(Shkruar në tre vjetor)

Nga: Argëzon Sulejmani

U rrit Maratona. U bë trimneshë. Nesër feston përvjetorin e tretë. Po të ndiqte hapin human do duhej që tashmë të dijë të ecë në këmbët e veta, të flasë gjuhën e trashëguar, të dijë të njohë të vetët, të jetë deri e bezdishme me pyetjet retorike, madje tashmë të mund të dallojë në mënyrën e vet “të mirin nga i keqi”. Por, Maratona ndjek hapin e vet, ritmin e mërzitshëm për ata që s’ja njohin brendinë, energjinë e pashterrshme, rrezikun me suksesin në çdo gjurmë e gjurmë në çdo hap të vetin. Maratona 3 vjeç është më e madhe se kaq. Është trimneshë!

Maratona lindi nga një dëshirë e madhe, nga një barrë rilindase që ndrittë përditë motra dhe vëllezër të saj. Në nder të 100 vjetorit të mëvetësisë së një pjesë toke të kombit tonë. Ishte ngjarja – e vetme – që do ndodhte në Ulqin në datën jubilare mbarëkombëtare.

– 1 –
Do të takoheshim në ora 08:00 para zyrave të KNSh. Për çudi, dyert e kësaj shtëpie ishin të mbyllura. Kjo më ndjellte frikën e abortit. Unë aty do i takoja për herë të parë dy bashkëvendasit e mi me qëndrim në ShBA, Esatin (fisi Aloshi, nga Kravari) dhe Mustafën (fisi Bërkani, nga Krytha). Nuk kisha ide për cilët bëhej fjalë, sa të moshuar janë, edhe më hiç për përgatitjen e tyre fizike e psikologjike. Risku ishte i madh. Për 42km duhej të siguroja shëndetin e dy të dërguarve nga tejAtlantiku. Zemra ime do rrihte siç zemrat e tyre, fort e me kapërcime, por këtë ata nuk duhet ta vinin re. Mirë që as ata nuk më njihnin. Isha një mjek i ri, në fillimet e veta, që merr përsipër një barrë që mund ta thyejë në mes. Dy jetë që në një terren të paprovuar do të sakrifikonin jetiken. Kjo më forconte bindjen që, siç ata janë të thirrur të rrezikojnë kaq shumë, atëherë të gjithë duhet të bëjmë të njëjtën gjë, në emër të caqeve përkrenare. Bindje sigurie përçonte edhe mbikqyrësi sportiv, mjeshtri i madh i sportit Ruzhdi Rama. Rrugës kuptova që unë dhe ai kishim një të perbashkët. Ishim të thirrur të shkonim përtej kufinjve tanë profesional. Ai dukej të ishte mësuar me grintën sportive. Mund ta kishte më të lehtë, sa edhe më të vështirë. I mësuar me fitore e dështime sportive, ai e njihte mirë të parën, siç të dytën. Por, kjo nuk ishte thjeshtë një luftë sportive.

– 2 –
Pritjet grupore anash rrugës ishin infuzion që do trazonte edhe atomin e fundit të energjisë së maratonistëve. Buqetat me lule tek Rrethi në Krythë, pastaj përshëndetja e organizuar nga kolektivi dhe nxënësit e shkollës fillore në Krythë ishin medalja e parë prej ari për krejt grupin; grupet në qendrën e Katërkollës dhe turma prej fëmijëve të lumtur tek shkolla amë në Anë të Malit ishin vula historike se qëllimi ishtë prekur me një dorë.
Paçkase, ne e rrahim dhe e rirrahim historinë deri në molisje. Veçmas të parëve gjithë u japim flakareshë.

– 3 –
Do pasonte kalimi i Pikës Kufitare, i cili kishte pushuar së egzistuari së paku për aq kohë sa po kalonin maratonistët dhe ekipi përcjellës. Ishte ndjesi e papërshkrueshme. Pa kufi. Aty do të bashkangjitej edhe Irfan Domnori, shkodrani që do të ishte motiv shtesë për nismëtarët. Mendoja që me kaq do të mbaronin sekuencat fantastike sportive.
Por, mahnia po vazhdonte të na ndiqte. Nga Muriqani e përgjatë gjithë rrugës, kalimtarët e rastit dhe ata pak të informuar përshëndesnin sportistët si të ishin lajmëtarë të haberit të fortpritur. Veç kësaj, një ekip televizioni po na përcillte hap pas hapi. Në krye të tyre ishte një tjetër anamalas, Simon Shkreli, i cili ishte skenaristi i një filmi që do të mbetej unik në jetët e pjesmarrësve.

– 4 –
Vijmë në Cak. Vendosja e kurorave me lule tek përmendoret e dëshmorëve të kombit. Pritja madhështore e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka ishte tejprotokollare. Ishte hera e parë që një holl pritjesh zyrtare shëndërrohet në shtëpi të të priturve. Kryetari kishte shtyrë agjendën e 100 vjetorit në nder të Maratonistëve. Punonjësit kishin mbushur shkallët e hyrjes dhe përshendetnin me plotfuqi kampionët e ditës historike për kombin. Shkodra, kjo zoj’ e randë do të qëndiste në ne përralloren e mikpritjes arbnore. Faleminderit! Shumë faleminderit! Sikur s’kishte fuqi të përçonte mirënjohjen.

– 5 –
Kjo do të ishte në pak fjalë dita e lindjes së Maratonës që lidhë Ulqinin me Shkodrën përmes Anës së Malit.
42 km që dukeshin herë 42 vite, herë 42 rrahje.

Në të njëjtën kohë, në nderim të nismëtarëve e datës historike, do të shkruaja poezinë që më pas do të bëhej pjesë e bukur e përmbledhjes me poezi
‘’Heshtja që vërret’’

MARATONA E PAVARËSISË

Sërish fluturoi nga Amerika
Kushtrim i popullit me shaminë gojës
Pesëdhjetë e dy yje mburojë krahëshkabës
Për me i hapë qiejtë fluturimthi
Anamalçe si gjyshër e brezni
Nga Ulqini në Shkodër, pa kufi.

 

By admini