Në udhëkryq
Shkruan Gjekë Gjonaj
Vitet ikin, brezat kalojnë. E Mali i Zi nuk po zhvillohet ekonomikisht, që rinisë sonë t’i sigurojë punë e mirëqenie. Mbaj mënd tim at të ndjerë kur isha ende i ri , thoshte: “Ky vend për ne vështirë se bëhet, por të paktën të bëhet për fëmijët tanë ”. Sot jam unë në moshën e tij kur i thoshte këto fjalë dhe Mali i Zi s’është zhvilluar akoma. Tani ndodhem unë përballë të njëjtës situatë si im at para shumë vitesh dhe situata është po e njëjta, mos edhe më keq. Edhe unë tani mund t‘i them djalit tim të njëjtat fjalë si para shumë vitesh. Dëshira ime, sikur e çdo prindi, është që ta gëzoj dhe ta shoh të lulëzoj vendin tim. Dua që djali im dhe e gjthë rinia e sotme të jetojë në një vend të sigurt si gjithë Evropa dhe Bota. Dua që të jemi të barabartë mes të barabartëve në gjithë globin . Sepse, gjëja më e shenjtë për ne mbetet jeta. Mirëpo realiteti më demanton. Jo vetëm mua, por shumicën e popullatës ku jetojnë shqiptarët.
Për dallim nga gjenerata ime rinia e sotme shkollohet në numër shumë herë më të madh. Më vjen mirë kur takoj dhe shoqërohem çdo ditë e më shumë me intelektualë të rinj shqiptarë me kualifikime dhe profesione të ndryshme, duke filluar prej ekonomistëve, juristëve, mjekëve, politikologëve, inxhinierëve , infermierëve, profesorëve etj. Kënaqem me arritjet e tyre, nga njëra anë. Shqetësohem për ëndërrat e tyre të parealizuara, nga ana tjetër. Ajo që më mundon më së shumti kohën e fundit gjithësesi është migrimi i rinisë sonë, e cila që një kohë të gjatë ndodhet në udhëkryqet e saja. Ajo, sot ndodhet në gjendje amullie, konfuziteti, apatie dhe horizonteve të paqarta. Këtë gjendje të kësaj shtrese më të nevojshme të kombit tonë e ka shkatuar mbi të gjtha kriza ekonomike dhe papunësia.
Vetëm nga Ulqini brenda javës së kaluar lëshuan vatrat e tyre shumëshekullore dhe u shpërngulën në shtete të huaja tetë të rinj. Rrugën e tyre këtë vit dhe viteve të fundit , e kanë ndjekur edhe shumë të tjerë, madje edhe familjarë nga zona të tjera urbane dhe rurale të banuara me shqiptarë. Kur i pyeta disa nga ata për arsyet e kësaj shpërnguljeje të dhimbshme , të mos them tragjike, përgjigjja ishte se nuk shihnin ndonjë perspektivë të ndritshme në vendin e tyre. Ata thonë se po largohen përkohësisht jashtë shtetit për një jetë më të mirë nga vendi i tyre të zhgënjyer. Të demoralizuar dhe me shpresë të thyer. Ata nuk përjashtojnë as mundësinë edhe të shpërnguljes së përhershme, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike. Të thyer moralisht ata nuk shohin perspektivë as për vete e as për fëmijët e tyre. Andaj po ikin për një jetë më të mirë si në aspektin ekonomik e social ashtu edhe atë të punësimit, edukimit dhe arsimimit më të mirë. Domethënë migrimi , kjo plagë e rëndë, që në literaturën botërore quhet ( ngjarje kritike në jetë) , jo vetëm se tek ne ka ekzistuar që nga të qenit të kombit tonë, por për fat të keq është edhe fenomen i kohës bashkëkohëse. Më e keqja është se ky fenomen nuk po ndalet. Përkundrazi, duam apo s’duam ta pranojmë, po vazhdon me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Vendet e Evropës Juglindore ( Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina) janë ndër rajonet me më shumë emigrantë të dërguar në botë, numër ky sa një e katërta e popullsisë aktuale të këtyre vendeve që jetojnë jashtë vendeve të tyre“, thuhet në raportin e Bankës Botërore.
Largimet e të rinjve nga Mali i Zi , do të duhej të brengosnin më së shumti qeverinë dhe institucionet. Çfarë politikash duhet të hartohen nga kjo Qeveri për të mos lejuar ikjen e pjesës më vitale ( më të re) të popullsisë ? Këtij problemi të madh shoqëror, i cili rrezikon substancën kombëtare, duhet t‘i kushtojë më shumë vemendje. Ajo bashkë me institucionet tjera në radhë të parë duhet të ndryshojë politikat e deritashme të qeverisjes. Pastaj të hartojë një politikë të mirë, të saktë, efikase dhe afatgjate për krijimin e mundësive të reja për qytetarët dhe të rinjtë e vendit tonë. Qeveria e Malit të Zi duhet të marr obligim që të krijojë kushte dhe zhvillim ekonomik ku të rinjtë me asnjë çmim nuk do të iknin nga atdheu i tyre , por të qëndrojnë dhe të punojnë këtu.
.