Bëma e fundit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi është pa dyshim më shenjëlënëse deri më tani dhe një akt denigrues për kulturën dhe dinjitetin intelektual.
Të shtunën me datë 19.12. 2015, në mbledhjen e KKSH-së duhej të zgjidheshin anëtarët e Këshillit programor të së përjavshmes “Koha javore”. Dua ta rikujtoj publikun se “Koha javore” në trembëdhjetë vite të ekzistimit së saj ka kaluar nëpër shumë peripeci duke rrezikuar edhe shuarjen. Kryeredaktori i saj gjatë gjithë këtyre viteve është përpjekur ta mbajë gjallë të vetmin mjet të shkruar informimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Në dhjetor të vitit 2014 Kuvendi i Malit te Zi vendosi që “Koha javore” të kalojë nën ingerencat e KKSH-së.
Në konkursin e shpallur nga KKSH për pesë anëtarë kanë aplikuar pesëmbëdhjetë kandidatë: Ali Daci, Albert Camaj, Behar Nikaj, Besim Hakramaj (kandidatura e të cilit nuk është marrë në konsideratë për shkak të mungesës së dokumentacionit), Bekim Çoboviq, Gjekë Gjonaj, Haxhi Shabani, Iliriana Resulbegoviq, Idris Gjokaj, Ismet Gjonbalaj, Muhamet Nika, Musa Gjoka, Nikollë Berishaj, Sabina Osmanoviq dhe Tahir Tahiri. Siç mund të shihet, shumica e emrave janë të njohur për publikun, qoftë si njerëz të pendës apo nga përvoja disavjeçare në media të ndryshme.
Në vendet perëndimore, përzgjedhjes së pjesëtarëve të Këshillave programore të mediave publike i kushtohet kujdes i veçantë ngaqë ata duhet të jenë dosmosdoshmërisht njerëz të pendës dhe të kulturës. Me pak fjalë, profesionistë, sepse një detyrë e tillë kërkon përgjegjësi dhe bagazh profesional.
KKSH me përzgjedhjen e tij ka demonstruar totalisht të kundërtën, duke filluar me vetë formulimin e shpalljes, ku thuhet se kandidatët nuk duhen të jenë të angazhuar në subjekte mediatike, një kërkesë absurde. Nëse personat të cilët mbajnë mbi supe me vite përvoje në fushën e gazetarisë nuk janë të përshtatshëm për një detyrë të tillë, kush na qenka atëherë?!
Në shpallje gjithashtu thuhet se nuk kanë të drejtë të konkurrojnë personat që kryejnë funksione politike (por për militantët e partisë mund të mbyllet njëri sy natyrisht).
Në bazë të çfarë kritereve përzgjidhet një këshill i tillë?
Me zgjedhjen që ka bërë KKSH duket se profesionalizmi nuk është kriter përcaktues, gjë që nuk të habit.
Pse?
Nëse i hedhim një sy listës së anëtarëve të KKSH-së do të shohim se shumica (përfshirë edhe kryetarin) është e përbërë nga militantët e subjektit politik Forca e Re Demokratike. Kjo e fundit jo vetëm që e ka monopolizuar KKSH-në, por vazhdon akoma me paturpësi duke e politizuar dhe “partiakizuar” edhe Këshillin programor të së vetmes gazetë shqipe në Mal të Zi. Një praktikë e tillë jo vetëm që është e ulët, por në kundërshtim me çdo parim etik e moral. Është e pafalshme që të neglizhohen personalitete me grada shkencore, personalitete me përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë e të letrave shqipe, e të zëvendësohen me persona që në jetën e tyre nuk kanë shkruar qoftë edhe një artikull të vetëm.
Pastaj, a është logjike që një anëtar i KKSH-së të konkurrojë njëkohësisht për anëtar të Këshillit programor sepse i bie që ai të votojë veten e tij?! Kësaj çështjeje KKSH nuk i ka kushtuar rëndësi dhe nuk e ka saktësuar në shpallje.
KKSH (apo Forca) kishte mundësinë unike për të treguar se janë vlerat, profesionalizmi dhe interesi kombëtar ai që duhet të vijë në rend të parë dhe përtej interesave të ngushta politike. Përkundrazi, ajo ka tërhequr gurin e gabuar, i cili do mbart me vete pasoja dhe si e tillë do të humbë besueshmërinë jo vetëm te shtresa intelektuale.
Me lëvizjen e fundit, ky subjekt politik ka treguar papjekuri politike, duke u munduar të monopolizojë çdo segment të arritshëm dhe ta instrumentalizojë në dobi të qëllimeve të veta. Një politikë e tillë destruktive është e predestinuar të dështojë.
Ky reagim nuk është drejtuar ndaj anëtarëve të zgjedhur (Albert Camaj, Bekim Çoboviq Gjekë Gjonaj, Ismet Gjonbalaj, Iliriana Resulbegoviq) me të cilët nuk kam asgjë personale. Unë denoncoj fenomenin e shëmtuar të politizimit të çdo qelize nga strukturat e caktuara politike.
Media publike duhet të jetë e lirë, larg dorës dhe trysnisë politike e nëse KKSH nuk e ka të qartë një gjë të tillë, atëherë le të lexojë Kushtetutën apo edhe raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi gjendjen e medias në Mal të Zi. Me një akt të tillë të neglizhimit të intelektualëve dhe politizimit, shqiptarët në Malin e Zi kanë treguar edhe një herë se kulturën tonë nuk e cenon një armik, shpesh imagjinar, por që ne vetë jemi armiqtë më të mëdhenj të vetvetes.