Foto: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Ulqin.

Gjatë vizitës së tij në Ulqin, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim konsultativ me kryetarët e partive politike shqiptare në Mal të Zi.

Takimi u mbajt në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin, ku u diskutua për sfidat aktuale dhe perspektivat e së ardhmes së shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe për forcimin e mëtejshëm të rolit të Ulqinit në bashkëpunimin me Shqipërinë, shkruan Ulqini Online.

Sipas njoftimit të Konsullatës, një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe perspektivës europiane të rajonit.

Presidenti Begaj shprehu gatishmërinë për komunikim të vazhdueshëm dhe konkret me subjektet politike shqiptare në Mal të Zi, me qëllim rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes ndaj komunitetit shqiptar.

Takimi u vlerësua si frytdhënës dhe shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e mendimeve mbi çështjet me interes për shqiptarët në Mal të Zi dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve shqiptare dhe faktorëve politikë shqiptarë në vend.

By admini

Leave a Reply