Futboll: Njomcakët e KF ”Akademia” nga Ulqini në mesin e 4 ekipeve më të mira në Mal të Zi (foto, video)

Më të vegjëlit e KF Akademia nga Ulqini, grupmosha e datëlindjes 2011 dhe 2012, gjatë javës që po lëmë pas kanë arritur sukses në kampionatin e Malit të Zi në futboll të mbajtur për 6 ditë me radhë në Podgoricë.

Siç tregon treneri i kësaj grupmoshe pranë KF Akademia, prof. Herodit Sinani, turneu është organizuar nën patronazhin e Federatës së futbollit të Malit Zi dhe përfshinte grupmoshën e fëmijëve më të vegjël.

Treneri Sinani shprehet i kënaqur me rezultatin e arritur duke marrë parasysh pjesmarrjen shumë të madhe të ekipeve nga i gjithë Mali i Zi dhe të jesh në katërshen e ekipeve më të mira në Mal të Zi për këtë grupmoshë është sukses i mirë. Treneri Sinani tregon se pas tri ndeshjeve të përfunduara me sukses nga ekipi i tij, njomcakët e KF Akademia u ndalen në gjysëmfinale.

Klubi Akademia i udhëhequr nga i ishfutbollisti i mirënjohur Safet Kaleziqi stervitjet me fëmijë për të gjitha moshat i realizon në kompleksin Safari në Plazhin e madh ku në dispozicion të fëmijëve janë 2 fusha të mëdha futbolli dhe objekti me të gjitha elementet përcjellëse. Është ndër të vetmet klube ku fëmijët ushtrojnë plot 5 herë në javë dhe e ka të organizuar edhe transportin.