Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, z. Enkel Rexhepi, janë pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), z. Rilind Gervalla, kështu mësohet nga një njoftim i KKSh-së, transmeton Ulqini Online.

Gjatë këtij takimi, palët u dakorduan për nisjen e realizimit të një programi të përhershëm televiziv në RTK, që do të ketë për qëllim pasqyrimin e jetës, sfidave dhe zhvillimeve të shqiptarëve në trevat shqiptare në Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak dhe më gjerë.

Ky projekt konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve kulturore, shpirtërore dhe identitare ndërmjet shqiptarëve në rajon.

Kryetarët Nika dhe Rexhepi falënderuan drejtorin e RTK-së për gatishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer për realizimin e kësaj nisme me rëndësi të veçantë kombëtare.

By admini