
Fatmir Gjeka (Foto: Qeveria e Malit të Zi)
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, në një intervistë për Portalin ETV, foli për atë se sa pakicat e ndjejnë sot Malin e Zi si shtetin e tyre, për integrimin e tyre, si dhe për përfaqësimin e popujve pakicë në institucionet shtetërore, veçanërisht në sektorin e sigurisë dhe të drejtësisë.
Duke folur për sa i fortë është sot ndjenja e përkatësisë ndaj Malit të Zi tek pjesëtarët e popujve pakicë dhe çfarë duhet bërë ende që integrimi të jetë i plotë, Gjeka tha se pakicat e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj shtetit që para dy dekadash, pikërisht kur kjo ishte më e rëndësishmja.
“Mendoj se pakicat e dëshmuan përkushtimin e tyre ndaj Malit të Zi para dy dekadash, kur kjo ishte më e rëndësishme, duke votuar masivisht që ai të rifitonte pavarësinë. Mendonim se ky ishte kuadri më i mirë për të gjithë ne, se ky vend duhet të jetë një shtëpi e ngrohtë për të gjithë ata që jetojnë në të. Dhe jam i sigurt se kjo ishte një vendimmarrje e shkëlqyer. Na gëzon fakti që një qëndrim të tillë, sipas sondazheve, e ndajnë tashmë tri të katërtat e banorëve të Malit të Zi”, tha Gjeka.
Ai vlerëson se e ardhmja e çdo shoqërie dhe shteti mbështetet mbi drejtësinë dhe antirracizmin, dhe se pikërisht mbi këto parime duhet të ndërtohet Mali i Zi si një komunitet gjithëpërfshirës.
“Një shoqëri dhe një shtet kanë të ardhme vetëm nëse mbështeten mbi themelet e drejtësisë dhe antirracizmit. Këto janë themelet mbi të cilat duhet të qëndrojë Mali i Zi i jonë, që të jetë një bashkësi përfshirëse për të gjithë qytetarët e tij”, tha Gjeka.
Më pak pakica në sektorin e sigurisë dhe të drejtësisë
Gjeka foli edhe për përfaqësimin e pamjaftueshëm të popujve pakicë në institucionet shtetërore, të cilin më herët e kishte cilësuar si një nga problemet më të mëdha.
I pyetur për gjendjen aktuale dhe nëse pakicat janë të përfaqësuara mjaftueshëm në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë, Ushtri, polici, prokurori dhe gjyqësor, ai tha se ka hapësirë për përmirësim, veçanërisht në këto institucione.
“Natyrisht që gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, sidomos në institucionet që i përmendët. Edhe sot ka dukshëm më pak pjesëtarë të pakicave sesa përqindja që ato përbëjnë në numrin e përgjithshëm të popullsisë”, theksoi Gjeka.
Veprimi afirmativ dhe sistemi i kuotave
Duke folur për mundësinë që shteti të vendosë mekanizma të qartë dhe të matshëm për rritjen e përfaqësimit të pakicave në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë, Gjeka kujtoi se Kushtetuta dhe ligjet tashmë e përcaktojnë qartë detyrimin e shtetit për të siguruar përfaqësim të duhur.
“Kushtetuta dhe ligjet tona e parashohin qartë këtë. Mendoj se instituti i veprimit afirmativ do të ndihmonte në përmirësimin e këtij përqindjeje të ulët aktuale. Ekziston edhe sistemi i kuotave, i cili do të garantonte përfaqësim proporcional, si dhe një sërë masash të tjera, rezultatet e të cilave i monitorojmë përmes dokumenteve strategjike dhe organeve të pavarura mbikëqyrëse”, tha Gjeka.
Sipas tij, një qasje e tillë nuk do të thoshte vetëm përfaqësim më të mirë të popujve pakicë në institucionet shtetërore, por do të kontribuonte edhe në forcimin e vetë shtetit.
“Përvoja jonë tregon se diçka e tillë e bën shtetin më të fortë dhe më rezistent. Dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në botën e sotme. Për shtetin tonë të vogël, është me rëndësi vendimtare”, përfundoi Gjeka.
