Nga Haxhi Zeneli
E nis këtë rrëfim me një kujtim të dhimbshëm që na bashkon si shqiptarë, përtej çdo kufiri. Për shqiptaret që jetonim në trojet e ndara sot në Mal të Zi dhe për vëllezërit tanë përtej Bunës, historia krijoi një ndarje të padrejtë që zgjati shumë gjatë.
Brezi im u rrit në një kohë kur kënga shqipe nuk ishte vetëm e ndaluar, por konsiderohej e rrezikshme.Sot,brezat e rinj e kanë të vështirë të kuptojnë “kohën e këngës së ndaluar”. Ishin vite kur një këngë shqipe, sidomos ajo patriotike, mund të të fuste në telashe kudo ku jetonin shqiptarët:në Kosovë, Maqedoni, Preshevë apo Mal të Zi. Çdo fjalë që shprehte dashuri për atdheun, gjuhën e kombin, çdo varg ku përmendej Shqipëria, konsiderohej provokim,dhe duhej të hiqej nga teksti i këngës.
Ndërkohë,edhe brenda Shqipërisë nën diktaturën komuniste, shqiptarët ndëshkoheshin sipas së njëjtës logjikë, për dëgjimin e valëve të huaja. Ata rrezikonin dënime sipas ligjit “agjitacion dhe propagandë”, me dënime të rënda deri në disa vjet burg, e në raste ekstreme deri edhe vdekje. Një absurditet tragjik: shqiptarëve u ndalohej të komunikonin me shqiptarët. Sot kjo tingëllon e pabesueshme për shumëkënd, por në fakt ne e kemi jetuar.
Pas viteve ’81, mjaftonte një fjalë e gabuar, një këngë patriotike e dëgjuar fshehurazi, mjaftonte për spiunët të ngitëtnin padi ndaj përsonit. Nëpër dritare vendosnim perde që të mos dukej drita e televizionit,asaj drite të vetme drejt një bote shqiptare të ndaluar. Por kjo ishte e njëjtë edhe për vëllezërit tanë brenda Shqipërisë. Edhe pse Jugosllavia nuk kishte një ligj të qartë si neni 55 i Kodit Penal të Shqipërisë, shqiptarët shpesh ndëshkoheshin. Ligjet dhe dënimet për shqiptarët ishin të fshehura ndaj të huajve, për t’u dukur se shteti jugosllav ishte më “i privilegjuar” dhe demokratik për qytetarët e tij. Por kjo ishte një iluzion për shqiptarët. Në praktikë, aparati shtetëror që udhëhiqej nga serbët, shqiptarët i kishte në krye të listës për ti persekutuar dhe etiketuar si armiq. Sot, në emisionet televizive në Shqipëri, dëgjojmë rrëfime nga njerëz që tregojnë se në komunizëm dëgjonin fshehurazi muzikë sllave si mënyrë rebelimi ndaj regjimit. Sa më shumë ndalohej diçka, aq më shumë lindte kurioziteti. Madje disa shqiptarë nga Shqiperia edhe sot thonë se ruajnë nostalgji dhe herë pas here i rikthehen atyre këngëve për t’i dëgjuar.
Por për ne që jetonim mes sllavëve,shqiptarët jashtë Shqipërisë, muzika shqipe nuk ishte e huaj,ajo ishte vetë identiteti ynë.Ne mburreshim me këngën shqipe, por mburreshim edhe me emrin Shqipëri.
Shkodra,si qyteti më i afërt për nga distanca,ishte dikur ëndrra jonë e ndaluar,mbetet edhe sot një simbol i paradoksit tonë kombëtar:aty ku shqiptarët ende presin në radhë për të kaluar nga një anë shqiptare në tjetrën,kufiri që nuk duhej të ekzistonte asnjëherë.Kënga shkodrane ishte për ne si zëri i shtëpisë.Çdo mëngjes përpiqeshim të kapnim valët e Radio Shkodrës me aparate që posedonim ,për të regjistruar një këngë, një zë, një copë Shkodër.
Ai që regjistronte ndonjë këngë të transmetuar nga Tirana,Shkodra apo ndonjë radio tjetër shqiptare,duhej të kishte kujdes,nëse në tekst përmendej fjala “Shqipëri apo edhe emri i ndonjë heroi nga Shqiperia”ato këngë duheshin të mshefeshin nga publiku,përndryshe kishte pasoja.
Ka pasur raste kur kasetat me këngë patriotike konfiskoheshin, njerëzit merreshin në pyetje, frikësoheshin, heshteshin, madje burgoseshin me etiketën si“irredentist”,vetëm pse donin artin dhe këngën e tyre shqipe.
Etiketa “patriot”mjaftonte që dikush të mbetej pa punë, edhe pse ishte më i kualifikuar se të tjerët. Edhe mbiemrat e sllavizuar, si ato me prapashtesën “–viq”, shumë i mbanin nga frika e hapur se ndryshimi i tyre do t’u mbyllte dyert.Ajo frikë,fatkeqësisht,ende ekziston e ngulitur tek disa njerëz diku në heshtje.
Megjithatë, në ato kohë të vështira, pasioni për artin, gjuhën dhe kombin ishte i madh. Asgjë nuk mund ta ndalonte dashurinë për melodinë që na rriti dhe na mbajti gjallë.
Kënga shqipe, ajo që dikur ishte e ndaluar, nuk ishte thjesht art. Ajo ishte rezistencë, dashuri për vetveten dhe për kombin.Ishte dëshmi se, edhe pse të ndarë,ishte kënga që na kujtonte se asnjë kufi nuk mund të ndajë një komb.Kënga ishte ura që na lidhte,dhe që mbante gjallë ndjenjën e përkatësisë sonë.
Pikërisht për këtë arsye ajo nuk duhet të harrohet, të zbehet apo të anashkalohet, sepse në çdo varg e në çdo melodi mbart historinë tonë të përbashkët.Edhe sot, kënga shqipe ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar; ajo na lidh me rrënjët tona, na kujton kush jemi dhe nga vijmë, dhe na mban të bashkuar pavarësisht se ku jetojmë.

