
Në qytetin e vjetër të Ulqinit, mbrëmë u hap solemnisht edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „Dulcinea“, një manifestim i ri ndërkombëtar kulturor kushtuar artit të monodramës, i cili në edicionin e tij të parë mblodhi artistë nga hapësira teatrore ndërkombëtare dhe rajonale.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në Muzeun e Ulqinit, në Qytetin e Vjetër, ku publiku pati mundësinë të ndiqte dy shfaqje me poetika të ndryshme artistike dhe me ndjeshmëri të veçanta teatrore.
Mbrëmjen e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „Dulcinea“ 2026 e hapi Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, i cili me këtë rast theksoi rëndësinë e veçantë të bedemeve të Qytetit të Vjetër, si dëshmi e një historie të pasur dhe të bujshme të kësaj treve. Ai nënvizoi se Qyteti i Vjetër përfaqëson një trashëgimi të çmuar historike dhe kulturore, historia e të cilit shtrihet përgjatë dy mijë e pesëqind vjetësh. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e veçantë të organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „Dulcinea“, duke e cilësuar atë si një ngjarje të rëndësishme kulturore që pasuron jetën artistike të qytetit dhe e vendos Ulqinin në hartën e ngjarjeve teatrore ndërkombëtare.
Programi u hap me monodramën „Për një banane“, me autor dhe interpretues Mayil Georgi Nieto nga Kolumbia/Italia. Ky prezantim ndërkombëtar i solli publikut një perspektivë të shprehjes se monodrames bashkohore përtej kuadrit rajonal dhe dëshmoi fuqinë universale të teatrit si hapësirë e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet artistit dhe publikut.
Në vijim të mbrëmjes u interpretua monodrama „Arka“, në interpretimin e Mentor Zymberajt nga Kosova. Pjesëmarrja e tij e konfirmoi më tej karakterin rajonal të festivalit dhe hapjen e tij ndaj artistëve dhe krijuesve teatrorë nga hapësira më e gjerë e Ballkanit.
Programi dëshmoi pikërisht atë që përbën një nga vlerat themelore të Festivalit „Dulcinea“, takimin e poetikave të ndryshme artistike, kulturave dhe përvojave përmes monodramës, një disiplinë teatrore kërkuese, në të cilën një aktor i vetëm mbart të gjithë rrëfimin dhe krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun.
Pas programit artistik, në Pallata Venezia u organizua një koktej me rastin e hapjes së festivalit, ku morën pjesë artistë, punonjës të kulturës, përfaqësues të mediave, të ftuar dhe dashamirës të teatrit.
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës „Dulcinea“ përbën një hap të rëndësishëm në ofertën kulturore të Ulqinit dhe krijon mundësi për zhvillimin e një tradite të re festivalore në një qytet me trashëgimi të pasur kulturore. Përmes monodramës, festivali lidh krijues teatrorë ndërkombëtarë dhe rajonalë, nxit bashkëpunimin kulturor dhe afirmon Ulqinin si një vend takimi të traditave të ndryshme artistike dhe kulturore.
„Dulcinea“, me edicionin e saj të parë, ka hapur një hapësirë të re për takimin ndërmjet artistëve dhe publikut dhe ka dëshmuar se Ulqini ka potencialin për të qenë mikpritës i ngjarjeve të rëndësishme teatrore ndërkombëtare.
Përmes programit të tij, festivali synon të krijojë hapësirë për zëra të rinj teatrorë, bashkëpunim ndërkombëtar dhe krijimtari bashkëkohore artistike, duke u mbështetur njëkohësisht në trashëgiminë kulturore dhe në mjedisin unik të Ulqinit.
Programi i ceremonisë së hapjes
Muzeu i Ulqinit, Qyteti i Vjetër – 19 gusht 2026
20:00 – Hapja solemne e festivalit
20:15 – „Për një banane“ / Mayil Georgi Nieto, Kolumbi/Itali
21:00 – „Arka“ / Mentor Zymberaj, Kosovë
22:00 – Koktej me rastin e hapjes /Pallati Venezia
Hyrja në shfaqjet e festivalit ishte falas.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës „Dulcinea“ vijon programin e tij në Ulqin, duke i sjellë publikut vepra të reja teatrore dhe duke vazhduar të lidhë artistë, kultura dhe tradita teatrore përmes një prej formave më intime dhe më kërkuese të shprehjes skenike.
Mediat ftohen të ndjekin programin e festivalit dhe të informojnë publikun mbi zhvillimet e mëtejshme.
