arsimi-shqip-mali-ziShkruan: Rexhep Lleshi

Arsimi shqip në Mal të Zi sipas “masës“ së vetë shqiptarëve – Shkolla shqipe nuk është e diskriminuar në asnjë segment
Përmbajtja lëndore e identitetit kombëtar duhet rregulluar me Programin mësimor të përgjithshëm e jo “të plotësohet përmes 20 përqindëshit“, siç shpjeguan disa drejtora të shkollave në “debatin në Televizionin ’Teuta’“, II 2010, atij rrëfimi “simpatik“ të cilit më vonë iu bashkangjit edhe një anëtar i Këshillit të Arsimit. Ato thënie nuk kanë bazë programore. Për sqarim po shtoj se Programi mësimor është miratuar në dy pjesë: 80% është Programi i përgjithshëm, ndërsa 20% është hapësirë e lirë – program i mjedisit të cilin e definon Shkolla në marrëveshje me Ql. Këtë e punojnë mësimdhënësit. Ql nuk ka organ profesional për punë të tilla. Pasi programi kombëtar është një, i përbashkët, ai duhet të vendoset në suazë të të përgjithshmit dhe të mësohet njëjtë e jo i copëtuar (në 20%).

Tjetër problem i përfolur janë tekstet shkollore. Jo mungesa, por shkrimi e përkthimi i tyre, akuzimi i gjendjes së tillë dhe apeli që ato, për ne, t’i shkruajë e miratojë dikush tjetër. Pyetja e shtruar është e rëndë sa vetë libri. Zgjidhja e saj s’don tjetër përveç punës intensive. Shqiptarët në Malin e Zi dinë të shkruajnë e përkthejnë. Por ata duhet ushtruar të shkruajnë libra shkollorë të vlefshëm për fëmijët tanë. E vërtetë, është më e vështirë sesa ata që shkruajnë në bazë reprodukimi, përshkrimi apo imagjinimi. Kriteret dhe normativat e shkrimit të këtij libri janë të caktuara, recensioni profesional, referencat po ashtu. Shkrimi bëhet në bazë konkursi. Sa janë paraqitur për aso pune dëshmojnë fjalët. S’janë angazhuar. Ideja për shkrimin e teksteve nga dikush tjetër e importimi i tyre do të ishte me vend sikur shqiptarët në Malin e Zi të vetëshpallen të paaftë për atë punë. Por, ajo notë s’ekziston. Ka mjaft kuadro që shkruajnë dhe përkthyes të licencuar. Libri shkollor është ekuivalent Programit mësi r. Për këtë, ai duhet të jetë domicil. Atëherë, fjalët të zëvendësohen me autorësi e përkthim të mirëfilltë. Pasi numri i tyre s’është i madh, është më lehtë të shkruhen/përkthehen njëherë sesa për ditë të flitet për to.
Kurdo që flitet për arsimin, e pashmangshmeështë çështja e zgjedhjes së drejtorit të shkollës dhe centralizimi i pushtetit, si faktor pengues në zgjidhjen e “mirëfilltë“ të tij. Ajo është dhe temë bosht e politikës aktuale. Me të merren të gjitha subjektet partiake dhe krejt për interes të tyre. Askush nuk flet për kualitetet e duhura të kandidatit dhe rezultatet e punës së drejtorit. Në “zbavitjet“ politike të kësaj pyetjeje, nuk ka qasje serioze. Me rëndësi është që, siç thonë, “ai të jetë i joni“ për ta bërë trumbetë fushate zgjedhore dhe koreograf skene të nxënësve. Ose, më keq: “ne ta marrim shkollën“ për ta bërë hangar votash e jo për ta avancuar mësimin.
Nga disa deklarata të politikanëve, zgjedhjen e “drejtorit të tyre“ e pengon centralizimi i pushtetit. Për shpëtim apelojnë decentralizimin, “sundimin“ e qeverisjes/partive lokale. Shkolla i njeh ato rregulla, madje dhe vetëqeverisjen me të cilën u rrit. Për shkollën më tepër ka rëndësi që drejtori të jetë udhëheqës i punës pedagogjike e jo “i kujt është“, kush e zgjedh? Ata që deklarojnë ndryshe, s’e mendojnë as shkollën, as arsimin. Mirëpo brengos fakti që ata të cilët shohin centralizmin (sundimin e një qendre- organi) nuk e shohin vëllain binjak – akumulimin (shumë funksione partiake e shtetërore te një person). Ai vërehet te 3-4 anëtarë të subjektit partiak të cilët, përveçse të zgjedhur në organet udhëheqëse të tij, kërkojnë të vendosen edhe në ato shtetërore kudo që është partia, të bëhen edhe këshilltarë Kuvendi, kryetar/anëtarë të këshillave drejtuese të kompanive, kryetar komune, deputetë, kryetar/anëtarë të komisioneve parlamentare, bordeve të drejtorave,ministra e gjithsesi kryetar/anëtarë të Kësh lit Kombëtar. Ja për sa karrige u lindën politikanët pluralistë! E ashtu me dekada, sepse përveç që janë për gjithçka, ata janë edhe përgjithmonë!
Tjetër është akumulimi i të gjithë funksionarëve në një organ, Këshillin Kombëtar.
Gjithë ato “shërbime“ u vlejnë bartësve të tyre e jo mbarë zhvillimit. Konstatimi “s’u mbajt Kuvendi sepse këshilltarët – deputetë janë në Parlament“ e ilustron mirë atë! Atëherë, sa mund t’i kontribuojnë arsimit njerëzit me atë “vetëngarkesë“?! Jo më tepër se atë që flasin dhe përsërisin një çerek shekulli!
Problemeve të shkollës shqipe, në cilësinë e “përkthimit të gabuar të teksteve“ etj., kohës së fundit u jepet kahje diskriminimi. Të thurësh, përkrahësh ose qëndrosh indiferent ndaj atij vlerësimi kundërthënës do të thotë mos ta njohësh problemin as brenda, as jashtë.
Enciklopedia e përgjithshme e arsimit, libri I, mëson se diskriminimi është “dallim“, “veçim“ (me qëllim, paramendim, dhunë). Gabimi – lëshimi i kujtdo nuk prodhon diskriminim.

Shkolla shqipe nuk është e diskriminuar në asnjë segment. Nxënësit dhe mësimdhënësit e saj ushtrojnë kënaqësi dhe mundime njëjtë si moshatarët, gjegjësisht kolegët e tyre të çdo shkolle tjetër. Që nxënësit e përkatësisë malazeze etj., tekstet shkollore i kanë të kompletuara e shkruara pa gabime është meritë e autorëve bashkëkombas të tyre. Kënaqësi të tillë duhet të kenë edhe nxenësit shqiptarë. Atë do ta gëzojnë atëherë kur vetë shqiptarët të shkruajnë tekste shkollore ose të bëjnë përkthimin e drejtë të tyre.
Energjia e tillë shpesh drejtuar shkollës, kinse vetëm aty ka probleme nacionale e aty duhet gërmuar, është mbeturinë e strategjive të mëparshme joshqipe dhe operim i të “mbeturve“ të tyre që, si pseudopatriotë e të dëmshëm, vështirë janë të dalluar për opinionin. Por ata shihen dhe duhet të njihen.
Kjo çështje duhet shikuar edhe përmes besueshmërisë së pushtetarëve të Malit të Zi ndaj pakicës kombëtare dhe lojalitetit të shqiptarëve ndaj shtetit e udhëheqësve tij, të treguar në çdo zgjedhje popullore. Ai raport shihet mirë te veprimtaritë dhe institucionet e larta shtetërore, kabinetet e kryetarit të Republikës, Kuvendit, Qeverisë, ministrive, gjykatave etj., ku prania e të punësuarve shqiptarë, të emëruar ose të zgjedhur me konkurs, sikur e përgënjeshtron besnikërinë e ndërsjelltë?! Edhe për këtë çështje, të qartë e jo të favorshme, askush nga folësit nuk ndërmori asnjëherë. Duhet ditur se edhe kjo i takon arsimit, andaj edhe treguar se në ato vende kanë hise, janë të arsimuar, besnikë e dëshirojnë të punojnë edhe shqiptarët autoktonë. Të dërguarit e shqiptarëve, me të shkuar në Podgoricë nuk duhet harruar nga janë, kënd e çka të afirmojnë. Ata duhet angazhuar në krijimin e parakushteve për punë institucionale kombëtare dhe të rrjetit gjithëpërfshirës të bashkëvendasve.
Arsimi s’arrihet me hamendje, hipokrizi, mashtrime, akuza, zhurmë e formula-zgjidhje të gatshme. Kësaj lëmie fisnike s’mund t’i ndihmojnë njerëzit të mbërthyer nga politika e egoizmi që ajo sjell. Robët e saj, lakmuesit e interesit personal, të rrezatuar me korrupsion, atë nuk do ta bëjnë kurrë, siç edhe nuk e bënë deri tash. Kësaj veprimtarie shoqërore s’mund t’i prijnë njerëzit që s’kanë dije të sinqertë, moral të shëndoshë e bazë kulturore të gjerë. Arsimit shqip s’mund t’i kontribuojnë njerëzit me këso e cilësi të tjera të ngjashme të cilët, përkundër vijimit të gjatë në detyra të caktuara nuk treguan sukses ose refuzuan angazhimet me interes për kombin. Arsimin shqip ata sikur e kanë pretekst për të folur për vazhdimin e mandateve të pafund.
Arsimin kombëtar mund ta çojnë përpara njerëzit e pajisur me vizione e shprehi pune, atdhedashuri të lartë, energji të zjarrtë e guxim të fortë. Ata që këto atribute i posedojnë e me kujdes i zbatojnë, pa rezervë duhet besuar, përkrahur e ndihmuar kurdoherë e të gjithë pa dallim përkatësive të veçanta. Ai angazhim është dhe mbetet masa e arsimit të tij, respektivisht e shqiptarëve në Mal të Zi. /Koa Javore/

By admini