Shkruan Argëzon SULEJMANI
Thonë se historia që harrohet, përsëritet. Si duket, ne arritëm të bëhemi studiues me grada, por mbetëm nxënës të këqinj e harrues të mirë. Për këtë, me gjasë, nga gjenerata në gjeneratë po na jepen leksione të njëjta, biles të përshtatura e slow motion, për të cilat po paguajme gjithnjë e më shtrenjtë. Se, cili do të jete viti D, nga ku brezat do te thirren në kujtesë, do të mësojnë të mendojnë dhe do të shkëmbejnë pervoja, kjo mbetet e hapur. Deri atëherë, do vazhdojmë të luajmë aktorin dhe shikuesin tekanjoz, me dhe ndaj jetëve tona.
Kur bota thuhet të kalërojë nëpër krizat e saj, me dhe pa njeriun, neve si njësi a subnjësi e saj, përditë na bien morte dhe atëherë kujtohemi për njëri-tjetrin. Rrjetet virtuale na mundësojnë të gjendemi sa në Tiranë e Prishtinë, aq në Shkup, Luginë e Ulqin. Jo vetëm kaq, kohë pas kohe si për kortezi vemi edhe në Stamboll, Pariz e Washington. Paçkase, kemi kohë pa bërë vizita tek më të afërmit, u bë kohë që e kemi lënë anash ritualin e pamjeve dhe as nuk mbahet mend kur së fundmi jemi solidarizuar me ndonjë të braktisur.
I jemi dhënë tërësisht virtualitetit dhe sikur po zhvillojmë një ndjenjë të re – dridhjen, vibraton softverike.
Dominohemi prej gjesteve, në vend të veprave, kur në televizion, gazeta e internet përditë buçasin lajme me kryefjalë krizën globale e luftat; do të ftohta, do të nxehta, sa andej, sa këndej.
Edhe në rrafshin tonë mbarëkombëtarë qëndrojmë njëjtë. Jemi më të lidhur se kurrë virtualisht, po zhvillojmë më shumë se asnjëherë më parë vibraton softverike patriotike dhe parashikojmë të shkundim e përvetësojmë këto “meselet programike” siç në ’97-n arkat e armatimeve. Në një linjë me ne janë edhe prijësit e shteteve tona mëmëdhetare. Dhe ata bëjnë veç këso gjërash, bëjnë veç gjeste. Nuk bëjnë asnjë punë. Ec e merre vesh. Njëri, me të ardhur në pushtet, heq fotografinë e presidentit dhe vë fotografinë e shpallësit të pavarësisë së më pak se gjysmës së tokave shqiptare, të cilin e dekoron me “flutura artistike”; tjerët veshin e zhveshin do fotografi në hollin e kuvendit shtetërorë si të jenë të thirrur të luajnë “hapa dollapa”. Të parëve iu zhvasin copa deti, tek bëjnë pushimet në Ibiza; të dytëve iu përvetësojnë malet tek ushtrojnë bjeshkatarinë. Njëra dhe tjetra palë duan të rishkruajnë historinë dhe kësaj ‘virane’ të ia imponojnë me çdo kusht emrat e vet si gjetje e shpëtimtarë kombi.
Gjestet e tyre s’kanë të sosur: krerët e vendeve tona organizojnë tryeza të përbashkëta e mbarëkombëtare, ku në fund ajo që nuk do të harrohej do të jetë një faturë e majme dreke; më të vegjëlit se këta mbledhin kryekomunarët e etnisë së përjashtuar, të zgjedhur nga një pakicë optimale e atyre pakicave në shkrirje, ku si kujtim do të mbetet një buzagazje në fotografitë akull të pastërta(për të ftohta, s’do mend).
Pakicat etnike shqiptare nëpër vendet e ish SFRJ-së ndodhen në udhëkryq. Në radhë të parë do duhej të hapnin një kapitull të ri të mendësisë dhe figurave politike, të cilat do duhej përgjithmonë të çliroheshin nga hijet e klikave intriguese të shteteve të rinj, porse në radhën e mëpastajme do duhej të rishihnin raportin ndaj politikës zyrtare të dy vendeve të a.q. amë.
Nga zgjedhjet e fundit të republikave përkatëse, pakicat tona etnike kanë pësuar debakël. Nëse, Tirana dhe Prishtina zyrtare, deri më tani kanë bërë symjegulltin, kur mendje të izoluara kanë raportuar për gjendjen e vështirë të bashkëkombasve të tyre në këto vende, tanimë faktet që perplasen në fytyrat e secilit prej nesh, nuk mund të arsyetohen më me asnjë gjetje. Shqiptarët në Serbi, pastaj në Mal të Zi e se fundmi dhe në Maqedoni(FYROM), kanë humbur, së paku numerikisht, gjysmën e përfaqësisë në dhomat më të larta të shteteve respektive. Ky është një realitet i ri në rajon, një fenomen, që siç çdo tjetër, kërkon vepra e jo gjeste. Angazhim ose asgjë. Statuset e zyrtarëve të lartë të dy kryqendrave që cektësisht shpallin “tradhëtarë” pjesëtaret pakica të etnisë shqiptare të këtyre vendeve, janë qyqare dhe injorante saç është vet gjendja jonë e përgjithshme.
Zgjidhjet konstruktive nga zyrat e dy kryqendrave tona i përngjajnë më tepër idesë me babadimër. Ato, për vite të tëra kanë luajtur rolin e qendrave aristokrate, ku kanë përzgjedhur ajkën prej pakicave etnike të përjashtuara, siç së fundmi bënë edhe me kombëtaren e futbollit, por asnjëherë nuk kanë provuar të bëjnë mbrojtësin e garantuesin e të drejtave të pamohueshme të shqiptarëve të përjashtuar, në tokën e çkepur të të parëve.
Kthjellja, rilindja – siç po kemi qejf ta quajmë, ose zgjidhja, kotësisht të pritet nga liderë që veçse s’kanë lidhur kurorë me prijësit e shteteve post SFRJ. Prej atyre që këtyre vendeve ua besojnë shëndetin e vikendin familjarë, prej atyre që thirren si ndjekës të hapit të tyre prosperues, paçkase njëri ia zhvatë do bjeshkë, tjetri ia betonon do mure ndarëse, një i tretë e lufton në distancë a një i lënë anash nuk e zhvlerëson për një jetë ligjin e luftës, vështirë dhe e pamundur të pritet rrugëdalja.
E kuptuam që, shqiptarët me 1001 halle arritën të krijojnë dy shtete të rinj në historinë e re të Ballkanit, por për ta plotësuar këtë konkluzë do duhej shtuar që edhe përtej këtij realiteti të ri, më shumë se gjysma e territorit dhe korpusit të sovranit të kësaj etnie mbeti jashtë këtij ridefinimi. Pakicat etnike dhe mërgata bashkëkombase, mesiguri bëjnë në çdo përllogaritje saç bën gjithçka brenda këtyre dy shteteve, në mos më shumë. Veçse, e udhës do të ishte të sqarohej pa doreza, roli dhe vendi që zënë këto entitete në trungun tonë mbarëkombëtarë. Këto dekada, dhe jo vetëm, ata duket të jenë përdorur në mënyrën: mërgata si degë për vjelje, kurse pakicat si degë për kusurime. Ka ardhur koha, besoj, ta shohim dhe ta themi të vërtetën në sy. Qençe nuk jetohet më.
Çka mund të presim në periudhën e ardhshme? Nga të lartpërmendurit, veç ndonjë gjest të radhës. Asnjë punë. Kanë ngecur keq ne dublimin e rolit miniObama dhe po e mbushin kohën me flirte ndaj aparatit imazherik dhe fjalimeve koniciane e reaganiane, sikur të jenë prijës të vendeve të 1001 ëndrrave e jo të 1001 halleve.
Koha Javore, nr. 744, f. 10 dhe 11.