Është papërgjegjësi të mos bësh atë që duhet të bësh në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Situata politiko – ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi do duhej të ishte detyrë mbi detyrat e çdo përfaqësuesi politik shqiptar në Mal të Zi. Fatëkeqësisht, ndodhë e kundërta. Nëse bazamenti i çdo partie politike të të ashtuquajturave “parti shqiptare” është i ndërtuar mbi: qëllimin për të manipuluar masën nëpërmjet mashtrimeve, për të mbushur xhepat e vetë, për të qëndruar sa më gjatë në politikë edhe duke qenë inefikas, përbën themelin e asaj që thuhet që: “këto parti janë themeluar për të zvogëluar zërin e shqiptarëve në institucionet e shtetit deri në asimilimin e plotë të tyre”.
Një gjë që duhet ta kenë parasysh është se ata në këtë rrugëtim të gjatë mund të mposhten nëse do t’u mungojë “qëndresa e përbashkët”. Në fakt kanë dështuar, sepse kjo “qëndresë” nuk ka ekzistuar asnjëherë. Përfaqësuesit politik shqiptar në Mal të Zi ende nuk kanë hartuar një platformë politike rreth së cilës “do silleshin”. Kur hedhin hapin, nuk e fiksojnë qëllimin e madh, prandaj bëjnë gabime në hapa. Shqiptarët në Mal të Zi duhet të kenë kujdes prej gabimeve “në hapa”. Përcaktimet e pjesshme mund të dëmtojnë tërësinë e çështjes. Vrapojnë vetëm si të ruajnë pushtetin nëpërmjet servilizmit në pushtetin qëndror. Mos harroni se nganjëherë as “vrapimi nuk mund të ndihmojë”, sepse ç’vlerë do kishte ky vrapim nëse “jemi në rrugën e gabuar”?! Përfaqësuesit tanë nuk po vetëdijësohen se çështja e shqiptarëve në Mal të Zi duhet të përbëjë kryefjalën e mendimit politik të tyre si një çështje e vetme.
U themeluan për të avancuar statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, por sot jemi para një fakti rrënqethës: jo që nuk e avancuan, por e degjeneruan çështjen tonë, e copëzuan, po mohojnë edhe atë që u përket shqiptarëve. “Gjukanoviqi, për të shkatërruar pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, nuk do kishte ditur të gjejë ndokënd më të përshtatshëm se sa partitë politike që rrjedhin nga trevat shqiptare në Mal të Zi”. Atë çfarë na kanë bërë këto parti, nuk na e ka bërë asnjë armik tjetër ndër shekuj. Edhe pas 500 vjet të sundimit osman, ne deklarohemi që jemi shqiptar, edhe pas 137 vjet të ndarjes nga Kongresi i Berlinit, ne vazhdojmë të themi se jemi shqiptar, pra nuk mundën të na e zhdukin qenjën tonë si shqiptar. Por, që 25 vjet pluralizëm, me mbi 10 parti politike “shqiptare” kemi humbur zërin, pjesërisht moralin, dinjitetin (sepse jemi në gjëndje të shesim votën (të ardhmen tonë)), shqiptarët janë në rënje të vazhdueshme si përqindje demografike brenda shtetit, ende flasim për të drejta themelore të mohuara. Ky përbën kolapsin e shqiptarëve në Mal të Zi. Malësia ende nuk ka status të vetëqeverisjes lokale, ndërkohë që Ulqini duket sikur “është ngopur” me komunën e vetë! Të dyja këto qytete kanë të përbashkët paaftësinë që në Ulqin ta mbajnë komunën e në Malësi ta themelojnë atë.
Nëse ndonjë fjalë nga kjo që kam shkruar është e pavërtetë, jeni të lirë publikisht të reagoni dhe hapur, por sigurisht që as nuk do tentoj ti ndalë ata që “flejnë në të djathtë e zgjohen në të majtë”, e pastaj mundohen nëpërmjet fyemjeve që të japin “vizionin” e vet mes qorrave për çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi.
Para pak kohësh, në një takim jo publik, në verën e këtij viti, përfaqësues të Diasporës shqiptare nga SHBA, u dërgojnë partive një projekt traktat për tu unifikuar. Më vjen keq edhe për ata bashkëatdhetarë që nga zemra e mbushur me nostalgji për këtë vend mundohen të bëjnë diçka, por që nga mungesa e vetëdijes politike dhe vizionit përfundojnë në fiksion, rrjedhimisht u prodhua ajo që tani po kthehet në epilog që: “partitë i kanë ndarë për të mos u bashkuar kurrë”. Edhe në verë, edhe para sa vitesh, edhe sot dhe në të ardhmen, e pohoj që partitë “shqiptare” në Mal të Zi janë vetëm shërbëtor dhe dekor të pushtetit. Përmes tyre po asgjësohet “qenja e shqiptarëve” në Mal të Zi.
Nëse këtë gjë nuk e kuptoni do të thotë që problemi është tek formimi i njeriut. Nëse e kuptoni, kjo përbën hapin e parë për të luftuar këtë “sëmundje” që po asgjëson trungun shqiptar në Mal të Zi. Nëse e kuptoni dhe heshtni, kjo është tragjedi, sepse do të thotë që ju e pranoni asgjësimin në heshtje. Në asnjë rast të vetëm populli nuk duhet të heshtë sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të flasim për të nesërmen dhe të pasnesërmen. Ky moment kërkon reflektim të thellë dhe vetëdijësim për të bashkuar forcat intelektuale dhe gjenerat e reja drejt një bashkimi për t’ju kundërvënë drejtimit të gabuar që na kanë rreshtuar përfaqësuesit tanë politik. Nuk do duhej të përmbushej thënja: “U ngrit fati i shqiptarëve në Mal të Zi, si i vdekuri nga varri, mori udhën e asimilimit, duke ikur si i marri”.