Nga 19 deri më 22 gusht edicioni i parë i Festivalit „DULCINEA 2026“

Tetë shfaqje nga tetë vende, aktorë të njohur dhe poetika të ndryshme teatrore do të shënojnë edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „DULCINEA 2026“, i cili nga 19 deri më 22 gusht do të mbahet në ambientin unik të Qytetit të Vjetër të Ulqinit.

Gjatë katër ditëve të festivalit, në skenën para Muzeut në Qytetin e Vjetër të Ulqinit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë artistë nga Kolumbia, Kosova, Mali i Zi, Armenia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kroacia.

Festivali do ta shndërrojë Ulqinin në një vend takimi të kulturave, gjuhëve dhe traditave të ndryshme teatrore, të bashkuara rreth një prej formave më të kërkuara të artit skenik – monodramës.

Përzgjedhjen zyrtare e përbëjnë shfaqjet:

„Por Una Banana“ të Mayil Georgi Nieto (Kolumbi), „Arka-The Chest“ të Mentor Zymberajt (Kosovë), „Ženomrzačke Priče“ të Angjella Marunoviq (Mali i Zi), „Aznavour About Aznavour“ të Aram Hovhannisyan (Armeni), „Esperando Al Che“ të Vjera Mujoviq (Serbi/Mali i Zi), „Prvo Lice Jednine“ të Vladanka Krstevski (Maqedonia e Veriut), „Zlatna Lopata-Lopata e Artë“ të Leonardo Hamitaj (Shqipëri) dhe „Marlene Dietrich“ të Ksenija Prohaska (Kroaci).

Publikun e presin histori intime dhe të fuqishme mbi dashurinë, identitetin, kujtesën, migracionin, pabarazitë shoqërore, dinjitetin njerëzor, kalueshmërinë dhe lirinë. Përmes aktrimit, muzikës dhe poezisë, tetë artistë do të sjellin forma të ndryshme të shprehjes skenike dhe do të dëshmojnë përse monodrama përfaqëson një nga format më të drejtpërdrejta të takimit mes aktorit dhe publikut.

Festivali është themeluar me dëshirën për të afirmuar artin e aktrimit, për të kontribuar në shkëmbimin ndërkombëtar kulturor dhe për ta pozicionuar Ulqinin si një vend takimi të krijuesve të rëndësishëm të teatrit. Përveç shfaqjeve, Festivali do të krijojë hapësirë për kontakte profesionale, miqësi të reja dhe bashkëpunime të ardhshme ndërmjet artistëve nga vende të ndryshme.

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës „DULCINEA 2026“ organizohet nga Komuna e Ulqinit, Sekretariati për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Forumit Ndërkombëtar të Monodramës/Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (ITI, UNESCO).

Producent ekzekutiv i Festivalit është OJQ-ja „Montenegrin Universal Theatre“ nga Podgorica, ndërsa drejtor artistik dhe selektor i edicionit të këtij viti është aktori i njohur malazez Slobodan Marunoviq.

Konferenca për media me rastin e prezantimit të edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „DULCINEA 2026“ do të mbahet më 18 gusht në ora 13:00 në Sallë prane Sallës së madhe të Kuvendit në Komunën e Ulqinit.

Festivali do të hapet më 19 gusht me monodramën „Por una Banana“, në interpretimin e aktores dhe autores së jashtëzakonshme kolumbiane Mayli Georgi Nieto.

Edicioni i parë i Festivalit do të përmbyllet më 22 gusht me monodramën „Marlene Dietrich“ të Ksenija Prohaskës, aktores kroate me një karrierë të spikatur ndërkombëtare dhe në Hollywood.

Organizatorët ftojnë publikun, krijuesit kulturorë dhe përfaqësuesit e mediave të jenë pjesë e edicionit të parë të Festivalit dhe, së bashku me artistët, të hapin një kapitull të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar teatror në Ulqin.

Redaksitë e interesuara luten të njoftojnë paraprakisht për pjesëmarrjen e tyre, si dhe për nevojat për raportim, intervista apo xhirime. Organizatorët janë në dispozicion për informacione shtesë, deklarata, intervista me pjesëmarrësit, si dhe për dërgimin e fotografive dhe materialeve të tjera mediatike.

/Kabineti i kryetarit të Komunës së Ulqini/

By admini

Leave a Reply