Të gjitha bibliotekat e hapura përgjatë historisë islame në Ulqin dhe në Perandorinë Osmane e më gjerë janë rezultat i frymëzimit nga e kaluara jonë si edhe e shumë verseteve Kur`anore me anë të të cilave njerëzit janë ndikuar në kërkim të diturisë dhe ruajtjes së dijes në libra, konkretisht në biblioteka.

 

 

Në qendrën e Kazasë së Ulqinit janë hapur biblioteka publike që kanë funksionuar në kuadër të vakëfeve, ku mund të përmenden bibliotekat e Medresesë së Ulqinit, shkollës ruzhdie, shkollës (Mektebi i Madh) së madhe në Kalanë e Ulqinit, ish Mehqemen – Gjykatën e Ulqinit, nëntë xhamive të qytetit, teqeve etj., të cilat fatkeqësisht nuk kanë arritur ta kapërcejnë periudhën e komunizmit, si edhe biblioteka personale të shumë personaliteteve të shquara të historisë së Ulqinit.

 

Mr. Ali Bardhi*

 

Dëshira për të mbledhur dhe ruajtur dijet e mëparshme dhe ato të kohës, ka qenë një ndër arsyet themelore të krijimit të bibliotekave përgjatë historisë.

Bibliotekat e para në botë, që njihen deri më sot, fillojnë që në periudhat e lashta, në qytetërimet e njohura, ku me theks të veçantë në këtë tubim mund të përmendim bibliotekat e periudhës osmane.

Në Perandorinë Osmane bibliotekat janë të lidhura ngusht me institucionin e vakëfit.

Në shtetin Osman, përveç sigurisë së brendshme dhe të jashtme, si dhe shërbimeve juridike, shteti nuk ofroi asnjë shërbim tjetër. Të gjitha shërbimet private si dhe shërbimet publike, të cilat kryhen nga shteti i sotëm modern, janë kryer nga ana e vakëfeve, që mund t’i konsiderojmë si një sektor i veçantë. Shteti ka kryer vetëm aktivitete për të ruajtur sigurinë e brendshme dhe sigurinë e jashtme, ndërsa të gjitha shërbimet e tjera ua ka lëne vakëfeve. Shteti osman të ardhurat që i përfitonte apo paratë që i shpenzonte në fushën e shërbimeve publike, i ka harxhuar më tepër në ruajtjen e sigurisë së brendshme dhe të jashtme (Adnan Ertem, “Institucioni i Vakëfit në shtetin osman dhe në ditët e sotme”, fq, 34, në Civilizimi Osman, përgatitur nga Coşkun Çakır, Logos, Shkup, 2014).

Në kulturën osmane islame, vakëfi nënkuptonte një institucion social, funksionet e të cilit bien ndesh me mendimet dhe praktikat që shoqërinë e ndajnë në dy klasa të papajtueshme me njëra-tjetrën, që kundërshtojnë konceptet e bazuara në konflikte klasore. Pra, vakëfi kur kryen funksionet e tij, niset sipas mendimit për t’i realizuar ato jo në bazë të konflikteve klasore, por duke mos bërë një dallim gjuhësor, fetar (Edhe hebrenjtë, të krishterët dhe armenët e Perandorisë Osmane posedonin vakëfet e veta që shërbenin për mbarëvajtjen e punës në institucionet fetare përkatëse dhe të tjera), racor apo klasor. (Adnan Ertem, po aty, fq. 35)

Vakëfet e krijuara janë regjistruar tek Kadiu i vendit dhe kanë ushtruar aktivitet në bazë të fushës së interesit që ka dashur të zhvillojë bamirësi dhe pronari i vakëfit. Kështu që vakëfet kryenin shërbimet fetare, arsimore, shëndetësore, ekonomike, rregullonin marrëdhëniet shoqërore, shërbimet e ujësjellësit, shërbimet sportive, ekonomike, punësonin njerëz, kishin ndikim në unitetin social (Prof. Dr. Ziya Kazıcı, Islam Medeniyeti ve müesseseler tarhi, 302-303. Botimi 5, Universiteti Marmara, Stamboll, 2003), ku kjo e fundit kishte një rëndësi të madhe pasi vendbanimet formoheshin përreth veprave të vakëfeve.

Në periudhën osmane të gjitha vendet publike, si xhamia, shkolla, hamami etj. gjendëshin afër vendbanimeve dhe ndërtoheshin e financoheshin nga vakëfet. Kompleksi i vakëfit kishte brenda xhami, medrese, shkollë, hamam, tyrbe, çezmë, han, mensë për të varfërit, spital, dyqane, bibliotekë etj.

Me një fjalë, vakëfi na shfaqet si një formulë juridike që përfshin të gjitha institucionet sociale në shtetin osman apo si një formulë juridike e përdorur nga të gjitha këto institucione sociale. Përfshirja e të gjitha institucioneve sociale nga ana e vakëfit apo emërtimi i të gjitha institucioneve sociale me emrin vakëf, na paraqet disa pika të rëndësishme për të parashikuar fushat e ndikimit të vakëfit në shtetin osman.

Decentralizimi i vakëfeve do të zgjasë deri në tri dekadat e para të shek. XIX, në periudhën e fundit të shtetit osman, kur u vunë re lëvizjet centralizuese. Kjo periudhë është periudha në të cilën u themelua Ministria e Vakëfeve. Me anë të një mentaliteti centralist të llojit perëndimor të kohës si edhe ideja e përfitimit të shtetit nga potenciali i vakëfeve, mund të konsiderohet midis shkaqeve të themelimit të Ministrisë së Vakëfeve.

Nga momenti i formimit të Perandorisë Osmane janë hapur shumë biblioteka në kuadër të institucioneve që ishin nën varësinë e vakëfeve, si shkollat, medresetë, xhamitë, teqet, dergjahet, e deri tek bibliotekat me ndërtesa të posaçme të ndërtuara nga sadrazamë (kryeministra), vezirë, pashallarë, shehzade, defterdarë, shejhu`l-islamë dhe të tjerë nëpunës shtetërorë.

Nga fillimet e Perandorisë Osmane e deri në përfundimin e ekzistencës së vet si shtet, për nga ndërtesa dhe vendi kemi biblioteka me tipare  të ndryshme, që mund t’i përmbledhim në pesë pika (Hakan Anameriç, Osmanlı kütüphane kültürü ve bilimsel yaşama etkisi, fq. 57):

  1. Biblioteka personale private në saraje, të krijuara nga sulltanët, shehzadet e kohës së vet;
  2. Biblioteka personale të ndërtuara në shtëpi, konaqe, dhoma etj.;
  3. Biblioteka të hapura në mjediset e institucioneve të ndryshme edukativo-arsimore, si xhami, medrese, mektebe (shkolla), dersane etj.;
  4. Biblioteka të hapura brenda hapësirave të institucioneve fetare-arsimore, si mesxhide, teqe, zavije, tyrbe, hankah, ribat, dergjah e mevlevihane;
  5. Biblioteka të veçanta me ndërtesa të posaçme (Biblioteka e parë e ndërtuar në ndërtesë dhe arkitekturë të posaçme në periudhen osmane i përket kohës së Qyprilinjve, në kohën kur kryeministër i Perandorisë Osmane ka qenë Ahmed Pashë Qypriliu dhe të dhënë vakëf nga Mustafa Pashë Qypriliu. Familja e njohur e Qyprilinjve ka qenë me origjinë shqiptare nga Berati, të cilët kanë administruar Kryeminstrinë e Perandorisë Osmane në vitet 1656-1683).

Kështu në këtë mënyrë pasurimi i bibliotekave realizohej me anë të librave të dhëna vakëf. Por me kalimin e kohës, pasurimi i tyre me libra është realizuar edhe në disa mënyra të tjera:

  • Me anë të dhurimit të librave në periudha të ndryshme nga pronarët e vakëfeve;
  • Me anë të dhurimit të librave vakëf nga persona të ndryshëm;
  • Me anë të blerjes së librave;
  • Me anë të prorosisë për të shkruar-shumëzuar librat;
  • Me anë të dhurimit të librave nga kryetarë të shteteve, ambasadorë, zyrtarë e pari të shtetit;
  • Me anë të sigurimit të librave nga plaçka e luftës etj. (Hakan Anameriç, po aty, 58).

Pra, në kuadër të kompleksit të vakëfit kanë funksionuar edhe bibliotekat.

Në bazë të të dhënave, biblioteka e parë në shtetin osman është ndërtuar nga Sulltan Fatihu në vitin 1459, në kompleksin e xhamisë së Ejub Sulltanit në Stamboll dhe në xhaminë e Fatihut.

Pas kësaj kohe, në Stamboll dhe vendet tjera të Perandorisë Osmane janë ndërtuar shumë biblioteka nga zyrtarë të shtetit dhe dijetarë.

Kështu përveç bibliotekës së madhe në qendër të Pashallëkut të Shkodrës dhe bibliotekave të tjera pranë xhamive, shkollave etj., të cilat kanë qenë pjesë e vakëfeve të kohës, edhe në qendrën e Kazasë së Ulqinit janë hapur biblioteka publike që kanë funksionuar në kuadër të vakëfeve, ku mund të përmenden bibliotekat e Medresesë së Ulqinit, shkollës ruzhdie, shkollës (Mektebi i Madh) së madhe në Kalanë e Ulqinit, ish Mehqemen-Gjykatën e Ulqinit, nëntë xhamive të qytetit, teqeve etj., të cilat fatkeqësisht nuk kanë arritur ta kapërcejnë periudhën e komunizmit, si edhe biblioteka personale të shumë personaliteteve të shquara të historisë së Ulqinit, ku mund të përmendim bibliotekën e Molla Musa Bushatit në Kalanë e Ulqinit, nga i cili ende ruhen shumë libra, Hafiz Millës e shumë dijetarëve, hafizëve, imamëve e myderrizëve të tjerë deri në ditët e sotme etj., si dhe biblioteka e të ndjerit Kadi Hysein Mujalit, e cila është trashëguar dhe ende sot ruhet nga nipat e të ndjerit (Shaban e Samir Mujali), pa të cilët sot nuk do të ishte i mundur realizimi i këtij paneli dhe i ekspozitës. Për këtë edhe i falënderoj pasardhësit e hirësisë së kadiut, familjen Mujali.

Sa i përket bibliotekës së Kadi Hysein Mujalit nga Ulqini, bashkë me Mr. Behlul Kanaqin kemi hulumtuar për disa ditë në bibliotekën e të ndjerit. Biblioteka e hirësisë Kadi Mujalit posedon shumë libra, nga të cilët një pjesë e tyre ruhen në kuti, kurse të tjerat janë të vendosura në rafte. Nga hulumtimi ynë në bibliotekë, për t’u ekspozuar në Galerinë e Qendrës për Kulturë – Ulqin kemi përzgjedhur vetëm 55 libra të shtypura dhe dorëshkrime, si edhe dorëshkrime personale të kadiut. Është për t’u vlerësuar lart biblioteka e pasur e kadisë, ku njëherit dëfton qartë edhe për dijen, mençurinë dhe personalitetin e lartë që ka pasur i ndjeri Kadi Hysein Mujali.

Në fund theksoj se të gjitha bibliotekat e hapura përgjatë historisë islame në Ulqin dhe në Perandorinë Osmane e më gjerë janë rezultat i frymëzimit nga e kaluara jonë si edhe e shumë verseteve Kur`anore me anë të të cilave njerëzit janë ndikuar në kërkim të diturisë dhe ruajtjes së dijes në libra, konkretisht në biblioteka.

 

*Autori është Kryeimam i Ulqinit

(Kjo kumtesë është paraqitur në panelin dhe hapjen e ekspozitës së bibliotekës personale të Kadi Hysein Mujalit – Bibliotekaria në Ulqin në periudhën osmane, në Qendrën e Kulturës – Ulqin, më 10 mars 2017)

 

By admini