Sivjet, për të trembëdhjetin vit rradhazi, “Shoqata Ora” bën nikoqirin të, edhe një kremte pranverore në viset e Anës së Malit, tej Muriqanit. Organizimi tre ditorë i përvjetshëm është konceptuar ashtu që të zgjoi interesim tek të gjitha moshat, tek të gjithë profilet e veprimtarive ditore, tek bashkëvendasit, miqtë, turistët e rastit, etj. Kjo ide e pikënisjes, tek sotshëm prek realizimin, është një shkas më tepër për të rinjtë e energjishëm e sfidantë se bashkëveprimi dhe inkurajimi sinergjik kapërcejnë çdo pengesë.
ORA – për kaq vite, që nuk është që janë shumë as pak, ka arritur të zgjojë në rradhë të parë vetëdijen e bashkëvendasve për truallin ku çojnë jetë e mëpastaj edhe të vet bashkëkombasve të tyre se, e kaluara është e shenjtë dhe se duhet kërkuar degëzimet e rrënjëve të përbashkëta skaj më skaj. Në anën tjetër, mesazhi ka kaluar dhe tek vet vendi ku sot bashkëjetojnë e me këtë, anipse simbolikisht, kanë hapur një kapitull të ri për brezat e rinj e perspektiv që e duan të ardhmen e përbashkët mbi të kaluarën e vërtetë si gurëthemel.
Kjo, patjetër, tashmë i hapë udhën një filozofie të re të të menduarit e të gjykuarit. Toka më nuk mund të shihet pa nëntokën, siç qielli nuk mund të përhumbet nga retë kalimtëse. Tendenca për t’i parë livadhet, kodrat e arat e kësaj treve si panoramë lokale me tufa bagëtishë, kollomoq, barinj e rrëmihës nisë të vetvenitet. Nëntoka merr pjesën e vet meritore në faqet e kohëve të këtyre anëve. Interesimi për enigmatikën poshtë tokës rritet dita-ditës, siç zgjohet kureshtja për ta studiuar këtë lokalitet, për ta vizituar, për ta ruajtur e përmirësuar. Në logjikën e funksionimit të organizmit qenjësor, do thuhej: gjymtyrët kanë arritur të përçojnë sinjalin deri tek truri. Ndërkohë, nëpër majat ku në të djeshmen e përdhunuar lëshoheshin shputa barinjsh e thundra bagëtishë, nisën të dukeshin thinjoçë studiues, akademikë, njohës të kulturave, artistë e intelektualë. Shasi me të drejtën e vet të pamohueshme, falë mendjeve e duarve të të parëve tanë, nisë ridimenzionim. Trajtimi i vlerave të të kaluarës, nuk do mend që e faktorizon popullsinë vendase të këtij lokaliteti e jo vetëm. E sotmja kapitaliste dhe tranzicioni i zgjatur që sheh nga rrokaqiejtë e Tiranës e Prishtinës, normalisht që nuk është favorizues për “lavërtarinë e nëntokës”, e cila do duhej të ishte ndër prioritetet tona kombëtare. Fundja, zhbirimi i ndërfilleve identitare nuk ka dhe nuk duhet të marrë çmim. Vallë, aq shumë na kushton në buxhete e kohë njohja me të kaluarën e gdhendur në shkëmb, në – dhe – për të cilët shkëmbinj janë ndërruar jetë të tëra!? Ndoshta dhe pandoshta, që të na bëhet neve e qartë e nesërmja përmes të së kaluarës: fati ynë binjak me gurin.
Për kaq vite është punuar më shumë seç do të mund të cekej rendshëm. Nëse do të kërkohej një panoramë blic e të arriturave, ajo padyshim do të duhej të niste me Pllakën Përkujtimore në nder të paraardhësve tanë e të përmbyllej, nëkohësisht, me Amfiteatrin në Kalanë e Shasit.
Pllaka Përkujtimore, e zbuluar në vitin 2005, poshtë mbetjeve të qytetërimit të Shasit, në emër të Ilirëve si parardhës të argumentuar të, më pas kombësisë tonë në Gadishullin e Ballkanit, përbën ogurmirën në të gjithë aktivitetet e mëpastajme. Përkujtimorja në fjalë, me shumë gjasë unike në trevat autoktone të shqiptarëve në Mal të Zi për arsyen që mbanë vulën e bashkëvendasve, Bashkësive Lokale të Anës së Malit dhe guxon të gërryejë në mermer atë çka, anipse e vërtetë – heshtet si në pakt, tashmë krenare hapë çdo vit Festën Ilire në stinën e ripërtëritjes nën emërtimin “Pranvera në Anë të Malit”. Festë, e cila më pas do të begatohej me të përvjetshmin cikël “Ana e Malit ndër vite”.
Botimi “Shasi i lashtë – monument i kulturës”, ku janë të përfshira kumtesa nga Sesioni Shkencor me të njëjtin titull, është një tjetër projekt i vlerë që dritëzohet nga Shoqata Ora. Emra të shquar të akademisë e historisë sonë përfshihen në mes të kopertinave që është sall një qelizë nga organizmi kompleks i lokalitetit nën emërtimin Shas. Gërshetuar me konzervimin dhe prezantimin e eksponateve të gjetur poshtë gërmadhave të të njëjtit lokalitet projekti përmbyllë suksesshëm hapin e parë në drejtim të rrugës së saponisur kërkimore. Studime e punime të reja thuhet të jenë në proces. Figurativisht thënë, Shasi tashmë është madhështor në raport me ORA-n, është më i madh se vet përkufizimi Ulqin, Tivar, Shkodër, etj. Ora e kurdisur ka rënë dhe Shasi do duhej të shpallej projekt kombëtar. ORA është e vetëdijshme për këtë, shasnjanët dhe anamalasit kanë kuptuar që Shasi nuk është veç i tyre, siç do duhej të qartësohej tek të gjithë që ngjyrimet lokale, konfesionale e predikuese minojnë të vërtetën dhe njohjen me Shasin si emërues i përbashkët i përbashkimit tonë.
Me nismë të ORA-s, ndër të tjera u jetësua monodrama “Apologjia e Sokratit”, premierë në ambient të hapur, poshtë lashtëtitnisë së Shasit, ndër projektet më të arrira të dramaturgjisë shqiptare të këtyre viteve, ngjarje të cilën vet Artisti i Popullit, Mirush Kabashi e përfshinë ndër të veçantat e jetëshkrimit të tij. Për saktësi, në ambientet e përshtatura kudo nëpër Anë të Malit, me angazhimin e ORA-s janë prezantuar emra të dinjitetshëm të krijimtarisë sonë mbarëkombëtare, si: Reshat Arbana, Çun Lajçi, Ansambli Shota, Teatri i Gjilanit, etj.
Tjetër arritje origjinale, nën emrin e Shasit të lashtë e vullnetmirëve të prirë nga anëtarët e dashamirët e projektit ORA, është jetësimi i Amfiteatrit të Kalasë së Shasit, i cili është kurorë vizive, dhe jo vetëm, e angazhimit mbidecenial. Tashmë, është bërë traditë që manifestimi të nisë pikërisht mbi themelet mijëravjeçare e përballë Liqenit plot karizëm të (ish)qytetit ndoshta uvertyrë të Ulqinit, Tivarit e Shkodrës së mëpastajme. Dërrasat e kësaj skene modeste janë dridhur nga mendje e zëra të veçantë të kompleksitetit të kulturës mbarëkombëtare. Kjo e plotëson në plotëni projektin e promovimit të Shasit me të gjithë elementet e një atraktiviteti kulturoro-historik.
Puna nxjerrë punën. Pak a shumë kështu thuhet këtyre anëve. Këtë besoj ta kemi të qartë të gjithë. Thënë dhe më lart, Shasi do duhej shpallur projekt (ndër)kombëtar, gërmimet do duhej të marrin karakter serioz studimor dhe në lokalitetin e Shasit do ishte e udhës që në një të ardhme të afërt të viheshin bazat e para të një pike atraktive turistike me tipare shumëdimenzionale.
ORA vështirë e mat më kohën e vetme.