Ilustrim: Liqeni i Shkodres

Masat mbrojtëse dhe menaxhuese të kësaj pasurie kombëtare nuk janë të duhura, në asnjërën anë. Edhe pse marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë janë të mira, bashkëpunimi nuk është në nivel, sepse mungon koordinimi i dy shteteve për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës. Këtë e vërejnë më së miri peshkatarët me grepa, të cilët bredhin brigjeve të liqenit të Shkodrës dhe në ujdhesat e tij afër Skjesë, Arbneshit, Muriqit etj., por pa zënë peshk.

Nga Asllan Bisha

Liqeni i Shkodrës është rajoni më i madh i peshkimit në Ballkan. Është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km, me thellësi mesatare 7m. Nga sipërfaqja e tij e përgjithshme, Malit të Zi i përkasin afërsisht 60 për qind, ndërsa Shqipërisë diçka më shumë se 40 për qind.
Dikur ky liqen ishte i pasur me peshq, posaçërisht me krap, i cili peshkohej dhe konsumohej me shumicë. Në tryezat e shkodranëve tava e krapit ishte dhe është specialitet i vërtetë, ashtu edhe në Krajë, Anë të Malit, Ulqin, Tivar, Zetë dhe Podgoricë.
Liqeni i Shkodrës ka një sipërfaqe prej 370 ha, ndërsa prodhimtaria vjetore e peshkut llogaritet në 18.500 kg. Nëse i referohemi shkencës, ky kapacitet prodhues vjetor është i përsëritshëm.
Mirëpo çfarë ndodh në këtë liqen viteve të fundit?
Kanë ndodhur ndryshime të mëdha, sepse peshkohet pa kriter dhe mungon mbikëqyrja. Peshkimi i krapit të shumëkërkuar është rrezikuar. Ai vazhdon të kërkohet shumë, sidomos në restorantet në Ulqin, Shkodër e Velipojë gjatë sezonit veror. Por në tregun e Ulqinit pothuajse mungon fare! Edhe në pjesën e Krajës i lëshojnë rrjetat, por nuk peshkojnë as për nevojat shtëpiake. Kjo dukuri është evidente posaçërisht sivjet.
Pse ndodh kjo?
Sipas peshkatarëve, krapi ka ikur në anën tjetër të liqenit, në brigjet e Shtojit dhe në pjesët tjera që i takojnë Shqipërisë. Në terrene të caktuara krapi ushqehet me misër. Për ta joshur, peshkatarët hedhin qindra kilogramë misër dhe pastaj e rrethojnë krapin me rrjeta, por edhe e peshkojnë me korrent. Kjo mënyrë peshkimi, duke e mashtruar peshkun, është e dëmshme, sidomos peshkimi me rrymë. Krahas kësaj, peshkohet edhe krapi i vogël, peshkimi i të cilit në vendet ku zbatohet ligji është i ndaluar. Prandaj në treg të peshkut në Shkodër mund të blihet krap, por me çmim të lartë.
Liqeni i Shkodrës është ndër njëzet liqenet më të mëdhenj në botë. Por ai sot fatkeqësisht po shkatërrohet nga peshkimi i pakontrolluar dhe abuzimi me ligjin. Po ashtu, nuk hidhet më rasat peshku për shumëzimin e tij.
Masat mbrojtëse dhe menaxhuese të kësaj pasurie kombëtare nuk janë të duhura, në asnjërën anë. Edhe pse marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë janë të mira, bashkëpunimi nuk është në nivel, sepse mungon koordinimi i dy shteteve për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës. Këtë e vërejnë më së miri peshkatarët me grepa, të cilët bredhin brigjeve të liqenit të Shkodrës dhe në ujdhesat e tij afër Skjesë, Arbneshit, Muriqit etj., por pa zënë peshk.
Liqeni i Shkodrës po shndërrohet në liqen pa peshq, sepse edhe disa lloje tjera të peshqve, siç është ngjala apo trofta, janë të rralla. Në këtë mënyrë, kjo pasuri kombëtare po rrezikohet.
Pritet që të kalojë vera në mënyrë që liqeni të trazohet nga rritja e nivelit të ujit prej shirave të vjeshtës.
Po ashtu edhe lumi Buna, që lidh detin me liqenin, është në krizë. Gati është shfarosur fondi i
peshkut ngase peshkohet me mjete të palejueshme, sidomos nuk ka mbikëqyrje në sezonin pranveror kur është stina e shumëzimit të peshkut, bie fjala kur rreh krapi, kur i lëshon vezët.
E gjithë kjo pushtetarëve u duket punë e vogël dhe nuk marrin masa pë ta ruajtur këtë pasuri kombëtare që ka rëndësi për të dy shtetet dhe më gjerë. Edhe sektori joqeveritar dhe mediat nuk i trajtojnë sa duhet këto “cikërrima”, siç thonë politikanët.
Lënia pas dore e peshkimit, e kësaj dege ekonomike dhe e kësaj pasurie kombëtare, do të krijojë probleme edhe për turizmin. Turistët e të dyja anëve do të mbesin pa peshq dhe atë do ta shijojnë vetëm të pasurit. Prandaj institucionet dhe personat kompetentë nga të dyja anët duhet të takohen, të vendosin bashkëpunim për ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare në të mirë të të dy shteteve. Është momenti i fundit që të merren masa për shpëtimin e fondit të peshkut në liqenin e Shkodrës, në lumin Buna, në liqenin e Shasit, por edhe në det, ku është duke u zvogëluar fondi i peshkut. /Koha Javore/

By admini