Deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, ka reaguar lidhur me Propozim-ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe çështjen e të Mirave Detare, duke theksuar se rruga evropiane e Malit të Zi duhet të ndërtohet mbi parimet e kushtetutshmërisë, dialogut dhe respektimit të vetëqeverisjes lokale. Në deklaratën e tij për media, ai flet për 45 amandamentet e dorëzuara në Kuvend, qëndrimin e komunave bregdetare dhe prioritetet që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të Ulqinit.

Deklarata e plotë:

Ulqin, 01.08.2026

Deklaratë për media

Të premten, më 31 korrik, në emër të Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, përkatësisht të të gjitha komunave në Mal të Zi, dorëzova 45 amandamente në Propozim-ligjin për vetëqeverisjen lokale. Përmes amandamenteve, në radhë të pare, synohet të sigurohet harmonizimi i Propozim-ligjit me Kushtetutën e Malit të Zi, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe rekomandimet nga raporti i Këshillit të Evropës. Amandamentet nuk i kam tërhequr nga procedura e kuvendit, sepse rruga evropiane e Malit të Zi nuk mund të ndiqet përmes dispozitave antikushtetuese të Propozim-ligjit për vetëqeverisjen lokale, e as përmes mekanizmave që dobësojnë vetëqeverisjet lokale, në vend që t’i fuqizojnë ato. Ajo nuk mund të ndiqet as përmes zhvlerësimit të rëndësisë dhe degradimit të statusit të qyteteve historike të Malit të Zi, sa do që ky status të tentohet të paraqitet si çështje simbolike apo terminologjike.

Vërejtja e hapur e njerëzve më eminentë të diasporës sonë Qeverisë dhe deputetëve lidhur me problemet  e këtij ligji më ka dhënë një vërtetim shtesë që amandamentet që kemi dërguar janë të mirështruar dhe për qëllime të mira.

Rrugëtimit drejtë Unionit evropian nuk i kontribuon as shtyrja e shqyrtimit të Propozimit për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për të mirat detare, i cili u përgatit bashkë nga të gjitha komunat bregdetare dhe iu dërgua Kuvendit të Malit të Zi.                                                           

Të mos kesh vesh për kërkesën unanime të komunave bregdetare do të thotë të mos kesh vesh për parimet evropiane dhe mënyrën evropiane të zgjidhjes së çështjeve. Kjo njëkohësisht tregon edhe mungesën e vullnetit për të mënjanuar padrejtësitë shumëvjeçare ndaj komunave bregdetare, në mes të cilave veçohet Ulqini — komuna në territorin e së cilës gjendet 57 për qind e zonës së përgjithshme e të mirave detare të Malit të Zi. Paralajmërimi i ministrisë përkatëse që, pa një dialog esencial me komunat bregdetare, t’i qaset hartimit të edhe një propozim-ligji tjetër për të Mirat detare përfaqëson shpenzim joracional të parasë së qytetarëve dhe të kohës së çmuar të institucioneve.                      

Politika evropiane në Malin e Zi duhet të jetë politikë e vetërespektimit, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë — e jo politikë e mazhorizimit, vetëdashjes, hakmarrjes, përjashtimit dhe nënçmimit të të tjerëve.                                                                                                                                                                     

Aleanca Shqiptare beson thellësisht në politikën e vlerave evropiane dhe vepron në mënyrë të qëndrueshme në përputhje me parimet e saj. Kontributi ynë në mbylljen e kapitullit 23, përmes miratimit të ndryshimeve të nevojshme të Ligjit për mbrojtjen e barazisë dhe ndalimin e diskriminimit, si dhe kapitullit 27, përmes miratimit të Statutit dhe Planit të menaxhimit të Kripores së Ulqinit, është real, konkret dhe i pamohueshëm. Në këto fusha mbetet ende shumë hapësirë për kontribut konkret dhe punë partneriteti: ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Ulqinit, funksionalizimi i ndërmarrjes së sapothemeluar që do të menaxhojë Kriporen, zgjidhja e statusit të punëtorëve të ish-Kripores dhe çështje të tjera me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të Ulqinit dhe avancimin e Malit të Zi në rrugën evropiane.                                                                                                       

Në të gjitha këto procese do të jemi, ashtu si deri më tani, partner përgjegjës, të qëndrueshëm, energjik dhe të sinqertë.

Me respekt,

 Dr. Ilir Çapuni

Deputet i Aleancës Shqiptare

By admini

Leave a Reply