„Modeli Euro“ i rritjes së pagave dhe programet infrastrukturore me vlerë miliarda euro vijnë njëkohësisht. Prova e vërtetë vjen pas zgjedhjeve.
Nga Sado Dollaku
Mali i Zi po përgatitet të marrë përsipër disa detyrime të mëdha njëherësh, më shumë se në çdo moment tjetër gjatë dekadave të fundit. Në njërën anë është betoni: përfundimi i autostradës Tivar–Boljare, përparimi i Korridorit Adriatiko-Jonian, modernizimi i hekurudhës dhe i Portit të Tivarit, si dhe zgjerimi i investimeve publike. Të mos harroj të shtoj: ura mbi Bunë. Në anën tjetër janë të ardhurat e qytetarëve. Modeli Euro i kryeministrit Milojko Spajić premton që nga janari i vitit 2027 paga minimale neto nga 1.000 deri në 1.400 euro, së bashku me uljen e tatimeve mbi punën.
Secili prej këtyre objektivave mund të mbrohet më vete. Vështirësia qëndron në faktin se të gjitha financohen nga e njëjta llogari, nga bilanci i shtetit, dhe kjo llogari ka kufij.
Argumenti i Qeverisë në favor të programit të pagave është i thjeshtë. Nëse punëtorët kanë më shumë para, do të shpenzojnë më shumë. Ky konsum hap vende pune, e nxjerr aktivitetin nga ekonomia gri dhe sjell mjaftueshëm të ardhura të reja për të kompensuar tatimin nga i cili shteti heq dorë. Eliminimi i ekonomisë gri zgjeron bazën tatimore, ndërsa rritja e turizmit mbush buxhetin përmes TVSH-së, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve. Nëse, për më tepër, rritja e pagave lidhet me rritjen e produktivitetit (gjë pak e mundshme), ja kombinimi fitues. Nuk është bast i paarsyeshëm.
Megjithatë, konsumi nuk e kthen të ardhurën e humbur euro për euro. Kur shteti heq dorë përgjithmonë nga të ardhurat, ndërsa pagat, pensionet dhe detyrimet e tjera vazhdojnë të rriten, diferencën duhet ta mbulojë diçka: rritja e qëndrueshme, eliminimi i suksesshëm i ekonomisë gri, taksa të reja ose disiplina fiskale. Modeli funksionon vetëm nëse dëshmohet se këto përfitime janë të përhershme, e jo të njëhershme.
Si do të mbulohet kjo diferencë, ende nuk është treguar. Sipas gazetës Vijesti, projektligjet janë publikuar pa analiza të qëndrueshmërisë fiskale, pa vlerësime të ndikimit të rregulloreve dhe pa mendimin e Ministrisë së Financave. Ministri i Financave, Novica Vuković, sipas raportimeve, nuk ka votuar për propozimin në seancën elektronike të Qeverisë dhe ka deklaruar vetëm se i duhet më shumë kohë për ta analizuar. Kur zyrtari përgjegjës për bilancin e shtetit nuk ka dhënë pëlqimin, çështja e qëndrueshmërisë financiare nuk është më teorike.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ende nuk është shprehur për Modelin Euro, por vlerësimi i tij i fundit lë pak dyshime se ku qëndron. Në nëntor 2025, Fondi vlerësoi se reformat e mëparshme të pagave kishin ndihmuar në uljen e punësimit informal, por paralajmëroi për dobësimin e pozicionit fiskal, rritjen e kërkesës së brendshme dhe presionin mbi çmimet. Ai i bëri thirrje Malit të Zi që rritjen ta ndërtojë mbi investimet dhe diversifikimin, e jo mbi konsumin. (FMN, nëntor 2025) Një valë e tretë, edhe më e madhe, e rritjes së pagave të mbështetur te konsumi shkon në kundërshtim me këtë këshillë, dhe është vështirë të imagjinohet që Fondi ta presë me miratim në vlerësimin e radhës.
Edhe nëse diferenca që krijon programi i pagave mund të mbulohet, ai nuk është i vetmi detyrim i madh i shtetit. Infrastruktura mund të rezultojë edhe më e madhe. Autostrada, korridori, hekurudhat dhe porti së bashku mund të kushtojnë miliarda euro. Grantet e BE-së, kreditë e BERZH-it dhe të BEI-së, koncesionet dhe kapitali i mirëfilltë privat mund ta zbusin goditjen e menjëhershme, por nuk e eliminojnë rrezikun. Garancitë shtetërore, detyrimet për të ardhura minimale të garantuara dhe pagesat për disponueshmëri mund ta rëndojnë buxhetin për dekada, edhe kur në libra nuk shfaqen kurrë si borxh publik klasik. Një projekt që sot duket jashtë bilancit, nesër mund të përfundojë drejt e brenda tij.
Në fund të fundit, pra, vendimtare nuk është se sa ambicioz është secili projekt më vete, por radha me të cilën shteti i merr përsipër dhe mënyra si i paguan. Gama e rezultateve të mundshme është e gjerë. Nëse Modeli Euro në masë të madhe e financon veten, grantet e BE-së mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës dhe investitorët privatë mbajnë rrezikun real tregtar, borxhi publik deri në vitin 2035 mund të mbetet afër 63 për qind të PBB-së. Nëse të ardhurat i kompensojnë humbjet vetëm pjesërisht dhe financimi është i përzier, borxhi ngjitet drejt 72 për qind. E nëse të ardhurat dështojnë, ndërsa projektet e mëdha mbështeten gjithnjë e më shumë në huamarrjen dhe garancitë shtetërore, ai i afrohet nivelit prej 85 për qind.

Grafiku: Borxhi publik i Malit të Zi në tre skenarë, 2026–2035 (% e PBB-së). Burimi: llogaritjet e autorit, Sado Dollaku.
Këto janë skenarë, jo parashikime. Ato tregojnë se sa shpejt ndryshojnë perspektivat kur shteti financon njëkohësisht detyrime të përhershme ndaj të ardhurave të qytetarëve dhe një program të madh investimesh kapitale.
Anëtarësimi në BE do ta lehtësonte një pjesë të këtij presioni, sepse hap qasjen në fondet evropiane për infrastrukturë. Por asnjë fond i BE-së nuk do t’i financojë përgjithmonë pagat, pensionet apo kontributet e hequra të Malit të Zi. Këto detyrime duhet t’i mbajnë ekonomia dhe buxheti malazez.
Pikërisht këtu koha meriton vëmendje. Modeli Euro nis në janar 2027, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe lokale vijnë më 13 qershor 2027. Kjo radhë ngre një pyetje të justifikuar: a është ky orari më i mirë për ekonominë, apo kalendari zgjedhor ka ndikuar në përcaktimin e tij?
Sido që të jetë, votuesit do t’i shohin përfitimet në fletëpagesat e tyre para se të dalin në zgjedhje. Prova e vërtetë vjen më vonë, kur shteti do të duhet të financojë detyrimet e përhershme, të rifinancojë borxhin ekzistues dhe të paguajë pjesën e vet të projekteve të mëdha. Verdikti për Modelin Euro do të shkruhet në buxhetet e viteve 2028, 2029 dhe 2030, e jo në muajt e tij të parë.
Asgjë nga këto nuk i bën objektivat e Malit të Zi jolegjitime. Rreziku qëndron në nisjen e shumë detyrimeve të kushtueshme në të njëjtin moment. Pyetja nuk është nëse duhen rritur të ardhurat e qytetarëve apo duhen ndërtuar rrugë e hekurudha, por çfarë duhet të vijë e para, çfarë mund të presë dhe cilat rreziqe shteti është vërtet i gatshëm t’i marrë përsipër. Një strategji e besueshme duhet t’i mbijetojë ditës së zgjedhjeve, përmes çdo buxheti të ardhshëm.

