KALALESHA SI PERRI
Viti një mijë e shtatëqind e gjashtë
Kalaja ishtë thelbi Ulqinit
Shpijat për rreth me baltë dhe kashtë
bejlerët ngrënin me lugë floririt
E kam pas një stërgjysh zenjin
ka shërby në Oborr të Dauletit
kur ishte kthye në Ulqin
ka ndërtua shtëpi afër detit
Në Ranë fëminia si në përralla
jam rritur, u bëna njëzetë vjeçar
për martesë m‘ kishte ardhur rralla
dasmat kushtonin Napolona me ar
N‘ Kala u rrit vajza e efendi Asllanit
ishte bërë edhe ajo për fejesë
ka dal zëri se me vetulla t‘gajtanit
ja ka marrë djemve mend‘ e kresë
U dërgua shkusi* si ishte adeti
Kapidani i taklloj në derë
e kishin prit si‘ të ishte mreti
piu gotën e ujit e u dau me nerë
U shtri zani si flaka e pyllit
dyzenxhit erdhën me lodra
sase, qemale e zani i fyllit
kishte dal populli në kodra…
Kanë kaluar shumë javë e mu‘j
baballar‘t na kanë feju
për gjithë ditë në Kala pa t‘ru‘j
bukurinë tande du mi shiju
Në Kaceme fluturojnë pulëbardhat
kalldrëm me buqa deri te Porta
më duken si të ishin dardhat
ulen e njiten peshkaxhit me shporta
Rreth Kalasë e në breg të Ranës
sanallat, fllugat dhe korçat lundrojnë
në sabah, edhe me dritë të hanës
tujë pritë dasmën ditët kalojnë
Unë prej teje pres një shenj
me facëlet o me shami
tujë pi kafe me marinar
këtu në Ranë te një xhami
Dita ishtë zgjat par si vjeta
s‘mund të ndalem tujë shkru për ty
bij e çohem, bën se fjeta
ah, medet me të pa me sy
Përgjithë natë qielli me hanë
edhe deti myhle, bunacë
ti në Kala e unë në Ranë
pa më digjet shpirti gacë
Tan napolonat në tartane
nuk shkëlqejnë si sytë e tu
floçkat e detit prej bukurisë tane
dhe zilis, moj, janë hutu
Të shoh në gjumë me flok mëndafshit
t‘ i ëlmojn karajelat
prej mallit të madh më del gjumi
pa ja nis me këndu gjelat
Me fesa të kuq burrat, me xhybleta
gratë me denebrek e bohçe me rrjeta
rrugicave të Kalasë pa vlon jeta
por pa ty duken si të shkreta
Të martën, në xhuma, në Pazar t‘Kalasë
tujë shiku nepër qemere
në uzdajë se pa t‘ shoh e flasë
ku je fsheh mori hyzmere
Në çarshi shtrihet era e byrekut
n‘ Kala tavat me mish e përpeq
Ranacak‘t me fërgesë të levrekut
tanë pa më duken si me qenë meleq
Në Mole të vogël u kastru velania
ka erdh me i barku marinar‘t
flet Pazari se pa martohet Hajlia
me bereqet janë mbush hambar‘t
Haberi arriti në portë t‘Stambollit
se Ulqini ka një vajzë perri
prej hallit, bukuroshet e Anadollit
kanë hekë hilallyk‘t e janë vesh në zi
Ndriçon hana në qiell me yje
sikur feneri në maje të Kalasë
prinçipeshë moj kapanin ndryje
zemra për ty donë me m‘ plasë
Dita e dasmës po na afrohet
konaku jonë është bë si mëhallë
veç si andër kjo idil durohet
unë s‘jam për ty, ma bën hallall
Pra, unë ika në nji epokë tjetër
ka me ardhë nji princ n‘ kal të bardhë
veç desha mi përjetu Kalan e vjetër
nafakë paç n‘jetë, moj mollë e dardhë
Fryn murrani në grykë të Limanit
shihet një dritë në horizont t‘detit
është martu‘ vajza e efendi Asllanit
në Stamboll, për nipin e mretit
Edhe duzhdi i mbretërisë Raguza
ka pas digju për perri të Kalasë
për grabitje ashtë dridh buza
me kusar ja ka pritu shumë belasë
Edhe sot, pas treqind vitesh
tujë shëtit nëpër këta sokaqe
shtrihen erërat japrakësh e pitesh
me hije tënde bash më kënaqe…
Për gjithë ditë më lodhin mendimet
nuk e di se çka ashtë ma mirë
të vij në Kala e të thithi burimet
a me shpirt të zbrazët me qenë i lirë..