Vërej një nonshalancë politike (nga të gjitha palët pa përjashtim) në lidhje me rëndësinë thelbësore e së drejtës së shqiptarëve në Mal të Zi për mbajtjen njëkohësisht të dy nënshtetësive. E drejtë e mohuar nga ligji rigoroz malazez për nënshtetësinë, i cili përjashton mundësinë e mbajtjes së një nënshtetësie të dytë me kërcënimin e humbjes së nënshtetësisë malazeze.
Ajo që dua të sjell në vëmendje nuk është vetëm kjo. Në nenin 8, pikën 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, shprehimisht thuhet: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”, për të vijuar më tej me pikën 2, ku thuhet që: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”. Në pikën 3 të Nenit 8 thuhet që: “Republika e Shqipërisë iu siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”.
Pajtohem që e drejta për të pasur pasaportë shqiptare nuk zgjidh problemet e shqiptarëve të Malit të Zi, por është një pikënisje për të shqyrtuar në tërësi problemet me të cilat kacafyten shqiptarët atje.
Gjendja e mjerueshme e komunave të banuara me pakica shqiptare, dhe për të mos drejtuar gjithmonë gishtin nga praktikat e politikat diskriminuese të shtetit malazez kundrejt shqiptarëve, ka ardhur edhe për arsye të mungesës së një kontigjenti të mirëfilltë politik që na përfaqëson. Mentaliteti provincial në politikbërje, pro përçarjes dhe kundër frymës së bashkëpunimit për arsye egoje personale, ose akoma më keq për arsye lokalizmash, “thërret” nevojën për të hapur dritaret e mendësisë së vet. Është parë tashmë që shteti malazez nuk tregon interesim real për integrimin social e ekonomik të shqiptarëve, prandaj i takon shtetit shqiptar të veprojë. Nuk mund të pretendojmë të ardhme të ndritur kur akoma sot vuajmë për kushte elementare në arsim (libra shkollorë pa gabime gjuhësore, njësim mbarëkombëtar të programeve mësimore, etj), e mos të flasim për formim më të gjërë intelektual. Kjo gjendje imponon një rivendosje marëdhëniesh midis shtetit shqiptar dhe shtetit malazez, me qëllim mbrojtje të të drejtave politike, ekonomike e sociale të shqiptarëve në Mal të Zi, qoftë dhe me anë të sigurimit të së drejtës për mbajtjen e dyshtetësisë!
Për më tepër, respektimi i të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë është domosdoshmëri për një integrim më dinjitoz në familjen Europiane!
/Marrë nga faqja në FB e autores së shkrimit/