Përkujdesja ndaj më të vegjëlve tuaj ju merr kohë dhe energji. Çdo familjarë bën të pamundurën që ata të rriten në një ambient të sigurt, në kushtet më të mira të provuara dhe plotësimin e çdo tjetër kërkese të veçantë. Qëllimi i përbashkët i krejt këtyre është që vocrrakët të jenë shëndetplotë e të përparojnë me ditët.
Sëmundja nuk pyet. Këtë mesiguri e keni dëgjuar e përjetuar me herë të tëra. Për këtë ne duhet të jemi të gatshëm që në çdo moment të kemi përgjegjen sa më ideale. Aq më shumë kur në këtë mes janë fëmijët, ata të cilët shpesh-herë vështirë kuptohen a dorëzohen edhe në situatat më dramatike.
Kutia shtëpiake simptomatike – mund të përmbajë përgjigjen e duhur në kohën e duhur. Siç kuptohet, ajo mbahet në shtëpi (në rast udhëtimesh mundet edhe në bagazh), në temperatura të përshtatshme (me përjashtime të vogla, 20-25C), ambiente të errëta, kënde të sigurta ku nuk arrinë dora e fëmijëve pa ndihmën tuaj si dhe me afat përdorimi brenda 2muajve që vinë. Veprimi i barnave që parapreferohen të jenë pjesë e kutisë është simptomatik, dmth veprues kryesisht në ankesat e fëmijës e jo edhe në shkaktarin e tyre. Kuptohet, ndihma që merret nga kutia shtëpiake është veç hapi i parë në tërë ecurinë që do bëjë fëmija i sëmurë me përkrahjen e mëtejshme të mjekut të zgjedhur. Varësisht nga niveli i edukimit, aty gjenden disa barna të cilat mund t’i përdorni edhe pa konsultë mjekësore, gjithsesi e preferueshme është qoftë edhe kontakti pa pacient me mjekun gjegjës.
Kështu do të mund të dukej në përbërje “kutia shtëpiake” simptomatike:
1. ANTIPIRETIKËT – njihen si “barna për zjarrmi” që do duhej të jenë pjesë esenciale e kutisë shtëpiake. Çmohen për veprimin e tyre kundërpezmatues, zvogëlojne dhimbjet dhe temperaturat mbinormale trupore. Pikërisht kjo e fundit është shkaku bazë që i bën të domosdoshëm në kutinë e cekur.
Përdorim më popullor vazhdojnë të gjejnë: Paracetamoli* dhe Ibuprofeni*. Vinë në treg në forma të ndryshme: të lëngët(shurup), formë të ngurtë(tablete-hapë), supozitore(tapnore). Paracetamoli vie në dy format e para, kurse Ibuprofeni në të tri format. Është e preferueshme që deri në moshat 8-10 vjeç të evitohen format e ngurta të përdorimit. Kohëveprimi fillon pas 10-30min varësisht nga formati. Kohëshpejtësia në veprim do të mund të ketë këtë renditje, nisur nga më i shpejti: supozitor, shurup, hapë. Format orale përjashtojnë vetveten në rastet me të vjella e nauze, sikurse format supozitore në barkqitje.
Dozimi i tyre bëhet në varësi të peshës dhe moshës. Mund të jepen 4-6 herë në 24 orë. Është e rëndësishme të dihen parakushtet e gjendjes së përgjithshme të fëmijës, meqenëse bari metabolizohet(përpunohet) në mëlçi, kurse eleminohet përmes veshkëve.
Për temën në fjalë, vlen veprimi i shpejtë dhe i duhur. Konsultat rutinore me mjekun tuaj të zgjedhur do të ju mbajnë në hap me dozën e duhur të barit dhe mënyrën më efikase të përdorimit.
2. ANTIKONVULZIVËT – Përdoren në rastet e a.q. konvulzione febrile(shtang’je prej temperature). Prania e tyre është e domosdoshme në rastet kur fëmija bëhet pre e këtyre “shtangjeve”, ka prevalencë trashëguese ose një gjë e tillë është shfaqur më herët në vëllezër ose motra. Konvulzionet jane temë e gjërë dhe asnjëherë e mirëdefinuar, paçkase njihen prej më shumë se 2000 viteve. Shkurtimisht, paraqiten në atakun e parë të febrilitetit, ose gjatë rënjes së temperatures, ndër moshat 6muaj-5vite, herët e para dominojnë tek moshat 1-2vjeç. Humbja e vetëdijes, frymëmarrja e rrallë dhe nxirja e fytyrës janë simptomat që prindërit shpesh i përmbledhin me termin dramatik “ishte i vdekur”. Si në çdo rast, në çdo dramë, qetësia është vendimtare. Përdorimi i antikonvulzivëve duhet të jetë i menjëhershëm dhe në dozën e duhur. Ketu hynë barnat që veç veprimit të rastit, kanë edhe ndikim sedativ(qetësues) të a.q benzodiazepinë(diazepam*, oksazepam, medazepam, bromazepam). Përdoren në format supozitore, ndërmuskulare apo venoze. Në shtëpi preferohen format supozitore e që mund të jenë tapnore apo me zbrazje lëngore. Të dytat janë edhe më të preferueshme. Përdorimi i tyre duhet të jetë i menjëhershëm. Tek fëmijët deri 3vjeçar përdoret forma me përmbajtje deri 5mg. Pas dhënjes së urgjencës shtëpiake po kaq urgjente është paraqitja tek institucioni më i afërt shëndetësor. Përdorimi shtëpiak nuk duhet t’i kalojë 5 përdorime në muaj, apo 1 përdorim në javë, veçse kur për këtë vendosë mjeku specialist, neuropediatri.
Metabolizohen në mëlçi, kurse eleminohen përmes veshkëve.
3. NDAJALERGJIKËT- Në përdorim masiv përdoret termi “barnat për alergji”. Simptomet që kërkojnë ndihmën e tyre janë ndryshimet e shpejta lëkurore me skuqje, kruarje, formë pllakore, të lokalizuara apo të gjeneralizuara, rrjedhje e skuqje hundësh, lotim, kruarje e skuqje rreth syve, etj. Veprimi për paraqitje të tilla i atribuohet Histaminës, e cila veprim bazë ka vazodilatimin(zgjërimin e enëve) dhe lëshueshmërinë prej tyre. Për këtë barnat në tregun farmaceutik njihen si antihistaminikë. Të tillë janë: hloropiamina*, loratadina*, desloratadina*. Gjenden në format e lëngëta, spray, hapë, pomadë. Përdorim masiv tek femijet gjejnë shurupet.
4. PROBIOTIKËT* – Vet termi tregon që i bëhen krah bio-funksionimit. Në vete përmbajnë bakterje që normalisht janë pjesë të florës intestinale(botës së zorrëve) e që funksion kanë ndihmesën në tretje, në ruajtjen e materjeve ushqyese, në rritjen e imunitetit si dhe ne normalitetin e motilitetit intestinal(lëvizshmërisë së zorrëve). Ne treg gjenden në formë kapsulare, pluhuri dhe të lëngëta. Efektet minimale anësore lejojnë përdorimin e lehtë të tyre. Mund të përdoren në rast të problemeve digjestive si barkqitje, kapsllëk, fryerje barku, dhimbje stomaku e të ngjashme. Kombinohen me terapitë e tjera të rastit, sidomos preferohen të çiftohen me antibiotikë, meqenëse këto të fundit e dobësojnë pikërisht florën intestinale.
5. REHIDRANTËT ORAL- Kanë përbërje të elektrolitëve dhe mineraleve, të cilët nevojitet të kompenzohen pas dehidrimit të fëmijëve, qoftë përmes barkiqtjeve, të vjellave, djersitjes së tepërt, temperaturës së lartë trupore. Përdorimi i tyre duhet të jetë “lugë nga një lugë” me përsëritje të shpeshta e me intervale pauze disaminutëshe. Dehidrimi tek fëmijët është një fenomen që zhvillohet shumë shpejt, andaj ju duhet të jeni të vetëdijshëm për gjendjen e përgjithshme të tij. Në rastet kur edhe përkunder rehidrimit nuk vie deri tek përmirësimi nuk duhet humbur kohë drejt konsultës pediatrike. Megjithatë, gjithnjë e më shumë njihen rastet e sukseshme përmes rehidrimit oral.
6. MUKOLITIKËT* – Rëndësia e tyre qëndron në zbutjen dhe lehtësimin e kollitjes. Kanë veprim në zbutjen e sekretit, me këtë lehtësojnë kollitjen dhe nxjerrjen e masave viskoze nga rrugët e thella respiratore.
Hynë: bromheksina, acetilcisteina, karbocisteina.
Gjenden në forma të thata(pluhur) ose shurupe dhe përdoren disaherësh në 24orë. Dozimi bëhet sipas grupmoshave.
7. ANTITUSIKËT* – Jepen në rastet me kollë të thatë që shkakton irritim të fytit deri dhembje. Preferohen në rastet e virozave stinore dhe formave tjera akute, por jo edhe në ato kronike(astmë, bronhit, etj). Njihen si supresorë(mbytës) të kollës. Gjenden në forma: kodein, folkodin, butamirat, etj. E fundit nuk bën veprim përmes sistemit nervor qëndror. Nuk preferohen nën moshat 6-8vjeçare. Gjenden në format e ngurrta dhe të lëngta.
8. NAZALËT* – Këtu hynë barnat që jepen përmes korridoreve të hundës. Përdoren në simptomat që ndërlidhin hundën, fytin dhe veshët. Përdorimi shtëpiak përfshinë format lëngore(tretësirë fiziologjike) apo format e tjera me përbërje kryesisht fiziologjike. Veprimi i tyre konsiston në dekongjestim(në çlirimin e mukozës së hundës). Në rast të pezmatimeve të shpeshta të sinuseve(sinusit), veshit të mesëm(otite) apo tonsillave(tonsillit, anginë) këto preparate mund të pasurohen edhe me materje shtesë prej antibiotiku me veprim specifik.
Paisje shtesë:
9. ASPIRATORËT NAZAL* – të preferueshëm për të posalindurit. Mundësojnë aspirimin e zgavrës së hundës ose gojës dhe me këtë çlirimin e hapësirës hyrëse të ajrimit.
10. FLASTERËT* – të preferueshëm për lokalizimin dhe izolimin e dëmtimeve ose ndryshimeve lëkurore deri në mundësinë e parë të konsultës me mjekun. Në këtë mënyrë pengohet pezmatimi i dëmtimeve sikurse dhe përhapja e fenomenit.
Të tjerë: dezinficientë, çajra bimore, termosët lokal, etj.
Kështu do të mund të dukej kutia shtëpiake nën një çati ku po rritet një jetë e re. Terapia në fjalë është simptomatike dhe nuk e godet shkaktarin. Në rastet kur simptomet nuk lehtësohen ose intensifikohen është e detyrueshme konsulta e menjëhershme e kualifikuar. Jo rrallë-herë, përdorimi i këtyre barnave do të ju zëvëndësojë mjekun në shtëpi. Mjafton veç një herë të shpëtojë jetën nga komplikimet e mundshme.
Kontrollat rutinore dhe të hapura me mjekun tuaj pediatër do të ju mundësojnë të dini saktësisht dozën, mënyrën dhe vaktet e përdorimit të secilit bar.
*emrat e tregut
PARACETAMOLI – Paracetamol, Febricet, Efferalgan, Fervex, Febricet Cold, Panadol baby, Tylol Hot baby.
DIKLOFENI – Diklofen, Voltaren, Rapten.
DIAZEPAMI – Apaurin, Diazepam, Bensedin.
HLOROPIRAMINI – Synopen.
LORATADINI – Clarinase, Loratadin, Pressing.
DESLORATADINI – Aerius.
PROBIOTIKËT – Probiotic, Probiotic Duo, Flonivin, Linex, Bacilac Infantis.
NAZALËT – Aqua Maris, Olynth, Sterimar, Operil H.
MUKOLITIKËT – Bisolvon, Mucodyne, Fluimucil.
ANTITUSIKËT – Folkodin, Omnitus, Kodein.
ASPIRATORËT NAZAL – Chicco Physio Clean, Baby Vac.
FLASTERËT – Pic My Scean.
REHIDRANTËT – ORS, Rehidran, Smecta, Humana Elektrolit.