
Pesë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në territorin e Komunës së Ulqinit, ndërsa situata më shqetësuese paraqitet në zonën e Kleznës së Poshtme, ku ekipet e zjarrfikësve po luftojnë me flakët në kushte të vështira për shkak të erës së fortë.
Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Ulqin, Abdullah Nimanbegu, ka deklaruar se në terren janë angazhuar ekipe nga Ulqini, por edhe nga qytete të tjera, me synimin për të vënë nën kontroll zjarret që po rrezikojnë zona të ndryshme.
Sipas tij, era po e vështirëson ndjeshëm operacionin e shuarjes së zjarreve, duke favorizuar përhapjen e flakëve dhe duke krijuar sfida shtesë për ekipet në terren.
“Situata më kritike është në Kleznën e Poshtme”, tha Nimanbegu, duke bërë të ditur se një ekip zjarrfikësish nga Tivari pritet t’u bashkohet forcave që tashmë janë angazhuar në atë zonë.
Shërbimet e emergjencës mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht.
