Baba Meleq Skrapari (Staravecka) atdhetari që për 30 vite përhapi shkrimet shqiptare deri në Ulqin e Prevezë

Nga Enver CAKAJ

 

Amaneti i tij, ishte ky: Pas vdekjes, shkrimet e mia të mblidhen e të bëhen një libër me titull “Dashuri e Mëmëdheut”, amanet që u mbajt 

 

Ai mori shumë mbiemra gjatë punës si fetar e patriot. U thirr Meleq Skrapari, Meleq Shëmbërdhenji, Meleq Staravecka, Meleq Shqipëria…Emrin e vuri vetë. Po të doni shkoni në teqenë e Shëmbërdhenjit, ku do të gjeni emrin e vërtetë të tij. Asnjëra prej tyre nuk ia ndryshoi qëllimin për të shpërndarë libra shqip në gjithë botën. Ai u këndoi të gjithëve në kohë të vështira, por dhe i kënduan kohë pas kohe. I vetëm, në moshë të arrirë, shëtiti botën dhe Shqipërinë për të përmbushur misionin e tij patriotik. Gazetat e kohës nuk reshtën së bëri jehonë punës humane të tij: “Varf Meleq Staravecka, (në kohën e fundit baba Meleq Shëmbërdhenji), 30-vjet me radhë shëtiti Shqipërinë fshat më fshat, nga Ulqini deri në Prevezë, duke përhapur libra për Rilindjen e Shqipërisë, e në të gjitha teqetë hyn në formën e shkollave kombëtare duke predikuat “Qerbelanë” prej të pavdekurit vjershëtor, Naim Bej Frashëri. (“Historia e bektashinjve” 1929)

 

 

I vetëm e me shpenzimet e veta, baba Meleqi kapërceu dete, male e lumenj, i ngarkuar me libra, për të gjetur rrugën e lirisë së shqiptarëve për t’i pajisur me dituri. E nisi nga Sofja dhe shkeli gjithë botën për të dituruar popullin e tij. Si njeri i njohur botërisht, edhe shtypi i ndiqte lëvizjet e tij. “…Më 1901 mbrrini në Sofje dervish Meleqi. Ky mëmëdhetar i shtrenjtë s’kursehet të shëtitë në çdo anë si apostull i shqiptarizmës. I ndjeri pruri vjersha në dorëshkrim për të shtypur në shtypshkronjën “Mbrothësia”, po, fatkeqësisht ky libër nuk doli në dritë…Këtu botojmë një vjershë mbi përcjelljen e tij nga Sofja e vjershëruar prej mëmëdhetarit Z. Adham Shkaba, (anëtar i shoqërisë Dëshira të Sofjes). Fetar shëtitës, mësues shëtitës, i kudondodhur. Në Sofje po përgatitej Kalendari Kombëtar i Motit. Baba Meleqi hapën qesen dhe financon. Kudo që shkoi e kurseu kohën si një nikoqire e mirë. Nuk qëndroi në Shqipëri, zbrazi librat që solli dhe u nis për në Stamboll. Kleriku ishte kthyer në një kërkues librash si të ishte mësues i mirëfilltë. Edhe shtypi i atij vendi e pasqyroi lëvizjen e tij. “Dervish Meleqi erdhi nga Shqipëria këtë javë në Selanik dhe dje u nis për në Stamboll…”(Gazeta “Lirija 16 maj 1909, faqe 2) Baba Meleqi ishte person publik, që u bë i njohur jo vetëm nga kultet fetare, por dhe nga qarqet politike. Në rubrikën “Lajme të shkurtra” gazeta ”Lirija” e Selanikut, shkruante: “Mësuam se të palodhurin mëmëdhetar, varf Meleqin e paskan zgjedhur at, (Baba) në teqe të Shëmbërdhenjit. (Tomoricë) E urojmë të mbajë kryesinë e teqenë me nder. Shëndet dhe vullnet për t’i shërbyer gjindjes sikundër i ka shërbyer dhe gjer sot.” Një tjetër urim i vete baba Meleqit nëpërmjet të njëjtës gazetë nga Nevruz Tahir Selenica: “U uroj me gjithë zemër të mirin varf Meleqin, që u zgjodh at në teqe të Shëmbërdhenjit, Tomoricë, Zoti i faltë gjithë sa dëshiron.” Babai i Shëmbërdhenjit u vu në shërbim të kombit me propagandë fetare, patriotike e politike. Më shumë u mor me krijimtari, brenda së cilës gërshetoheshin të gjithë veprimet e tij. Atëherë kur mendoi, se vjershat e tij kishin bërë efekte të rëndësishme, mendoi t’i mblidhte në një libër, por nuk iu përgjigj njeri për ta financuar. Disa miq të tij u interesuan, por nuk mund të gjenin sponsor.

 

Letër, drejtuar Lef Nosit, Elbasan

“I ndyeri dhe mirënjohuri baba Meleq Shëmbërdhenji, qysh në gjallësi na kish dorëzuar shkrimet e tija të shumëvlefshme, (në vjersha), dhe na kish porositur, që mas vdekjes së tij këto shkrime, masi të mblidheshin t’i apim për shtyp për të nxjerrë një libër, që emrin e të cilit e ka quajt “Dashuri e Mëmëdheut” dhe kështu me pak mundime t’i mbledhim dhe serosim këto shkrime, të cilat t’i apim në shtyp për t’ia arrit qëllimit të dëshëruem të të ndyerit dhe për ta çkarkuar nënëshkruesin nga barra që më kish ngarkuar. Po për të nxjerrë në dritë një libër si kjo,natyrisht duhen shpenzime të mëdha dhe medoemos përkrahja morale e atyreve që dinë të çmojnë vlerën e këtyre shkrimeve dhe burrërinë dhe atdhetarinë e të ndyerit baba Meleq, i cili deri orën që dha frymën nuk i shpëtoj nga goja së foluri për të mirën e Shqipërisë dhe shumë shkrime janë të falura 40 e ca vjet të shkuara.Prandaj pë t’ia arrit qëllimit të dëshiruar tue mbështet në atdhetarizmën tuaj, që për një vepër të tillë nuk kini me lënë në më të vogëlin kursim më shtrëngoi të lypim dhe prej zotërisë suaj ndihmën që të dëshironi vetë dhe do t’i dërgoni në adresën e poshtshënuar: “Gjysh Zylfo, teqe Qesaraka, Korçë”. Emrat e ndihmëtarëve bashkë me shumat natyrisht kanë me u radhit në fletën e posaçme në fund të librit.

Mbetem me shumë nderime

Gjysh Zylfo

 

VDEKJA E BABA MELEKUT

 

Baba Meleku,që ishte babai i teqesë së Shëmbërdhenjit në Skrapar dhe që ka qenë një nga bashkëpunëtorët e Naim Frashërit kur ish dervish në teqenë e Frashërit, ndërroi jetë më 25-shkurt 1927 në teqenë e Shëmbërdhenjit në versë 85-vjetësh. Perëndia e ndjeftë dhe ngushëllimet afërsisë dhe miqve. (“Gazeta e Korçës”, datë e shtunë 5 mars 1927)

 

Fakte arkivore për vlerësimet që i janë bërë

SEIT SELIM KRUJA: Selimi në vitin 1902 ka shpërnda libra bashkë me baba Meleqin ndër katunde dhe ka përcjellë këtë bashkë me Zenel Kalanë e Gjin Pjetrin tue mshef e dergue në Ulqin.

 

ZENEL AGA MEÇA KRUJË: Ky ka përkrah dhe fsheh dhe ka qenë një nga mbrojtësit e të ndjerit baba Meleq Shëmbërdhenji dhe predikuesi e organizuesi i shpërndarjes së librave shqiptare.

 

HAXHI ISMAIL BABA KRUJA:Ka qenë përkrahës fobjo e mbrojtjes të së ndjerit baba Meleq Shëmbërdhenji,që sillte dhe shpërndante libra në teqenë e këtij e prej besnikëve të tij. Për shkak se iu gjendën këto libra në vjetin 1903 është internuar në Adaca prej qeverisë turke.

 

THANAS TASHKO KORÇË: Në Fejoum bëheshin mbledhje për idenë kombëtare, ku gjenin një direk të fortë të Thanasit, atje vinin dhe rrinin refugjatë ose komita dhe gjithë ata që dënoheshin për çështje shqiptare. Atje vinin libra nga Rumania dhe atje erdhi Shahin Kolonja me Bajo Topullin më 1903, ku ndënjën 3 a 4 muaj me radhë, si dhe Mehmet Këlcyra, Fejzo Dishnica, Murtza Frashëri, Dervish Meleqi etj. Atje ishte çerdhja kombëtare, kurdoherë me Tashkon përpara. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit.

 

IBRAHIM RUSTEM KALOSHI KRUJË: Ibrahimi ka qenë një nga përkrahësit e librave shqipe dhe përkrahës i baba Meleq Shëmbërdhenjit. Në vitin 1900 asht dërgue e lidhë burgosë në Shkodër pse ju gjetën libra shqipe në duar.

 

BABA ZEJNEL KALOSHI KRUJË: Tue qenë në teqenë e Krujës e tue njoh propagandën për vëllazërim e liri në vjetin 1907 ka thirr të ndjerin baba Meleq Shëmbërdhenjin, i cili bashkë me librat ka ardh dhe për dy javë rresht ka shpërnda në këtë teqe libra shqipe.

 

DRVISH ALI DEDEJ KRUJË: Në vjetin 1907-1908,kur ka qenë i ndjeri baba Meleqi këtu,ka shpërnda libra në gjuhën shqipe dhe bashkë me Muharrem Tagën në teqenë e Haxhi Hasanajt, ku funksiononte, ky ka dhënë mësime të gjuhës shqip me gjithë kërcënimet e turqve.

 

ILJAZ MUSABELLIU UJANIK SKRAPAR: Kur Meleq Staravecka ishte në Turqi para vitit 1900 për të hapur gjuhën shqipe e diktuan dhe e futën në burg gjashtë muaj. Por Meleqi me të dalë nga burgu filloi përsëri nga shpërndarja e librave. Kur u kthye në Staraveckë, ra në kontakt me baba Fetanë e Backës,i cili e dërgoi në Teqenë e Shëmbërdhenjit. Për herë të parë u takova me Meleqin në shtëpinë e Kamber Musabelliut në Ujanik. /telegrafi.al/

 

By admini