zyhni-beqirajNga Zyhni Beqiraj

Në Samitin dy ditor të NATO-s, të mbajtur në Bruksel në datat 1-2 Dhjetor 2015, 28 vendet anëtare, unanimisht vendosën të ftojnë Malin e Zi të jetë pjesë e Strukturave Euroatlantike. Ftesën e bëri të ditur z. Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithëshëm i NATO-s, z. Igor Llukshiq, Ministër i Jashtëm dhe Milica Pejanoviq Gjurishiq, Ministre e Jashtme të Republikës së Malit Zi. Ftesa erdhi si rezultat edhe i kërkesës së bërë kohë më parë nga pala malazeze, veç të tjerash, si rrjedhojë e aspiratave të popullit malazez, pra edhe e popullsisë shqiptare, që jetojnë në trojet etnike prej afro një shekulli e gjysëm, por brenda kufijve shtetërore të Malit Zi.

Marrja e ftesës me 2 Dhjetor, e kthen këtë datë në një datë historike për Malin e Zi. Me këtë ftesë, të rëndësishme për integrimet euroatlantike të të gjithë rajonit, NATO rihap dyert pas 6 vitesh në procesin e krijimit të një Europe më të sigurt e më të bashkuar. Padyshim, ky proces është me rëndësi të veçantë jo vetëm për sigurinë e Malit Zi dhe të tërë rajonit, por edhe do jetë me ndikime tejet pozitive në sigurimin e një klime të shëndoshë, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit Zi, ku veç të tjerash po kaq përfitues, madje edhe më shumë, do të jenë shqiptarët që jetojnë atje. Është e kuptueshme që njëherësh, jo vetëm do të menjanohet, por edhe do të shmanget ndikimi i Rusisë në Detin Adriatik, gjë e cila do të rrisë shanset për sigurinë rajonale. Nuk kemi pse të mos shprehemi se, Ftesa për anëtarsim të shpejtë në NATO, ishte rezultat dhe erdhi edhe nën ndikimin që shkaktuan veprimet e lëvizjet jo demokratike të opozitës malazeze, të cilat nuk janë mirëpritur nga perëndimi.

Malit Zi për një periudhë 2-vjeçare deri në anëtarsimin e plotë, do t’i duhet të përmbushë në kohë dhe me cilësi, të gjitha reformat strukturore të rekomanduara e të diktuara, që e mundësojnë anëtarsimin, pra që edhe Mali Zi të jetë vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota. Kuptohet që edhe shqiptarët që banojnë atje si shtetas malazez, do të jenë përfitues të të drejtave ashtu si edhe vetë malazezët, si shtetas të denjë të një vendi anëtar të NATO-s. Më shumë se kurrë është momenti që shqiptarët në Malin e Zi të ndërgjegjësohen për të kërkuar garantimin e të drejtave të tyre, të cilat u mungojnë, ndonëse janë të sanksionuara në Kushtetutën e Malit Zi. Ky angazhim serioz bëhet edhe më i domosdoshëm, jo vetëm për të siguruar e ushtruar në mënyrë të plotë liritë dhe të drejtat si shtetas të barabartë me ata malazez, por edhe si detyrim e kontribut ndaj Strukturave Euroatlantike, për demokratizimin e Malit Zi. Njëherësh ky angazhim e kontribut, do të jetë vazhdim dhe thellim i kontributit të dhënë në vite e dekada nga shqiptarët, si faktor shtet-formues, pse jo dhe stabiliteti, tolerance e bashkjetese që nga viti 1880, deri tek shpallja e Pavarësisë në vitin 2006, nga Serbia. Këtë e treguan edhe ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në Malin e Zi.

Ky moment historik padyshim që kërkon edhe një herë, madje në mënyrë më të plotë, listimin e të gjithë kërkesave të shqiptarëve, që mundësojnë sigurimin dhe ushtrimin e të gjithë të drejtave dhe lirive, të cilat ndonëse janë të garantuara në Kushtetutën e Malit Zi, nuk i gëzojnë ashtu siç ndodh me shumicën malazeze, etj. Kjo arrihet të bëhet e mundur në sajë të një pune ndërgjegjësuese, duke rritur jo vetëm besimin se ato janë të mundura që të realizohen dhe të gëzohen nga çdo shqiptar, por deri tek nevoja e organizimit bashkëpunues, veprues dhe të koordinuar të tërë faktorit shqiptar, qoftë ai politik, nacional, apo shoqëri civile, etj.

Po cilat janë ato çështje ku mungojnë e nuk realizohen liritë edhe të drejtat, e për të cilat shqiptarët e Malit Zi, ndjehen të diskriminuar dhe që duhet luftuar në kuadrin e tërë këtyre proceseve integruese euroatlantike? Puna dhe lufta e tyre duhet të orientohet dhe të përqendrohet tek:
– Decentralizimi i pushtetit në Mal të Zi, që mundëson aplikimin e standarteve evropiane të Kartës Evropiane për vetëqeverisjen lokale, edhe nëpërmjet rritjes së kompetencave në vetëqeverisjen lokale.
– Përdorimi i lirë i simboleve kombëtare: si në raste të festave shtetërore dhe kombëtare në insititucione shtetërore, ashtu edhe në festat individuale (private).
– Rrespektimi i Kushtetutës së Malit Zi, që përcakton përfaqësimin proporcional edhe të shqiptarëve në: Sistemin Gjyqësor, Administratën e Lartë Shtetërore, si edhe atë Vendore, në polici, në shëndetsi, apo në sektorë të tjerë.
– Dhënia e Statusit Komunës së Tuzit/Malësisë, nëpërmjet edhe garantimit të kompetencave të plota, dhe të gjitha këto, të njohura me ligj.
– Ndryshimi dhe përmirësimi i Ligjit Zgjedhor, që veç të tjerash të mundësojë që shqiptarët, të jenë të përfaqësuar me jo më pak se 4 (katër) mandate të garantuara në numër në Kuvendin e Malit Zi. Gjithashtu edhe përfaqësimi vendor, në këshillat komunalë, aty ku shqiptarët janë pakicë, të ketë instrumenta dhe mekanizma ligjorë, që të mundësojnë hyrjen më të lehtë të tyre në këto Kuvende Komunale si, në Tivar, Podgoricë, etj.
– Respektimi i së drejtës së pronës, jo vetëm nëpërmjet njohjes, por edhe kthimit fizik të saj apo kompensimit të plotë, si një e drejtë themelore. Shembulli në Ulqin (Ullishta e Valldanosit, Shtoji dhe Shasi), në Malësi si në Plavë dhe në Guci, janë kuptimplotë, ashtu si dhe në Parqet Nacionale në Plavë, Guci, Liqenin e Shkodrës duhet të mundësohet pronësimi i shqiptarëve.
– Kompetencat e Komunës së Ulqinit të jenë të plota, ashtu si ato të Komunave Tivar, Budva për “Të mirat detare”, duke përcaktuar në mënyrë më të saktë që edhe për komunën e Ulqinit, kufiri i saj të jetë sa më afër detit, duke krijuar kështu realisht mundësinë që planifikimi hapsinor, t’i kthehet dhe të bëhet nga vetë Komuna Ulqin.
– Zhvillimi i qendrueshëm e proporcional, pasi politikat e zbatuara deri tani si mos shfrytëzimi racional i resurseve në zonat ku jetojnë shqiptarët, ka sjellë jo vetëm shpërpjestime në zhvllimin ekonomik, por edhe ndryshime të mëdha në standartet jetësore dhe ato demografike. Kështu nëse në vitin 1991, shqiptarët përbënin 6,7% të popullsisë së Malit Zi, në vitin 2011 përbënin vetëm 4,91% të saj, dhe kjo si rezultat i emigrimeve nga të gjithë krahinat ku jetojnë shqiptarët. Gjithashtu, mënjanimi i pasojave negative nga privatizimi i ndërmarrjeve ish shtetërore të keqmenaxhuara, si dhe rishqyrtimi i privatizimeve dhe respektimi i marrëveshjeve, do të përbënte imperativin që sjell zhvillim, pa harruar dhe duke synuar edhe ndërtimin e rrugëve, në hapsirat kudo ku jetojnë shqiptarët, e që përshkojnë atë si artere e koridore, siç është tashmë Koridori Blu, i cili pritet të fillojë të ndërtohet, e duhet të kalojë sipas kërkesave të palës shqiptare e shqiptarët e Malit Zi, jo nga Hani Hotit, por nga Ulqini.
– Tek çështjet në fushën e arsimit dhe të kulturës, ku decentralizimi duhet të përfshijë: Tekstet shkollore, Objektet shkollore, pse jo edhe më të zgjeruar Arsimin e Lartë e jo vetëm në mësuesi, Mbrojtjen dhe rikonstruktimin e objekteve kulturore.
– Përdorimi zyrtar i Gjuhës Shqipe dhe avancimi i të drejtave në këtë fushë, informimi në gjuhën shqipe, deri tek garantimi i së drejtës të sanksionuar me Kushtetutë nëpërmjet mbështetjes me fonde si për median e shkruar, Gazetën “Koha javore”, në atë vizive Tv “Teuta”, Radiot, gjer tek televizionet e Malit Zi, janë kërkesat që kërkojnë angazhim.

Evropa është shumë e ndjeshme ndaj garantimit dhe ushtrimit realisht të lirive dhe të drejtave, të sanksionuara jo vetëm në Kushtetutë. Të aspirosh si dhe të jesh vend-shtet anëtar i NATO-s, do të thotë veç të tjerash, jo vetëm të prodhosh e të konsumosh vetë stabilitet, por edhe të eksportosh siguri e garanci edhe në vende të tjera, në rajon e më gjerë, pavarësisht nga “vlera e kontributeve”. Ndaj themelore është kuptimi i të gjitha detyrimeve dhe të drejtave, që burojnë e qendrojnë sot përpara shqipëtarëve në Malin e Zi dhe jo vetëm.

Më shumë se kurrë lypet të ngrihet në një nivel më të lartë angazhimi i Shqipërisë, si shteti Amë, duke qenë edhe vend anëtar i NATO-s. Në rrafshin parimor e politik, kërkesa e Tij ndaj Malit Zi, jo vetëm për sanksionimin ligjor e institucional, por edhe garantimin dhe realizimin e të gjithë të drejtave te shqiptarëve, përbën edhe detyrimin kombëtar. Askush më shumë se Shqipëria, institucionet e saj, nuk duhet ta ndjejë e ta realizojë këtë përgjegjësi ndaj shqiptarëve të Malit Zi të harruar disi, pse jo, dhe jo pak deri sot. Shqiptarët atje e meritojnë këtë mbështetje, jo vetëm si të drejtën e tyre themelore si të gjithë popujt e tjerë, por dhe si angazhim edhe për faktin, se në të tërë historinë e tyre kanë qenë faktor stabiliteti, kulture e bashkëjetese evropiane, më shumë se etnitetet e tjera si edhe vetë malazezët. Ka ardhur koha që shqiptarët të marin atë që u takon, jo si dhuratë, por si e drejtë e tyre.

Por, edhe vetë shqiptarët duhet të dinë e të luftojnë për të realizuar ëndrrat e tyre shekullore evropiane. Të përfaqësuar në mbi 8 (tetë) Parti Politike Nacionale si edhe në të tjera malazeze, në mbi 6 (gjashtë) Lista Zgjedhore Elektorale, në numrin e madh të Shoqatave Nacionale, e jo pak edhe ato Kulturore, në numrin e madh të intelektualëve të shquar e në zë të inkuadruar në Shoqërinë Civile, në shpirtin e paepur patriot e ulqinak të vetë shqiptarëve atje, pse jo, edhe të të gjithë shqiptarëve nga Mali Zi që jetojnë në Shqipëri e në çdo skaj të rruzullit tokësor, të bashkuar në një mendim do të mund t’ia dalin. Ka ardhur koha që shqipëtarët e Malit Zi, jo vetëm t’i sigurojnë e t’i garantojnë të gjithë të drejtat dhe liritë e tyre si evropianë të vertetë dhe së shpejti si shtetas të një vendi anëtar i NATO-s, që jo vetëm prodhon e konsumon, por edhe që eksporton, liri, barazi, siguri e stabilitet në rajon e më gjerë.

Në gjykimin tim, i takon Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, ku përfaqësohen të gjitha subjektet shqiptare atje, që të bashkërendojë, të koordinojë, të unifikojë si dhe të udhëheqë, tërë angazhimin dhe përpjekjen për të drejtat dhe liritë e tyre, me qëllim që jo vetëm të sanksionohen, garantohen por edhe të realizohen. Në tërë këtë proçes e angazhim, për të drejtat dhe liritë themelore, shqiptarët e Malit Zi njëherësh, do të dinë të tregojnë se janë evropianë, madje shumë raste, se janë më shumë evropianë edhe se disa të tjerë, që i kanë fituar dhe i mirëpresin në dyert e Evropës, mbase edhe me “ndjesën” , pasi ua mohuan këto të drejta për afro një shekull e gjysëm, duke i shkëputur padrejtësisht nga trupi i Shtetit Amë, Shqipëri. /Bulevardi/

By admini