liderë që vërtetë e shijojnë, e duan artin e kulturën gjithçka do të funksionojë shumë më mirë, edhe ekonomia, edhe rendi, edhe politika.