Nga Ramiz LUSHAJ
1.
Të shtunën, në Shqipëri, ishin dy ndeshje: në futboll me Izraelin – fisin ma të madh të botës dhe në politikë me Vetveten – kombi ynë, i ndamun në gjashtë shtete ballkanike. Hupëm në të dyja: në stadiumin sportiv “Arena” të Elbasanit dhe në “Arenën politike” të Tiranës zyrtare. Donim të tregonim forcë të kultivuar, por nuk kishim fuqinë e duhun. Fituam duke humbur. Edhe në Politikë. Edhe në Sport. U treguam lojacak…!
Topin e bamë Glob e Globin si top. Na ndodh shpesh kjo. Edhe kohët e fundit. Duket kjo në qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë ndaj Presidentit Amerikan Donald Trump; ndaj Greqisë; në ecejaket drejt Beogradit; në krahaqafjet me Turqinë; në lozdrimet me Malin e Zi, etj. Me “top-politikën” në Beograd, në Shkodër, për të dyten herë në Elbasan…Me “politikën e topit” në Parlamentin shqiptar në dy anët e Lanës; në mes Pozitës e Opozitës; në mes PS dhe LSI, tashti dhe PDIU, etj.
Dje, vërtet luajtëm futboll politik e sportive në qendrën “kthizen” e Shqipërisë Londineze, në Shqipërinë e Mesdheut, po nuk jena “qendra” e Botës së sodit. Politika e mazhorancës ban sikur nuk e dinë këtë fakt historik, diplomatik, politik.
2.
Ajo çka ndodhi dje–në harkun e një dite, në hapat kilometrik diplomatik, politik e sportiv nga metropoli ynë -Tirana zyrtare e deri në Elbasan, mendoj se nuk ishte një “Hark Triumfi”.
Kjo, tue nistue tek e keqja ma e vogël: nuk ka asnji arsye që një Qeveri si kjo e jona në Tiranë, antare në NATO e në hapje negociatash për në BE, të “prodhojnë” gjithkund e gjithkahit kaq shumë politikë përtej mediatike e me “ditë policore”, kaq shumë presion psikologjik, kaq tepri stresi për popullin e vet, për kombin e vet, ndërkohë që e ka për detyrë diçka tjetër madhore: sigurimin e lumturisë popullore. Nuk luftohet “Terrori” i të Tjerëve (në kërcenim apo praktikë) ndaj Shtetit Tand, si në rastin Shqipëria, duke e “terrorizuar” Popullin Tand me propogandë refrendare mediatike, me forca të shumta e të shumëllojta policiore, me kontrolle, etj. në rrugë e lokale të Tiranës e të Ebasanit, tek tifozët e stadiumit “Arena”, tek shtetasit shqiptarë edhe pranë ekraneve të televizoneve, etj. Çështja shtrohet edhe kështu, kësisoj: A dinë të punojnë ndryshe në Sigurimin e Jetës e të Qetësisë Publike kjo Qeveri e Vendit Tim, kjo Qeveri e Kohës Sonë?!
E, në koft se flasim për të keqen ma të madhe, ajo dihet, aq ma tepër nga politikbërësit shqiptarë, nga figura politike drejtuese të shtetit shqiptar. Kjo ka të bajnë me faktin e njohur: shumkush e shpeshherë në masmedia e deri në organizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare e ka sulmue Shqipërinë si “një vend islamik”, e për ma keq, don ta cilësojnë dhe si një vend “vatër terrorizmi” me ushtarë vullnetarë të shkuar në ISIS, me direktiva e porosi për akte terroriste nga ISIS, etj.
Faktikisht, “Dita Policore” e të shtunës sportive; çvendosja e ndeshjes së futbollit nga stadiumi i Shkodrës në atë të Elbasanit; mbi 100 arrestime edhe tejet propogandistike në Shqipëri me akuzën për lidhje me ISIS, për plane kryerje të akteve terroriste të tyre; arrestimet në Kosovë për lidhje me ISIS e me të dyshuarit në Shqipëri; kontrolli kordonor vertikal e horizontal i tifozëve që shkonin rrugës e hynin në shkallët e stadiumit “Arena” të Elbasanit; qarkullimi i forcave policore të shumfishta të blinduara, etj. dhanë deri-diku një imazh ndërkombëtar sikur “Shqipëria qënka vatër e ISIS-it” apo “vatër e rrezikut islamik, të akteve terroriste”, etj. Pra, deri-diku, nëse donim të tregonim se jemi të fortë në luftën kundër terrorizmit, u tregue dhe e kundërta: jemi vend me rrezik terrorizmi për të tjerët. Kjo nuk i ban nder Shqipërisë euro-atlantike.
Çështja shtrohet kështu: nëse brenda një dite apo një dekade Shqipëria do të largohej nga besimi i vet islam e do të ktheheshin në besimin e vet të origjinës – në të krishterë apo dhe në protestanë, etj. kjo (ndoshta, mendoj) nuk do t’iu interesonte as NATO-s, as BE-së, as Këshillit të Europës, as OSBE, etj. Kjo për faktin e (pa)njohur se, veçmas në dekadat e fundit, e duan Shqipërinë një “vend islamik” (me shumicë popullsie të besimit islam), me një “islam modern” (si ky i derisotmi në Shqipëri), një unitet fetar model (siç e ka manifestue ndërkombëtarisht Shqipëria), etj.
Kjo i duhet edhe vet Shqipërisë për shumçka fetare-diplomatike-politike në udhëtimin e vet historik dhe euro-atlantik. Shqipëria duhet të ruajë këtë masë e këto parametra dhe të mos i tejkalojë ato e për ma tepër e ma keq të luajnë politikisht me to si kësaj të shtune sportive të planifikuar në Shkodër e të luejtun në Elbasan, me përforcime e sforcime policore, etj.
E treta, e kësaj historie të së shtunës sportive me kombëtaren e Izraelit, ka të bajnë me faktin se “rreziku i sulmit terrorist” (ISIS) dhe “mbrojtja prej rrezikut të sulmit islamik” (ISIS), institucionalizimi propogandistik i saj dhe organizimi i “Ditës Policore”, etj. u kryen në një “kohë të artë politike” kur Shqipëria po ecën drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian në Bruksel dhe kur kryeministri shqiptar Edi Rama hapi një ekspozitë vetjake pikture në Manhatan të Nju Jorkut në SHBA. Kjo u krye kësisoj, mbarë e mbrapsht, edhe për këto dy arsyena, për me i tregue Brukselit e Amerikës, dhe lobit të fuqishëm hebre në Izrael, Amerikë e Europë, se Shqipëria dinë të mbrohet nga terrorizmi ndërkombëtar (ISIS, etj), por nga ana tjetër, u dëshmue dhe kjo tjetra: Shqipëria rrezikohet me u kthye në një “vatër të importimit apo eksportimit të terrorizmit ndërkombëtar” (ISIS, etj).
3.
E kam shkrue dhe herë tjetër, në fund të shekullit të kaluar, se në vitet 1998-’99 kur ishte koha e eksodit masiv të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe koha e Luftës së Kosovës disa masmedia edhe me emër e famë ndërkombëtare i nisnin kronikat e tyne televizive me pamje nga xhamitë. Donin ta paraqitnin Kosovën pro-perëndimore si një vend islamik, me prirje e kahje islamike, me fytyrë e hap lindor euro-aziatik, etj. Po, bash aty, në kryeqëndren e Kosovës, në Prishtinë, ishte dhe lideri epokal i Koosvës, dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte arkitekti i propogandës e veprimit pro-perëndimor euro-atlantik. Ai, në zyrën e tij, mbante dhe dy foto emblematike, krejt të veçanta, të Papa Gjon Palit të Dytë dhe të Nanë Terezës. Këto dy ndër figurat simbolike të Perëndimit e të Krishtërimit ishin dhe dy nga personalitetet ndërkombëtare me kontribute për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës.
E përmenda këtë fakt historik të liderit të shquar të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, për ta pasë si shembull e shembullim dhe figurat e larta politike të Shqipërisë për ta paraqitë fytyrën frymen, kahjen e imazhin perëndimor të Shqipërisë. Nuk mjaftojnë vetëm Politika e Tepruar dhe Policia e Sforcuar si në të shtunën sportive të ndeshjes me Izraelin dhe të mbrojtjes nga rreziku i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist nga ISIS, etj.
Natyrisht, duhen dhe marrja e masave mbrojtëse nga ISIS, nga terrorizmi islamik, etj. për cka edhe duhet faleminderue struktura e forca të Policisë së Shtetit, por jo me veprue me kaq propogandë të pa fre dhe me veprimtarim policor publik e mediatik pa kufi, etj. Të gjithë ata që kanë në tentativë apo krye akte terroriste, që janë antarë të organizatave terroriste, etj. duhen të denohen sipas ligjit shqiptar, por jo vetëm në evente të caktuara e me kaq politikë të madhe, presion psikologjik e stres popullor, etj.
Njëherash, duhet të merren masa ma të forta e të drejta për të mos lejue disa vende arabe, që t’i kushtëzojnë investimet e veta në shtetet shqiptare në Shqipëri e në Kosovë dhe në treva shqiptare në Ballkan me ngritje të xhamive gjithkund e në pandalshmëri, edhe kur ato mbeten objekte pa personel fetar apo me personel të pakualifikuar, që nuk janë as të lindur, as të shkolluar dhe as të sakrificës për kryerjen e kësaj detyre misionare për besimtarët e vet.
Klasa politike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në Kosovë e në Ballkan duhet të bajnë ma shumë e ma mirë me i dëshmue Europës dhe Botës se figura të shquara iliro-arbnore-shqiptare kanë dhanë kontribute kolosale për Njerëzimin, për Perëndimin, për Krishtërimin, për Kulturën Botërore, si Konstandini i Madh – që e shpalli fe zyrtare Krishtërimin; Justiniani i Madh – Kodi i të cilit është në themele të Jurispondencës së Europës së sotme; Shën Jeromini – përkthyesi i parë i Bibles në latinisht; Shën Niketë Dardani – i himnores së njoftun “Te Deum, laudeamus” – “Ty o Zot të lëvdojmë”; Papa Klementi XI – Albani, e dhjetra të tjerë, që ende nuk po i vlerësojmë sa e si duhet as në shek. XXI. Askund nuk gjen as ndonjë shtatore apo buste të tyre as në Metropolin Shqiptar, në Tiranë, ndërkohë që grekët e sllavët harxhojnë miliona euro për t’i ba pjesë të kulturës e besimit të tyre fetar, për t’i pasë si figura emblematike të shteteve të tyre.