Universiteti i Prishtinës për një kohë të gjatë ka qenë destinacioni final i studentëve shqiptar nga Mali i Zi. Vazhdohen të mbahen në mend sidomos vitet e 80-ta dhe të 90-ta të shekullit të kaluar kur Universiteti i Prishtinës ishte e vetmja alternativë shqipe për studentët tanë të cilët këtë mundësi e shfrytëzuan më së miri. Universiteti i Prishtinës ka qenë simbol unik i dijes dhe i pazevendësueshëm për popullatën shqipe në trevat tona.
Edhe pse dekada e fundit e shekullit të kaluar pati një rënie drastike të vijimit të studimeve atje për shkaqe tashmë të njohura, fillimi i këtij shekulli dhe sidomos pas pavarësisë së Republikës së Kosovës interesimi për të studiuar në fakultetet kosovare pësoi përsëri një rritje por jo në masen e viteve të 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar.
Vitet e fundit vërehet një rritje e lehtë e interesimit për studentët e ardhshëm tanë për të studiuar në Universitetin e Prishtinën edhe pse në këtë garë tani kanë hyrë fuqishëm Universiteti i Podgoricës por edhe universitetet nga Shqipëria.
Por edhe përkundër rritjes së interesimit duket që rregullat e pranimit në UP për studentët nga Mali i Zi i hendikepon ata gjatë procedurave për krijimin e ranglistës së nxënësve fitues. Për këtë si shkak i parë ku nxenësit tanë janë të dëmtuar është mospranimi i provimit të maturës i cili në shkollat e mesme në Mal të Zi ekziston dhe është ndër provimet më serioze. Provimi i maturës në shkollat e mesme është i tillë ku gjysma e tij është ekstern dhe gjysma intern. Pjesa eksterne e tij është unike për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme në Mal të Zi dhe se se korrigjimi i kësaj pjese nuk bëhet në shkollat ku nxënësit kanë përfunuduar shkollën gjë që eliminon subjektivizmin.
Si problem tjetër me të cilin ballafaqohen nxënësit tanë është edhe vet provimi pranues si dhe pyetjet në të. Dihet shumë mirë se planprogramet mësimore të shkollave të mesme në Kosovë dhe Mal të Zi kanë mjaft dallime sidomos në lëndet e identitetit kombëtar si Histori, Gjuhë dhe letersi shqipe, Kulturë muzikore etj. Në këtë drejtim provimi pranues i njëjtë për të gjithë nxënësit si ata nga Kosova si edhe për ata nga Mali i Zi sjell deri te hendikepi i dytë i rëndësishëm për nxënësit tanë. Shumë tema, sidomos nga lëndet e identitetit kombetar por jo vetëm, nxënësit shqiptar në Mal të Zi as që i kanë hasur gjatë shkollimit të tyre në shkollat e mesme këtu.
Mospranimi i provimit të maturës për nxënësit shqiptar nga Mali i Zi si dhe vetë përmbajtja e provimit pranues bën që nxënësit tanë të penalizon që në fillim.
Numri maksimal i pikëve për ranglistën përfundimtare gjatë pranimit në Universitetin e Prishtinës është 100 dhe i ndarë si në vijim: 30 pikë nga suksesi i përgjithshëm, 30 pikë nga provimi i maturës dhe 40 pikë nga provimi pranues atje. Në këtë situatë, provimi pranues për nxënësit tanë ka vleren 70 pikë.
Shumë nxënës që kanë konkuruar viteve të fundit por edhe ato që konkuruan kët vit ankohen për këtë dhe kërkojnë që të ju mundësohet konkurimi si të barabartë me studentët e atjeshëm.
Në nummrin e nxënësve që pësojnë nga ky fakt ka edhe nxënës shembullorë për të cilët universitet përkatëse duhet të bëjnë çka është e mundur që të jenë pjesë e tyre kurse më vonë edhe kuadro të fuqishëm po të tyre.
Do të ishte e udhës që institucionet përkatëse që merren me këtë temë ta trajtojnë dhe ti japin zgjidhje në të mirë të nxënësve, studenteve të ardhshëm shqiptarë nga Mali i Zi.