venedikuHistori/Dokumente origjinale nga Arkivi Shtetëror i Venedikut zbulojnë të kaluarën e emigrantëve shqiptarë në Venedik

Lovorka Coralic/ Zagreb

Gjatë shekujve të kaluar Venediku ishte i njohur si qytet që tërhiqte emigrantë, udhëtarë dhe vizitorë nga e mbarë bota e asaj kohe. Me zhvillimin dhe forcimin e fuqisë ekonomike të Republikës, në kohën kur hapësira e saj zinte thuajse të tërë bregdetin e Adriatikut lindor dhe një pjesë të konsideruar të ishujve grekë, Venediku u bë vend-strehim i pakicave të shumta kombëtare.

Imigrimin e banorëve me prejardhje nga vise të ndryshme venedikase në Adriatikun lindor dhe Greqi, si dhe ardhjen e tregtarëve ekonomikisht të fuqishëm dhe ndërmarrës, të fushave të ndryshme, zejtarëve të aftë si dhe mjeshtërve me nam nga pjesët e zhvilluara të Evropës, e ndihmoi edhe pushteti venedikas me masa rregullative (ligjore) dhe me stimulime. Veçanërisht një emigrim i madh u regjistrua pas rënies së Kostandinopojës gjatë depërtimit të Perandorisë osmane në rajonin e gjerë të Evropës juglindore, por edhe passhkretimit të popullatës indigjene (vendase) shkaktuar nga murtaja të shpeshta që bënin kërdi në popull. Emigrantë nga vende të llojllojshme, të ndryshëm për nga karakteristikat e përkatësisë nacionale, fetare dhe civilizuese, të huajt (emigrantët) shumë shpejt gjetën rrugë dhe iu përshtatën rrethit të hapur venedikas i cili u ofronte mundësi të panumërta për zgjidhjen e çështjeve themelore ekzistenciale. Karakteristikat e atdheut të tyre ata i ruajtën brez pas brezi, e tregues më elokuent i kësaj është vendosja e tyre në pjesë të caktuara të qytetit, themelimi i vëllazërive të tyre, mbledhjet (tubimet) në kisha të njëjta, si dhe shfaqja e tyre e përbashkët në tregun e biznesit venedikas.

Emigrantët të ardhur nga viset greke ishin një ndër bashkësitë më të vjetra dhe numerikisht më të mëdha në Venedik. Grekët përbënin edhe shoqërinë e përzgjedhur të të huajve të shquar të cilët si të dërguar bizantinë, prelatë kishtarë dhe krijues letrar fituan shtetësinë venedikase. Gjatë kohës së mbajtjes së koncilit kishtar për bashkim në Ferrara dhe Firence (1438 – 1439) Venedikun e vizitojnë përfaqësuesit më eminentë të jetës kishtare greke, gjersa pas rënies së Kostandinopojës (1453) një numër i madh intelektualësh dhe personalitetesh kishtarë të orientimit pro-perëndimor gjejnë strehim të përhershëm në qytet në laguna. Në fund të shek. XV në Venedik u regjistrua numri i rreth 4000 Grekëve, që më pas nga fundi i shekullit XVI ky komunitet të arrinte numrin e rreth 6000 anëtarëve. Këta kryesisht populluan zonën lindore të qytetit Castello. Në bazilikën e atjeshme dominikane Shën Gjoni dhe Pali morën në përdorim të përkohshëm për shërbimet e tyre fetare-liturgjike kapelën e Shën Orsola-s, por që në fund të viteve të tridhjeta të shekullit XVI të fillonin me ndërtimin e kishës së tyre të Shën Gjergjit. Në kuadër të kishës ndodhej edhe shoqata përkatësisht vëllazëria e tyre kombëtare (Scuola dei Greci, Scuola de San Zorzi dei Greci). Bashkësia kombëtare greke i dha edhe një kontribut të rëndësishëm toponomastikës venedikase kështu që sipas tyre janë emërtuar një numër i madh i zonave të vogla të qytetit në periferi të Castello-s (dei Greci: Calle, Campo, Fondamenta, Ponte, Rio, Ramo). Me komunitetin emigrant greklidhet edhe prejardhja e ndërtimeve të pallateve të mëdha Flangini dhe Flangini-Fini pranë Grykës (Kanalit) Grande (famullia e Shën Geremisë), të cilat i ndërtuan familjet refugjate të fisnikëve nga ishujt e Qipros.

Njëra ndër bashkësitë më të njohura, por edhe numerikisht më të fuqishme në Venedik, ishte bashkësia hebraike. Duke arritur nga vende të ndryshme (Gjermania, Portugalia, Spanja) dhe nga Lindja, këta fillimisht u vendosën dhe jetonin në ishullin Giudecca, kurse nga shekulli XIV zhvendosen në Mestre, Mogliano, Chirignago dhe Conegliano. Meqë u tregua i nevojshëm dhe i dobishëm qëndrimi i bankierëve të suksesshëm hebraikë si domosdoshmëri në biznesin e qytetit, Këshilli i madh në vitin 1516 mori vendim me të cilin atyre iu ndahet hapësirë në zonën e Cannaregio-s për banim të përhershëm. Ky vendim më vonë është i njohur në burime si Ghetto Vecchio si dhe (meshtrirjen në zona të tjera fqinje viteve 1541 dhe 1633) Ghetto nuovo dhe Ghetto nuovissimo. Getoja hebraike në Venedik për shekuj me radhë paraqiste një qytet brenda qytetit, me pengesa natyrore (kanale) dhe mbikëqyrjen shtetërore të ndarë (izoluar) nga qendrat e tjera urbane. Përbrenda i themeluar dhe banuar mirë (në shek. XVI me rreth 5000 banorë) getoja përmbante një numër të madh objektesh fetare (Sinagoghe apo Schole), të ndara sipas prejardhjës së Hebrenjve të imigruar (Schola Italiana, Schola Canton, Schola Tedesca, Schola Levantina, Schola Spagnola o Ponentina).

Specifikat në lidhje me strehimin dhe aktivitetet e Hebrenjve në Venedik janë të përfshira në historinë e komuniteteve gjermane, turke dhe persiane. Bashkësitë e cekura kombëtare kishin selitë e tyre në ndërtesat e veçanta (fondaci) të dhëna përkohësisht me qira nga autoritetet venedikase. Ndërtesat ishin të destinuara për vizitorë kalimtarë dhe njerëz të biznesit me qëndrim të përkohshëm në Venedik. Prania e bashkësive të tilla të huaja nuk ishte konstante, siç është rasti me grupin e imigrantëve grek, hebre, shqiptar apo kroat, porse ajo kushtëzohej kryesisht nga nevojat ekonomike. Hani kryesor i përkiste grupit gjerman (Fontego dei Tedeschi). U ndërtua kah fundi i shekullit XIII si strehë për tregtarë dhe udhëtarë gjermanë dhe si vend për ruajtjen e mallrave që importohej ose eksportohej nga Venediku. Kjo ndërtesë u dogj në zjarr në fillim të shekullit XVI, mirëpo shumë shpejt u rindërtua dhe zgjerua në të njëjtin vend, duke zënë një hapësirë të madhe pranë urës Rialto – vatrës së aktivitetit tregtar të sipërmarrësve gjermanë. Për nevojat e shërbesave fetare banorët gjermanë kishin në dispozicion një kapelë në kishën e afërt të Shën Bartolomeut. Dëshmi për bashkësinë gjermane në Venedik janë regjistruar në emërtimet e disa toponimeve (Calle dei Tedeschi në famullinë S. Samuele; Ramo dhe Campo dei Tedeschi në famullinë S. Giacomo dall’Orio).

Nga grupe të tjera kombëtare – prezente në kohëzgjatje më të shkurtër a më të gjatë në jetën e përditshme të Venedikut – identifikohen Armenët, të mërguar në Venedik pas pushtimit osman të atdheut të tyre në fillim të shekullit XVI. Edhe pse të shpërndarë në pjesë të ndryshme të qytetit, ata së shpejti u rritën numerikisht dhe me pasurinë dhe nivelin civilizues u bënë një komunitet kombëtar i denjë për një respekt të veçantë. Shumica e tyre jetonin në famullinë e S. Giuliano, ku kishin posedonin shtëpi, dyqane, një han si dhe një hapësirë për shërbesa fetare. Zona më e fortë tregtare armene në Venedik ndodhej në rrugën e cila nga Kisha e S. Maria Formosa shpie në thellësi të Castella-s, quhej – sipas qytetit armen Julfa – Ruga Giuffa (Gagiuffa). Një kontribut të padiskutueshëm kulturor Venedikut i kanë dhanë pa dyshim rregulltarët benediktinë me prejardhje armene të vendosur që nga viti 1717 në ishullin S. Lazzaro në qendër të lagunës (S. Lazzaro degli Armeni). Këtë ishull edhe tani e banojnë murgjit armenë, kurse në muzeun e atjeshëm lokal të kuvendit ruhet një ndër koleksionet më të pasura të miniaturave armene.
Banorët jo venedikas gjatë pranisë së tyre më intensive në Venedik përbënin mbi 15% të popullsisë së përgjithshme. Diversiteti i tyre etnik dhe fetar, llojllojshmëria e zakoneve qëi kishin sjellë nga vendet e tyre, si dhe niveli i lartë civilizues të shumicës së grupeve të imigrantëve, rrënjosën në Venedik përjetësisht një tipar multikulturaliteti dallues dhe mbi të gjitha kreativ.

(Fragment Nga Ulqini deri në Durrës – emigrantët shqiptarë në Venedik (shekulli XIV-XVIII)

Venediku-qytet i hapur
Ky material që do ta botojmë me cikle bazohet në zbërthimin e dokumenteve origjinale nga Arkivi Shtetëror në Venedik (dokumente testamentare, kadastra, regjistra të bashkisë për shoqata artizanale dhe tregtare, shkrime të Zyrës për Arsenalin e të tjera) dhe Arkivi i Vëllazërisë Shën Gjergji dhe Trifoninë Venedik (libra nga takime vjetore të vëllazërisë), si dhe në ekzaminimin e njohurive ekzistuese të historiografisë. Gjurmëve të burimeve edhe literaturës në punim analizohen në detaje komponentët themelorë nga e kaluara e emigrantëve shqiptarë në Venedik: korniza kohore e pranisë dhe veprimtarisë së tyre në Venedik, mënyra e regjistrimit në burime, prejardhja më nga afër e vendlindjes, vendet e banimeve, profesionet dhe mundësitë ekonomike, lidhjet familjare dhe miqësore dhe marrëdhëniet me institucionet kishtare venedikase dhe të klerit. Vëmendje e veçantë i është dhënë formave të komunikimit të emigrantëve shqiptarë me grupe të tjera emigrantësh. Në pjesë te fundit të punimit trajtohen disa forma të pranisë së padëshirueshme ose ligjërisht të palejueshme të Shqiptarëve në Venedik, kurse në fund paraqiten kontributet e disa familjeve dhe individëve shqiptarë dhënë kulturës dhe artit venedikas.

Përktheu Marjan Sebaj

Organizoi përkthimin Alber Ramaj

By admini