
Ish-punonjësi i Komunës së Ulqinit, Sabri Halili, në një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Komunës dhe disa sekretariateve komunale, ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si i është kthyer përgjigjja nga administrata lokale.
Sipas Halilit, megjithëse kërkesat dhe shkresat e tij i kishte dorëzuar në gjuhën shqipe, nga Sekretariati për Vetëqeverisjen Lokale ka marrë përgjigje vetëm në gjuhën malazeze, shkruan Ulqini Online.
Ai vlerëson se një veprim i tillë përbën shkelje të të drejtave gjuhësore të garantuara me aktet juridike në fuqi.
“Unë shkresat i kam dërguar në gjuhën shqipe, kurse Sekretariati më ka kthyer përgjigje në gjuhën serbe. Pak është të thuash se kjo është shqetësuese. Jo, është alarmante, sepse këtu kemi shkelje të Statutit të Komunës së Ulqinit dhe të Kushtetutës së Malit të Zi, që garantojnë të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”, thuhet në letrën e Halilit.
Ai thekson se në një komunë ku gjuha shqipe është në përdorim zyrtar, institucionet lokale kanë obligim që komunikimin me qytetarët ta zhvillojnë në gjuhën në të cilën është dorëzuar kërkesa, respektivisht në gjuhën që qytetari përdor në komunikimin zyrtar me administratën.
Halili e cilëson këtë rast si shqetësues jo vetëm për të personalisht, por edhe për respektimin e të drejtave gjuhësore të komunitetit shqiptar në Ulqin, duke kërkuar që institucionet komunale të tregojnë më shumë përgjegjësi në zbatimin e dispozitave ligjore dhe statutare që rregullojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
