
ARRIN AUTOBUSI I PARË I MODELIT TË RI
Komuna e Ulqinit ka bërë hapin e parë drejt modernizimit të transportit urban, duke prezantuar autobusët e parë për transport publik dhe për nevojat e nxënësve. Autobusi i ri, i modelit Iveco Daily prodhim i vitit 2025, ka një kapacitet prej 22 ulësesh dhe është pjesë e një plani më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës së lëvizjes në qytet, shkruan Ulqini Online.
Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për qytetin bregdetar, i cili për herë të parë do të ofrojë shërbim të organizuar të transportit publik. Objektivi i këtij projekti është të lehtësojë qarkullimin urban, të zvogëlojë varësinë nga veturat private dhe të sigurojë kushte më të mira dhe më të sigurta për udhëtarët, veçanërisht për nxënësit.
Sipas njoftimit nga Kabineti i Kryetarit të Komunës, janë në procedurë tenderimi edhe tre autobusë të tjerë të të njëjtit model, të cilët pritet të jenë gati dhe të vihen në funksion deri në fund të vitit 2025.
Kjo iniciativë synon të ofrojë një alternativë të qëndrueshme për lëvizjen në qytet dhe të vendosë standarde të reja në shërbimin publik për qytetarët e Ulqinit.