Shqiptarët e edukuar për dhunë: “A e di ti se kush jam unë?!”

Shkruan: Azem Osmani

Ne gabohemi rëndë kur popullin tonë mundohemi ta cilësojmë si popull paqësor e durimtar.
Gjithmonë rrëfehemi për të kaluarën e afërt, kur përballë një të huaji pushtues qëndruam durimtar e paqësor. Harruam se këtë gjë e bëmë, sepse serbi ishte ushtarakisht më i fortë, por mbi të gjitha, sepse ishte i huaj.
Është e vërtetë se më vonë, po i njëjti popull e bëri luftën. Por, kur lufta plasi, u pa se kishte edhe luftë brenda llojit tonë. Reflektimet e saj, edhe sot e kësaj dite po shfaqen. Jo vetëm kaq, por tani ka filluar lufta brenda llojit të llojit (nënllojit). Ndoshta edhe atëherë kishte një të tillë?!
Luftoja me veten time që atëherë mos ta besoj këtë gjë. Po provoj sërish të luftoj që mos ta besoj as tani. Edhe unë njëfarë luftëtari…Na vajti jeta veç me luftëra!
Mirëpo, kur tani po e përjetoj në këtë nënqiell realitetin që na rrethon, po detyrohem ta përqafoj pa dëshirë bindjen se këtu jeta është e mbushur me edukatë të dhunës.
Nuk e di se kush e ka thënë, s’po më kujtohet, kryesore është se e kam dëgjuar: “Aty ku ka edukatë dhune, në bërthamë ka frikë”. Kjo më rezulton se në fakt ne jemi frikacak.
Të më pyeste dikush: Pse frikacak?
Sepse, kur jemi përballë të huajve, na dridhen pulpat e këmbëve, kërcet na pikojnë lëngje, eshtrat na zbuten e boshti kurrizor na thyhet nga kërrusjet servile e puthadore.
Interesant, a brenda llojit shtiremi sikur jemi sypatrembur e guximtarë. Po, pse brenda llojit?! Dikur çirrnim së bërtituri përball pushtuesit se jemi vëllezër e jemi të një gjaku, po tani kush dreqin jemi…?!
Rëntgeni më i qartë se këtë edukatë dhune (në bërthamë mbushur përplot frikë) e kemi nga familja.
Të më pyeste dikush: Pse nga familja?
A ka ditë e Zotit që nuk dëgjojmë rrugëve të lagjeve, oborreve të shkollave, rrugëve të qytetit a fshatit, kur dy palë ndeshen njëra me tjetrën për t’u përleshur, nxitësi i konfliktit i thotë “hasmit”: “A e di ti se kush jam unë?!”
Kjo gjë nuk mësohet në çerdhe, as në shkolla, as në vende pune, por në familje, e qe besa edhe nëpër bodrumet e selive të partive tona politike.
Po të përdorej kjo shprehje në kuptimin e kundërt, se unë jam një djalë i bujkut që punon me djersë apo i profesorit që edukon breza, atëherë do isha bindur se i takon edukatës së shkollës të cilën aty e ka mësuar.
Edhe një herë ta përsëris: “A e di ti se kush jam unë?!”
“Po, unë kam 7 vllazën un’shpi! Kam kallash e ta boj gjyksin blozhë! E kam dajën që dridhet krejt katuni e shehri pej tij! E kam mixhën komandant rrokotel, e qafen ta nukë si pules!”…
Fatkeqësisht ky soj i njerëzve tanë që i kemi të gjakut e të mishit, po e dominon shoqërinë tonë të pasluftës.
Kryefamiljarë kthjelluni! Mos bëni biseda dhune në shtëpi, sepse jeni duke rritur breza fëmijësh me edukatë dhune (në bërthamë mbushur përplot frikë).

By admini