prafndeshja-kosove-shqiperi-skuqet-prishtinaPrishtina mirëpret kampionët që arritën të bënin realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Lojtarët e Kombëtares shqiptare shkojnë për herë të parë si triumfatorë në Kosovë, ku do të përshëndeten nga afër me tifozët e zjarrtë kuqezinj. Atmosferë elektrizuese në kryeqytetin e Kosovës në prag të ndeshjes “vëllazërore” Kosovë-Shqipëri. Të premten do të luhet një takim festiv, për të vijuar atë që u bë në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë pas 11 tetorit, por këtë herë në kryeqytetin tjetër të shqiptarëve. Për të kuruar me detaje këtë atmosferë, ka menduar grupimi i tifozërisë “Plisat”, të cilët kanë “skuqur” Prishtinën. Plot 5000 flamuj janë shpërndarë në të gjithë qytetin dhe lajtmotivi i këtyre ditëve është vetëm kuqezi.

Organizimi
Ditën e djeshme, drejtuesit e grupimit të tifozëve “Plisat” kanë shpalosur në Prishtinë 5000 flamuj. Ka qenë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i ka ndihmuar tifozët me materialet e nevojshme për të përgatitur një atmosferë feste dhe elektrizuese në pritje të Kombëtares shqiptare. Përmes postimeve në rrjetet sociale, “Plisat” e kanë falënderuar atë për mbështetjen që u ka dhënë për të ngjyrosur kuqezi Prishtinën. “Mirë se vini në Shqipëri”, shkruhet në foton që po bën xhiron në rrjetet sociale, që lë të nënkuptojë se për “Plisat” Kosova është thjesht çështje emërtimi…

Mbështetja
Tifogrupet e Kosovës kanë qenë gjithmonë një mbështetje e madhe për Kombëtaren shqiptare. Ata nuk kanë munguar kurrë në ndeshjet që kuqezinjtë kanë organizuar në Shqipëri, por gjithashtu edhe në transfertë nëpër Europë dhe botë. “Plisat” ishte ndër tifozëritë e vetme që mori pjesë edhe në ndeshjen ShqipëriSerbi, krahas “Tifozave Kuq e Zi”, ndërsa këtë herë ata janë bërë nismëtarë të organizimit të festës së përbashkët. Kualifikimi për në Europian ishte një arritje e përbashkët sepse kontribut dhanë edhe lojtarët që kanë lindur në Kosovë apo janë me origjinë nga shteti më i ri. /Panorama/

prafndeshja-kosove-shqiperi-skuqet-prishtina

By admini