Nga Ruzhdi Poda*
Para disa kohësh kam lexuar në gazetën DITA se, sipas disa studiuesve, Shqipëria numëron rreth 50 mijë shqiptarë të vrarë në kryengritje për çlirim kombëtar e luftëra për mbrojtjen e Atdheut, shumë prej të cilëve, për arsye të ndryshme, deri më sot nuk janë shpallur Dëshmorë të Atdheut. E nder ta, do të përmend 16 Dëshmorët e pa shpallur të Anës së Malit, që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Ana e Malit ndodhet në Perëndim të qytetit të Shkodrës dhe shtrihet nga Ura e Bunës, në perëndim të këtij lumi deri në afërsi të Ulqinit. Krahina e Anës së Malit zë një sipërfaqe prej rreth 150 km katrorë, me një popullsi mbi 20 mijë banorë, nga të cilat vetëm rreth 44 km Katrorë, me popullsi prej rreth 6 mijë vetë ndodhen brenda territorit të Shtetit Shqiptar, ndërsa pjesa më e madhe, ndodhet brenda shtetit të Malit të Zi (Theksojmë se historikisht Ana e Malit ka qenë tokë shqiptare, e banuar vetëm me popullsi autoktone shqiptare).
Krahina e Anës së Malit përmendet që në kohët e lashta, duke ruajtur emërtimin e pastër shqip, që vjen nga fjalët anë mali. Megjithëse në kufi me sllavët, në këtë zonë kemi me dhjetëra emërtime e toponime shqip, çka vërteton më së miri jo vetëm autoktoninë e shqiptarëve në këtë krahinë, por edhe atdhetarizmin e banorëve për të ruajtur me çdo kusht gjuhën shqipe si p.sh. emërtimet shqip si Bardhë-dhanë, Bardhana, Buena, Kuqlina, Hije, Garuci, Brija e Malit, Guri i Madh, Breg Bardhej, Frashra, Grope, Vau i Lopëve etj.
Si një krahinë me pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik, e ndodhur midis kështjellave të Shkodrës, Lezhës, Ulqinit, ajo përmendet në shumë dokumente e materiale të hershme. Sipas studiuesit të njohur kroat Milan Shuflai, në vitin 998, cari Bullgar Samuilli, rrethoi dhe zuri rob princin serb Vladimir, në Oblikë (fshati më i madh i Anës së Malit, brenda kufirit tonë). Me dhjetëra e dhjetëra herë përmendet Ana e Malit me fshatrat e saj në Regjistrin kadastral të Venedikut (1416-1417), Regjistrin kadastral të Sanxhakut të Shkodrës (1485) etj.
Si një zonë fushore dhe gjysmë malore e ndodhur midis Lumit Buna, detit Adriatik dhe Liqenit të Shkodrës, me një klimë të butë mesdhetare, Ana e Malit është dalluar për bimësi shumë të pasur dhe për mundësi të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ku janë kultivuar krahas drithërave të bukës, të gjitha llojet e perimeve dhe frutave. Por e veçanta e Anës së Malit ka qenë dhe mbetet kultivimi i perimeve (speci, patëllxhani, bishtaja, hudhra, sallatat e veçanërisht bamjet (që mund të konsiderohen model në Shqipëri e më gjerë) për çka anamalasit janë quajtur ustallarë e mjeshtër në këtë fushë, e jo më kot ata kanë qenë e mbeten ndër furnizuesit kryesorë të qytetit të Shkodrës.
Për vetë pozicionin tepër të rëndësishëm strategjik, për pasuritë e saj ujore, tokën e begatë etj. Ana e Malit historikisht ka ngjallë lakminë e fqinjëve sllavë, por njëkohësisht edhe atdhetarizmin e anamalasve, të cilët e kanë treguar me urtësi e pushkë gjatë shekujve.
Sipas Dokumenteve të Rilindjes Kombëtare, në Periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 16 qershor 1878 përfaqësuesit e Shkodrës dhe krahinave përreth i janë drejtuar Fuqive të Mëdha me një notë proteste kundër copëtimit të tokave shqiptare dhe konkretisht kundër dhënies së Tivarit dhe Ulqinit, Malit të Zi. Nga 306 emra patriotësh shqiptarë që nënshkruanin Protestën, 19 prej tyre janë përfaqësues të Anës së Malit. Anamalasit nuk u mjaftuan vetëm me letra e peticione, por kur e lypi nevoja u rreshtuan me armë në dorë për mbrojtjen e tokave shqiptare.
Dokumentet tregojnë se anamalasit kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në Luftën për mbrojtjen e Ulqinit në v.1878-1880. Ndër 3000 luftëtarë dhe vullnetarë të ardhur nga Shkodra e krahinat përreth, që luftuan deri në fund për mbrojtjen e Ulqinit, 700 prej tyre kanë qenë nga Ana e Malit.
Sipas dokumenteve zyrtare anamalasit kanë qenë mjaft aktiv në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924, dhe veçanërisht kundër ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet me ndihmën, paratë e armët e Beogradit. Me dhjetëra e dhjetëra anamalas u armatosën dhe u vunë në mbrojtje dhe zutë pritë tek Ura e Sagjicës, nga ku ishte hapur fjala se do të vinte Ahmet Zogu me forcat bjellogardiste…..
Duke ecur në rrugën e paraardhësve, anamalasit kanë qenë mjaft aktivë në luftë kundër pushtuesve nazi-fashistë. Ana e Malit vlerësohet si një ndër krahinat që jo vetëm ka qenë bazë për luftëtaret e lirisë që në fillimet e saj, por dhjetëra bij të saj kanë marrë pjesë me armë në dorë kundër pushtuesit. Nuk është e rastit që 73 shtëpi kanë janë shpallur baza të Luftës, ose që rreth 95 përqind e anamalasve kanë përkrahur Luftën Nacional Çlirimtare.
Lufta për mbrojtjen e Shkodrës në v-1912-1913, si një ndër epopetë më të lavdishme në historinë e Shqipërisë, një epope ku janë ndërthurur lufta e ushtrive të rregullta me atë të rezervistëve e vullnetarëve dhe kryesorja e një populli të rrethuar, që për gjashtë muaj i qëndroi heroikisht rrethimit dhe bllokadës serbo-malazeze, rast thuajse unikal në historinë moderne. Megjithëse për këtë luftë nuk janë thënë akoma shumë të vërteta, sepse deri më sot ajo nuk është studiuar e pasqyruar e plotë e, për çka historianët e studiuesit ja kanë “borxh” popullit të Shkodrës e shqiptarëve, sepse ndoshta, më shumë kanë shkruar të huajt se vet shqiptarët për të (mund te përmendë veprën e Edit Durham “Lufta për Shkodrën: sllavë, turq dhe shqiptarë”, të gazetarit italian Xhino Berri “Rrethimi i Shkodrës”, të Vortense Von Zambar, bashkëshortes së Konsullit austriak në Shkodër “Rrethimi i Shkodrës”, të shkrimtarit anglez Xhons Kerri “Kujtimet e Bobotit, Taraboshit” etj.)
Dua të theksoj se edhe sot e kësaj dite shumë prej luftëtarëve që dhanë jetë në këtë luftë edhe sot e kësaj dite nuk u është dhënë titulli i Dëshmorit të Atdheut, çka u bë shkas edhe për këtë shkrim.
Pa marrë përsipër të shkruaj për Luftën për mbrojtjen e Shkodrës dua të vë në dukje se një ndër krahinat që e ka vuajtur më shumë këtë luftë, por edhe që ka luftuar shumë, ka qenë Ana e Malit.
Mbasi Fuqitë e Mëdha, siç kishin vepruar shumë herë në kurriz të tokave dhe popullsisë së Shqipërisë, ja dhanë Ulqinin e Tivarin Malit të Zi, Krajl Nikolla ëndërronte Shkodrën dhe thurte plane për pushtimin e saj. E për ta pushtuar atë, një ndër drejtimet kryesore ishte Ana e Malit dhe mali i Taraboshit, që anamalasit e kanë quajtur si pjesë të tyre. Andej nga anët tona tregohet një histori interesante, por tepër kuptimplote. Thuhet se në vitin 1905, gjatë një takimi të Krajl Nikollës së Malit të Zi me Sulltan Hamitin, ai i kërkoi Sulltanit t’i “lëshojë pak vend në Tarabosh, sa një lëkurë bualli”. Në bisedime merrte pjesë si këshilltar i Sulltanit edhe Ramazan Begu nga Oblika e Anës së Malit. Sulltani nuk hezitoi, mbasi Taraboshi shkëmb e gur është e sipas tij, e nuk po i jepte Malit të Zi ndonjë gjë të madhe.
Mbasi dëgjoi kërkesën dhe një lloj aprovimi nga ana e Sulltanit, Ramazan Begu ndërhyri dhe i tha: “Naltmadhëni, njiktu xen vend”. Sulltani ja ktheu: “Jo more beg, një copë shkamb po jap”. Ramazani i thotë: “Ah, Madhni, asht çelës për Shkodër, shuhet emni, s’ka ma kala”. Kështu, thuhet se ky anamalas, mbrojti me aq sa mundi trojet e atdheun të tij. Jo më kot e kërkonte Krajli i Malit të Zi atë “shkëmb”, sepse në sulmin për pushtimin e Shkodrës në vitin 1912, mali i Taraboshit u bë ndër drejtimet kryesore të sulmit të ushtrisë së Malit të Zi. Dhe kuptohet edhe Ana e Malit që shtrihej rrëzë tij, u bë jo vetëm pre e sulmit kryesor por edhe shesh luftimesh të përgjakshme..
Mali i Taraboshit, historikisht është vlerësuar si pikë mbrojtëse e Shkodrës, si çelësi i saj hyrës, sepse kush kishte Taraboshin zotëronte Shkodrën.
Në kohën kur Konferenca e Londrës po vendoste kufijtë e cunguar të Shqipërisë, Mali i Zi, si pjesë e Aleancës Ballkanike, duke shpresuar të realizonte ëndrrën e vjetër për marrjen e Shkodrës, nën pretekstin e luftës kundër Perandorisë Osmane, me qëllim për të venë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha, më 11 tetor të v.1912 sulmoi dhe rrethoi Shkodrën.
Shkodra në këtë kohë, krahas Janinës mbahej si ndër kështjellat më të rëndësishme të Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit. Në kuadrin e Aleancës Ballkanike (Mali i Zi, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Rumania, që u bashkua më vonë), Mali i Zi kishte marrë përsipër sulmin dhe pushtimin e Shkodrës.
Shkodra mbrohej nga Garnizoni turk (rreth 5 mijë vetë) dhe rezervistë e vullnetarë shqiptarë nga Shkodra e fshatrat e saj, Lezha, Dibra, Puka, Mirdita, Kruja, Tirana, Elbasani, Kavaja, Gramshi, Librazhdi etj. (rreth 10 mijë vetë) që komandoheshin nga gjenerali turk Hasan Riza Pasha.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë malazeze, krahas forcave ushtarake, u mobilizuan qindra qytetarë shkodranë e banorë të fshatrave përreth, në prapavijë, për hapjen e llogoreve, vendosjen e telave me gjemba, mbledhjen e rezervave ushqimore dhe lëndëve djegëse, transportimin e materialeve ushtarake, hapjen e rrugëve të reja për trupat ushtarake etj. Shkodra mbrohej nga dy vija mbrojtëse, kryesorja shpatet e malit të Taraboshit, kodrat në Bërdicë e Vukatanë, dhe vija e dytë nga kodrat e Tepes, Bardhajt, bregu i lumit të Kirit, Golem, Dobrac etj.
Por kryesori mbetej mali i Taraboshit, sepse kush e zotëronte atë, kishte në dorë Shkodrën. Pa marrë përsipër të analizoj Luftën për Mbrojtjen e Shkodrës, dot përshkruaj shkurtimisht angazhimin dhe luftën e banorëve të Anës së Malit në këtë luftë.
Në vjeshtën e vitit 1912, anamalasit me në krye patriotin Abaz Doda, kanë organizuar Kuvendin e Besëlidhjes së Goricës, ku është kërkuar që çdo shtëpi të vinte në dispozicion të Luftës nga një burrë me hutë (pushka e kohës) për mbrojtjen e Shkodrës. Me dhjetëra e dhjetëra anamalas kanë rrëmbyer hutat e janë kanë zënë vend nëpër istikame (llogore) që nga Shtufi (Lina e Madhe), Boboti, Mavriqi dhe Vizi në Oblikë, Maja e Taraboshit (Fesar Tepja) etj.
Është e vërtetë se për shumë arsye që dihen e që lidhen në radhë me prapambetjen tonë në atë periudhë, me analfabetizmin, mungesën e shtypit etj. nuk kemi trashëguar shumë dokumente. Por duke qenë i interesuar për këtë luftë dhe dëshmoret e saj, që në fillim të viteve 70-të, kam grumbulluar shumë të dhëna nga dëshmitarë që e kanë jetuar atë kohë. Ata më kanë treguar se, që në sulmin e parë, të ndërmarrë në malin e Taraboshit, vetëm për të mbajtur e mbrojtur flamurin në gurin e Bobotit, që ai të mos binte në dorë të armiqve, kanë rënë heroikisht shtatë vetë, nga të cilët katër anamalas. Betimi i bërë një herë “Shkja, do të hysh në Shkodër, kur këmbët tuaja do të shkelin mbi shpinat tona” ishte bërë i shejtë për secilin luftëtar.
Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, në luftimet trup me trup në Gurin e Bobotit, kanë marrë pjesë 85 burra nga Ana e Malit. Shumë bukur e ka përshkruar poeti popullor këtë betejë, kur këndonte: “Këta dëshmorët e Anës së malit/ Shumë selam po i çojnë Krajlit/ Mund ta gëzosh Anën e Malit/ Kur të ndiesh erën e zharit” ose; “Anamalsit bashkë janë ba/ E t’tanë flasin me nji za/ Ma kadalë mor lëngata e lëngatës/ Nuk ma shkelë mallin e babës/ Ma kadalë he thi i zi/ Nuk t’la rrugë në Shkodër me hi”.
Siç e përmenda më lart shumë të huaj kanë shkruar për rrethimin e Shkodrës e luftën për mbrojtjen e saj. Në mënyrë të veçantë tërheq vëmendjen libri i shkrimtarit anglez Xhojs Kerri “Kujtimi i Bobotit” (fshat i Anës së Malit), si përfaqësues në shtabin e malazezëve gjatë gjashtë muajve të rrethimit të Shkodrës, ai ka qenë në zonën e Anës së Malit (Zogaj, Vidhgar, Bobot, Vallas, Dramosh, Murriqan , Oblikë) dhe, pavarësisht se ishte në anën e Malit të Zi, ka shkruar mjaft realisht dhe me simpati për krahinën tonë. Shkrimi i tij përputhet në shumë gjera me realitetin e Anës së Malit, me bukuritë natyrore, me “pastërtinë e xhamive ku mjekoheshin të plagosurit dhe të sëmurët malazez”, kur i përshkruan shqiptarët (si dhe malazezët) si shumë trima, të pamposhtur as nga të ftohtit, as nga plumbat…..Ai i përshkruan me hollësi përmasat e luftës deri ndeshjet trup me trup midis malazezëve e shqiptarëve, e humbjet e mëdha të malazezëve në krahinën tonë.
Madje do të thosha se ndoshta ai, duke qenë dëshmitar dhe aktiv në ndihmë të ushtrisë malazeze, ai mbetet më i sakti e i besueshëm në përshkrimin e luftimeve e kryesorja, për humbjet e malazezëve në këtë luftë. Vetëm në Krebej, për një ditë, ai shkruan se: “më 1 prill 1913, kemi vizituar 700 ushtarë të sëmurë, kemi mjekuar 500 ushtarë të plagosur dhe varrosur 170 ushtarë dhe një prift të vrarë…”. Jo më kot deri në ditët e sotme, në Anë të Malit përdoret toponimi “ te vorret e shkjeve”. Edhe sot po të shkosh në malin e Taraboshit mund të gjesh kafka e mbeturina kockore të mbetura që nga ajo kohë…
Nuk është e rastit që edhe sot e kësaj dite në Anë të Malit kemi trashëguar e ruajtur shumë toponime mbetur nga koha e luftimeve të asaj kohe lavdishme si “Kodra e Topit”, “Qafa e Topit”, “Maja e Bajrakut” etj.
Në atë luftë heroike, ku ata trima e mbrojtën Shkodran për mbi 6 muaj, u vranë dhe u plagosën shumë prej tyre. Pa folur për ata anamalas që vdiqën nga vuajtjet e nga uria, ku më e dhimbshme ka qenë vdekja e një familje tre fëmijëve të moshës nga 8, 10 e 12 vjeç.
Ana e Malit i dha atdheut shumë dëshmorë, por deri tani kemi identifikuar e gjetur të dhëna të sakta e të vërtetuara vetëm për 16 prej tyre dhe konkretisht për: Rexhep Islam Haxhija, Haxhi Ali Muja, Selim Fetahi, Reshit Ademi, Ramë Faslia, Islam Beqir Alija, Sadik Beqir Xhaka, Shaban Gjoni, Sadik Lika, Met Bajram Kopshti, Mem Muriqi, Elez Jakup Hoxha, Lan Resuli, Dan Jakupi, Muho Sykja, Beqir Gjeloshi, për të cilët Këshilli i Qarkut Shkodër, mbi bazën e dokumenteve të mbledhura e të paraqitura prej nesh, ka bërë propozimet përkatëse par shpalljen Dëshmor i Atdheut.
Por sipas të dhënave dhe dëshmive të të afërme si dhe të dëshmitarëve vendas, ka edhe të tjerë të vrarë në ato luftime, por që akoma nuk kemi gjetur të dhëna të plota për ta. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite ata janë lenë në harresë. Dhe asnjë qeveri deri më sot nuk është interesuar tu japë statusin e merituar Dëshmor i Atdheut. Në atë luftë kanë dhënë jetën edhe shumë të tjerë, të ardhur si vullnetarë nga rrethet e tjera por që janë harruar e askush nuk është kujtuar për ta, e në këtë kuadër mund të përmendë 7 luftëtarë nga Kavaja, që kanë dhënë jetën heroikisht në malin e Taraboshit, e që për ta nuk është shkruar e folur askund.
Megjithatë populli i ka përjetësuar në dhjetëra këngë e tregime, që jo radhë janë kthyer në legjenda trimërie.
Ne si krahinë e kemi përjetësuar amanetin e të gjithë atyre që luftuan në Anën e Malit për mbrojtjen e Shkodrës me një Shkëmb-Përmendore në qendër të Oblikës, titulluar “Memorial kushtuar qëndresës së Taraboshit”. Por mendoj se Presidenti, Qeveria dhe Bashkia e Shkodrës duhet të bëjnë më shumë, jo vetëm për anamalasit e vrarë në këtë luftë të lavdishme, por për të gjithë shqiptarët që dhanë jetën për mbrojtjen e Shkodrës, që fatkeqësisht edhe sot e kësaj nuk janë evidentuar e dokumentuar plotësisht dhe të zënë vendin që u takon në altarin e Atdheut. Të gjithë ata që dhanë jetën për mbrojtjen Atdheut duhet të gëzojnë të paktën statusin e Dëshmorit të Atdheut.
Ana e Malit, si krahinë kufitare historikisht ka vuajtur nga lakmitë e fqinjëve sllavë, duke qenë për çdo rast në ballë të pretendimeve e të sulmeve të tyre, por gjithmonë duke qëndruar fort në mbrojtje të trojeve tona.
Do të përmend një histori nga ato të krahinës tonë, por që gjatë viteve është kthyer në legjendë. Mbas Konferencës së Londrës, kur mbi bazën e vendimeve të saj u përgjysmua Shqipëria, Komisioni Ndërkombëtar erdhi të punonte në Anë të Malit për përcaktimin kufirit tonë me Malin e Zi. Mbasi Fuqitë e Mëdha i kishin hequr Shqipërisë Tivarin e Ulqinin me krahinat përreth, Komisioni Ndërkombëtar e ndau Anën e Malit një me tre, duke i dhënë padrejtësisht dhe jashtë çdo morali njerëzor e ligjor, mbi dy të treta e krahinës tonë, Malit të Zi.
Komisioni Ndërkombëtar kishte planifikuar ndarjen e kufirit përgjatë vijës Golishtë-Gurë-Bobot-Ura e Sagjicës që i hiqte Shqipërisë edhe dy fshatra të tjerë. Në saj të urtësisë dhe diplomacisë së një burri të urtë nga Ana e Malit, Tahir Nasës, ishte arritur që vija e kufirit të shtyhej më larg, deri në Muriqan e Vidhgar. Në përfundim të punës së tij, Komisioni Ndërkombëtar, nuk dihet për ç’arsye, e ndau fshatin Vidhgar përgjysmë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe vuri gurin e përkohshëm të kufirit (në atë kohë për ndarjen provizore të kufirit, vihej një gur i madh), çka sillte shumë probleme e pakënaqësi, sepse rrallë ka ndodhë që gjatë përcaktimit të kufijve një fshat të ndahet përgjysmë.
Për të “korrigjuar”punën e Komisionit Ndërkombëtar, atë natë, anamalasi Murat Osja, burrë i njohur për urtësi e trimëri, çohet në mesnatë dhe merr gurin e kufirit mbi shpinë, ecën sa mundet për gjithë natën dhe e çoi sa më larg, deri sa e lënë forcat dhe e lëshoi mbi tokë…aty ku është kufiri sot, duke e shpëtuar Vidhgarin pa e ndarë përgjysmë.
*Kryetar i Shoqatës “Ana e Malit”
/Marrë nga gazetadita.al/