Qosaj, Vuthaj, Gusht 2026

Prej dy vitesh shtëpia në fshatin Qosaj të Vuthajve qëndroi e mbyllur. Dhoma e gjumit dhe e punës së gjyshit Rexhep fjeti në një heshtje të shenjtë. Asnjë shputë njeriu nuk e ka prishur këtë qetësi. Mirëpo, natyra, ajo e paepura, njeh rrugët e saj.

Dritarja e vjetër prej druri, të cilën dikur ai e hapte për t’i kërkuar me sy lartësitë e Bradës që i bën hije shtëpisë, në një moment misterioz, sikur u lodh duke qëndruar e mbyllur dhe ia hapi krahët erës, vetvetiu – si një ftesë për botën e gjallë. Në qoshe të kornizës së saj, bletët punëtore, të urta, ngritën një shtëpi të vogël me dyll e mjaltë, një zgjua që varet atje si një kurorë e gjallë mbi hyrjen e një tempulli. Sikur jeta, në një trajtë tjetër, të ketë vendosur të vazhdojë aty ku fjala kishte lënë gjurmën e saj.

Në të djathtë të saj, e ftohtë pa librat dhe makinën e shkrimit, qëndron tryeza e punës dhe karrigia mbi të cilën, dikur, përkulej silueta e tij. Dhe makina zhurmonte.

Në vend të rrahjeve të tastierës së makinës së shkrimit, këtë dhomë tani e mbush gumëzhima e butë e bletëve. Një dhuratë e çuditshme e kohës: natyra, e paduruar për të mbushur boshllëkun e njeriut, vendosi të ngrejë shtëpinë e saj pikërisht aty ku dikur një njeri ëndërrone ta ngriste popullin e vet në lartësitë e mendimit të tij.

/Marrë nga faqja zyrtare “Rexhep Qosja”, e mirëmbajtur nga nipi i tij/

By admini

Leave a Reply