(Nga Nokshiqi i Plavë-Gucisë në Malësisë e Gjakovës (Tropojë) dhe deri në Dallas–Teksas të Amerikës: një jetë shqiptarie, pune, humanizmi e misioni kombëtar)

Nga RAMIZ LUSHAJ

Tropoja e nderoi me titullin “Qytetar Nderi”

Një nga momentet më domethënëse, kulmore, lartnore, në vlerësimin publik të jetës dhe veprimtarisë së shqiptaro-amerikanit atdhetar, humanitar, kulturor, Zek Nokshiqi, është nderimi i tij nga Bashkia Tropojë, nga Këshilli Bashkiak, me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Tropojës”, një vlerësim që e lidh edhe më fort emrin e tij me vendlindjen e tij, me Malësinë e Gjakovës në bjeshkë e vrri e me rrethina dhe me historinë e kulturën e saj.

Me rastin e këtij nderimi meritor, Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, një pasardhës i Derës së Madhe të Haxhi Zekë Byberit të Lidhjes së Prizrenit e të Pejës, bash në ditën e 17 gushtit 2026, në një ceremoni zyrtare solemne e festive, në sallën e eventeve të Muzeut të madh Historik të qytetit alpin, e cilësoi Zek Nokshiqin si “një burrë fisnik, përfaqësues i një familjeje me tradita të spikatura atdhetare dhe një aktivist i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në mesazhin e tij, Kryebashkiaku Byberi i kësaj Bashkie Alpine, theksoi gjithashtu se Tropoja ka qenë dhe mbetet një vatër e fortë e atdhetarisë, një urë bashkimi dhe një simbol i lidhjes së pandarë mes shqiptarëve, kudo që ata jetojnë, duke e vendosur kështu nderimin e Zek Nokshiqit në një kuadër më të gjerë të marrëdhënies historike të Tropojës me Diasporën dhe me Çështjen Kombëtare.

Ky vlerësim nuk është vetëm një titull ceremonial. Përkundrazi. Mirësisht. Është një njohje institucionale e një veprimtarie shumëvjeçare të Zek Nokshiqit që shtrihet nga Teksasi në Tropojë, nga Plavë-Gucia në Kosovë, nga ndihmat humanitare te veprimtaritë kulturore, nga ruajtja e kujtesës historike te mbështetja e Komunitetit Shqiptar në Amerikë.

Fjalët përmbyllëse të Kryetarit të Bashkisë Tropojë: “E gëzofsh këtë nderim të merituar, miku im Zek Nokshiqi!”- e bëjnë këtë vlerësim edhe ma njerëzor e ma të ngrohtë, sepse në to bashkohen nderimi institucional, respekti qytetar, miqësia.

Për Zek Nokshiqin, titulli i lartë “Qytetar Nderi i Tropojës” është një kurorëzim i natyrshëm i lidhjes së tij me Malësinë e Gjakovës e rrethinat e saj dhe një dëshmi se largësia gjeografike nuk e dobësoi asnjëherë lidhjen me vendlindjen e tij. Përkundrazi, e bëri Zekë Nokshiqin edhe më të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë ndaj saj.

Në këtë kuptim, Tropoja nuk nderoi vetëm një individ. Përkundrazi. Nderoi një model të shqiptarit të Diasporës që arrin suksese jashtë Atdheut të tij amë, të lindjes, por kthehet gjithmonë me mendje, zemër dhe vepra te vendi i  vet.

Zek Selim Nokshiqi iu përket atyre njerëzve që janë larguar nga vendlindja, por vendlindja nuk largohet asnjëherë prej tyre. Ai e ka ndërtuar jetën në një kontinent tjetër, në Amerikën e përtej Atlantikut, ka krijuar familje në tre breza atje, ka ngritë  biznese aty, ka arritë mirëqenie të begatë, ka bërë emër të mirë, por një pjesë e mendjes dhe e zemrës së tij vazhdon të jetojë atje ku janë rrënjët e tij historike e genetike, në vendlindjen e vet, tek kombi i vet.

Në jetën e Zekë Nokshiqit bashkohen disa hapësira që për jetën e veprimtarinë e tij nuk janë pika të ndara në hartën e rrugëtimit të tij dhe të globit: Nokshiqi i Plavë-Gucisë, Malësia e Gjakovës-Tropoja, Kosova dardane dhe Dallas–Fort Worth në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Janë vende që Zeka, ndër kohëra, i ka lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet jetës, familjes, punës, humanizmit dhe veprimtarisë kombëtare.

Zek Nokshiqi është shqiptaro-amerikan prej dekadash – me fill prej nga vitet ‘90; biznesmen i suksesshëm në Dallas-Teksas; ish-Nënkryetar i Komunitetit Shqiptar në Dallas-Teksas; veprimtar i shquar i Diasporës; humanist i mirënjohur; nismëtar veprash të kujtesës kombëtare; sikurse për Varrezat e Nokshiqit në Plavë, etj., një këngëtar i njohur i këngës tradicionale shqiptare.

Zekë Nokshiqi është edhe Koordinator i Përgjithshëm i  “Gazeta e Alpeve” për shtetin e Teksasit në SHBA.

Ai veçohet si një ndër njerëzit më aktivë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Teksas e në Amerikë dhe në troje etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Para së gjithash duhet të themi hapur e qartë se asnjë prej këtyre cilësimeve, e marrë veçmas, nuk mjafton për ta dhënë portretin me format plotor e të lartë të Zek Nokshiqit. Kjo për faktin se kryefjala e jetës së tij duket botnisht se ka qenë dhe mbetet: Kombi. Atdheu. Flamuri. Puna. Familja. Tradita shqiptare.

Nga një “Shtëpi e Madhe” e Malësive të Alpeve

Nokshiqët e Tropojës, personalisht, i kam njohur qysh herët, në shekullin e kaluar; pavarësisht faktit se ata, edhe në shekujt ma të kahershëm, i njeh historia kombëtare shqiptare e ndërballkanike, edhe historia botërore veçmas për “Betejat e Nokshiqit” (1879-1880).

Në Llugaj të Tropojës, ku shkoja shpesh te Çakrajt-dajët e babës tem, kullat e Nokshiqëve, ngritë në afri me njana-tjetren, të rrethueme me avlli të lartë, më dukeshin si një kështjellë. Në Malësitë Alpine, një “Shtëpi e Madhe” nuk matej vetëm nga muret, kullat apo toka. Matej nga burrat e saj, nga buka që shtrohej, nga dera që hapej, nga fjala që mbahej, nga historia që trashëgohej ndër brezni. Dhe pikërisht, asokohe e tevona, më vinte ndër mend ajo thënia që e kam përdorur nja dy-tri herë në shkrimet e mia: “Aty ku ka burra, ngrihen kulla.”

Në këtë mjedis alpin lindi dhe u rrit Zek Selim Nokshiqi, nipashi im, se nana e tij ishte bijë dinjitare e vllaznisë Lushaj të Gegajve të Shipshanit (Tropojë). Në shënimet e mia të hershme e kam përshkruar Zekën si njeri “të mirë e për mirë”, si njeri të punëve të mira, në një shtëpi të madhe kështjellore, ku Oda e Burrave ngjante me një muze shqiptarie. Sikurse edhe sot, ngjan e tillë Oda e Burrave në shtëpinë e tij në metropolin Dallas–Fort Worth (DFW) në veri të shtetit të Teksasit (SHBA).

Dhe kjo nuk është rastësi. Mbiemri Nokshiqi mbart një histori të tërë, plot lavdi, krejt shqiptari. Janë Kelmend, fis i madh i kombit shqiptar. Nga katër barqet e Nokës (Nokshiqit kelmendas): Mekuli (vllaznia e Zek Nokshiqit), Selimaj, Buçaj, Mehaj, nga treva e tyre, kanë dalë njerëz të pushkës, por edhe të penës, të kulturës, të shkencës, të artit dhe të veprimtarisë kombëtare.

E kanë emrin e tyre në historinë e Plavë-Gucisë, të Alpeve Shqiptare, të Kombit Shqiptar: luftëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, figurat e lidhura me Betejat e Nokshiqit: Nure Kurti, Kurt Asllani, Bali Bajrami (Mekuli-Nokshiqi), Hoxhë Nokshiqi (Smajl Adem Mekuli), Puro Mekuli, Ali (Smajli) Mekuli), Bajram Hysi (Mekuli-Nokshiqi) Kajë Galja në Nokshiq (motra e Zhuj Selmanit të historisë epike kombëtare), Bege Maliqja, Zymer  e Imer Maliqi dhe shumë të tjerë.

          Historia shqiptare përmend emra të mëdhenj nokshiqas në letërsi, shkencë, gazetari, arte, mjekësi, humanizëm etj.: Esad Mekuli – akademik, ish Kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, poet, studiues, përkthyes, gazetar, Kryeredaktor i gazetave “Rilindja”, “Jeta e Re” etj.. Hasan Mekuli – poet, studiues, gazetar, Kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e Re” dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Qerim Ujkani Selimaj – poet, gazetar, përkthyes, redaktor në Radio Prishtina e dikurshme, i cilësuar në Milano (Itali), në kuadër të “Letërsia e shekujve”. Vëll. XXXIII, “në mesin e 15 poetëve shqiptarë të të gjitha kohërave”. Etj.

Prandaj, kur Zek Nokshiqi flet për Nokshiqin, nuk flet vetëm për një emër gjeografik. Flet për gjakun e vet, për kujtesën e të parëve, për amanete, për figura epike e kulturore, për lartësi historike e ardhmëri shqiptare.

Nokshiqi, një emër që përmban histori

Epopeja historike e Nokshiqit e viteve 1879-1880 është një ngjarje nga ma madhoret në historinë kombëtare shqiptare, sepse shqiptarët etnikë- prej nga koha e hekurit dhe deri tek kjo e sotmja e internetit, për herë të parë u ngritën të bashkuar në një luftë frontale për të kundërshtuar Vendimet kundërshqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), të 6 Fuqive më të Mëdha të Botës së atëhershme: që ishin perandori, sundimtare të globit, sikurse: Gjermania, Britania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria, Italia dhe, njëkohësisht, edhe kundër Perandorisë Otomane, por edhe ndaj dy krajlive të Ballkanit: Serbisë dhe Malit të Zi. Asnjëherë në historinë shqiptare nuk ka ndodhur sikurse me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit që e shtriu territorin e vet në pesë vilajetet otomane të kohës, në një sipërfaqe gjeofizike e politike që vështirë të arrihet edhe në kohërat e ardhshme, e sigurisht i bashkoi shqiptarët e Ballkanit në Betejën e jashtëzakonshme të Nokshiqit, e cila ishte ndryshe edhe “Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare” në Vlorën e 1912-tës.

Beteja e Nokshiqit, në dhjetor 1879 dhe janar 1880, është një nga ato ngjarje që Familja Nokshiqi e ka mbajtur të gjallë në kujtesën e saj brez pas brezi, deri edhe brezi i sotëm i Zekës e i djemëve të tij, i Vllaznisë Nokshiqi në Teksas, e cila nuk shihet vetëm si histori e largët, por si pjesë e identitetit të tyre familjar dhe kombëtar.

Kjo e shpjegon edhe një nga veprat ma domethënëse të Zek Nokshiqit: Aksionin Kombëtar për rregullimin e Varrezave të Nokshiqit në Plavë. Nuk ishte një aksion ceremonial. Ishte një ndërmarrje konkrete, e veçantë, e lavdërueshme. Nga Dallasi i largët i Amerikës, Zek Nokshiqi u bë nismëtar i parë dhe drejtues kryesor i një mobilizimi shqiptaro-amerikan që përfshiu njerëz nga Teksasi, Nju Jorku, shtete të tjera të Amerikës, nga Europa dhe trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi ishte pastrimi, rrethimi, rregullimi dhe më pas mirëmbajtja e rreth 100 varreve në Nokshiq të Plavës. Edhe “Gazeta e Alpeve”, sikurse Portali “Plava e Gucia Sot”, ishte pjesë e lobimit dhe e pasqyrimit të këtij Aksioni të madh, që në një kohë të shkurtër thirrjes së tij iu përgjigjën rreth njëqind kontribues nga Amerika, Plavë-Gucia, Ulqini, Peja, Gjakova, Prishtina, Tetova, Shkupi e vende të tjera. Projekti parashikonte një fond të konsiderueshëm dhe vetë Zek Nokshiqi ishte ndër kontribuesit e parë.

Por rëndësia më e madhe e këtij aksioni nuk qëndron tek shumat monetare, por tek besimi. Pikërisht tek besimi i lartë, i plotë, njerëzor, bestar. Njerëzit dhanë, sepse besuan, sepse njihnin njeriun që u kishte bërë thirrje atyre. Në një shkrim timin të asaj kohe kam theksuar se shqiptarët e Teksasit, Amerikës, Plavë-Gucisë e Tropojës kishin besim te korrektësia e tij, tek energjia e tij, tek shpirti human, praktik, atdhetar i tij, sepse Zek Nokshiqi ishte prej atyre burrave tek të cilët mund të mbështetesh e të lësh besimin tënd.

Ky është një kapital shumë më i madh se kapitali financiar. Është kapitali i emrit të mirë të Zek Nokshiqit.

                  31 janar 1991 – rruga drejt Amerikës

Në një mesazh të shkurtër, me titullin domethënës: “Faleminderit, Amerikë!”, botuar në “Gazeta e Alpeve”, Zek Nokshiqi tregonte se mbërriti emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 31 janar 1991. Fillimisht e njohu Nju Jorkun e Statujës së Lirisë, ndërsa më vonë jeta e tij u lidh me Teksasin, me Dallas-Fort Worth (DFW).

Amerika ia ndryshoi jetën. Atje, aty, punoi shumë e mirë. Atje i ndërtoi familjen në brezni dhe bizneset në shumësi, sikurse Zeka, edhe Familja e Madhe Nokshiqi. Atje pa nga afër se çfarë mund të arrijë njeriu kur liria, mundësia dhe puna ecin së bashku. Pas tridhjetë vjetësh në Shtetet e Bashkuara (2021), Zeka shkruante me mirënjohje se familja dhe vllaznia Nokshiqi në Teksas kishin krijuar shtëpi, biznese dhe një jetë me të ardhme të sigurtë.

Këto fjalë nuk janë thjesht falënderim ndaj vendit ku emigroi. Janë një dëshmi e filozofisë së tij jetësore.

Amerika i dha mundësinë të realizonte ëndrrën e tij; ai u përpoq që një pjesë të asaj mundësie ta kthente në dobi të shqiptarëve, të vendlindjes së tij.

Në Dallas, sipas fjalëve të Zekës, shqiptarët kishin krijuar një lloj “Shqipërie të Vogël”- një komunitet ku mund të ishe njëkohësisht qytetar amerikan dhe të ruaje krenarinë e identitetit shqiptar.

Kjo është një nga arritjet më të mëdha të Diasporës sonë. Të integrohesh pa u tretur në identitet të përparosh pa harruar atdheun e lindjes;  të bëhesh një amerikan i denjë, pa pushuar së qeni shqiptar i mirë.

E, kjo, ishte një nga motivimet që e shtynë Tropojën, vendlindjen e tij, institucionin bashkiak të saj, për t’i dhënë, këto ditë, titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës.

Një emër i suksesit shqiptar në Teksas

Zek Nokshiqi dhe vllaznia e tij e Mekulëve të Nokshiqit, e thamë se kanë ngritur ndër vite një rrjet biznesesh në Teksas. Ky sukses nuk përmendet vetëm për vlerën ekonomike. Ai ka rëndësi edhe si një shembull i ngritjes së emrit shqiptar në një prej shteteve më të mëdha të Amerikës.

Në materialet e “Gazeta e Alpeve”(tashma e kthyer edhe në “Zëri i Maleve të Botës”), Zek Nokshiqi paraqitet si biznesmen shqiptaro-amerikan i njohur dhe si pjesëtar i një vllaznie që jo vetëm ngriti biznese, por ndërmori edhe veprimtari bamirëse në Amerikë, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut.

Kjo është një anë e rëndësishme e karakterit të tij, sepse Zek Nokshiqi nuk e pa suksesin vetëm si pronë personale. E pa edhe si mundësi për të ndihmuar të tjerët, vendlindjen e vet, kombin e vet shqiptar.

Për disa vite me radhë Zek Nokshiqi ka qenë ndër drejtuesit e Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane të Teksasit, duke mbajtur edhe detyrën e Nënkryetarit për Komunitetin Shqiptar të Dallas–Fort Ëorth (DFË), një zonë metropolitane (“Metroplex”) me 22.470 km2 (MSA), dy herë ma i madh se Republika e Kosovës dardane dhe me 8.5 milionë banorë, mbi dy herë ma shumë se popullsia e Shqipërisë. Komuniteti shqiptar atje/aty është marrë me shumë veprimtari kombëtare, kulturore e humanitare: festa të Flamurit, shkolla shqipe, ndihma për bashkatdhetarët dhe aksione të ndryshme në trojet shqiptare, etj. Është ndër komunitetet shqiptare ma të mirë-organizuara në të gjithë Diasporën Shqiptare në Botë. Ka një Qendër Kulturore për komunitetin shqiptar të Teksasit që rrallëkund e gjen në mërgatat e tjera shqiptare.

Në këtë kuadër, në Dallas (Teksas) vlera e shkollës shqipe është e jashtëzakonshme. Mund të ndërtohen shumë godina. Mund të ngrihen shumë biznese. Por një klasë ku një fëmijë shqiptaro-amerikan mëson germat e Shqipes është një nga investimet më të mëdha që Diaspora mund t’i bëjë së ardhmes kombëtare. Sepse Gjuha është Atdheu që njeriu e merr me vete kudo.

Veprimtaria e shqiptarëve të Teksasit nuk ka mbetur vetëm në Amerikë, ku një varg ndihmash humanitare kanë mbërritur në spitale të trojeve shqiptare. E, patjetër, ndihet dhe kontributi i Zek Nokshiqit, i Vllaznisë Nokshiqi. Në vitin 2021, për shembull, komuniteti shqiptaro-amerikan i Teksasit dërgoi në Spitalin Klinik të Tetovës rreth 500 pako me batanije, çarçafë, jastëkë dhe materiale të tjera. Ndihma të tjera mbërritën në Spitalin e Strugës, u dërguan edhe në Spitalin e Dibrës në Shqipëri. Edhe në Kosovë. Dhe në fund të majit 2021 ndihmat shqiptaro-amerikane mbërritën edhe në Spitalin “Isa Zllami” të Tropojës, në qytetin alpin Bajram Curri, ku institucioni shëndetësor i shprehu mirënjohjen Komunitetit Shqiptar të Teksasit. Një mirënjohje që vazhdimin edhe këtë gusht 2026, me shpalljen e Zek Nokshiqit “Qytetar Nderi i Tropojës”.

Katër qytete. Tre shtete – Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Kosovë. Një gjuhë. Një komb. Një solidaritet. Këtu shihet në mënyrën më konkrete kuptimi i Diasporës Shqiptare. Diaspora nuk është vetëm ajo që dërgon para në familje, por edhe ajo që dërgon një batanije për një të sëmurë që nuk e njeh, një pajisje për një spital. Një ndihmë për një shkollë. Një dorë për një familje të goditur nga fatkeqësia. Etj.

Një episod tjetër që e karakterizon Zek Nokshiqin është edhe vizita e tij e 6 nëntorit 2019 në Malësinë e Rrozhajës, në Dacaj, në vatrën e arsimit shqip të asaj treve alpine, etnike shqiptare në Malin e Zi. Nuk shkoi atje për një protokoll të madh. Aty u prit nga mësues, drejtues të shkollës dhe nga personalitete të kulturës e arsimit shqip, mes tyre Ali Daci. Pra, një veprimtar kombëtar njihet edhe nga vendet ku ndalon.

Dhe të ndalosh te një shkollë shqipe në një trevë ku mbajtja gjallë e gjuhës amtare kërkon sakrificë, është një gjest me domethënie të veçantë për Zek Nokshiqin. Sepse aty nuk shkon vetëm tek nxënësit. Shkon tek e ardhmja.

Zek Nokshiqi udhëton me të ardhmen përmes angazhimeve kombëtare, humanizmit njerëzor, kontributit kulturor.

Kosova, Rugova dhe një shtëpi që sheh nga bjeshkët, alpet

Kosova dardane zë një vend tjetër të veçantë në jetën e Zek Nokshiqit.

Në verën e vitit 2021, erdhi nga Teksasi së bashku me bashkëshorten, znj. Nafije Prozllomi-Nokshiqi, duke vizituar Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Duke pasë një mision të veçantë.

Në Qafë të Rexhaje të Shkrelit në Rugovë të Pejës e filloi ndërtimin e shtëpisë së tij të re alpine, që tashti ia ka ngritë çatinë dhe brenda saj ka aq shumë shqiptari. Aty gjen edhe Amerikë.

Edhe makina e tij amerikane mbante një targë që thoshte shumë: Nokshiq. Vetëm gjashtë shkronja të Alfabetit Shqip. Por brenda tyre një histori e madhe. Amerika në targë. Nokshiqi në emër. Rugova përpara syve. Dhe Alpet përreth.

Asokohe, në korrik 2021, familjarë të tij, përfshirë edhe poetin e memorialistin Shaban Bali Nokshiqi (i ndjerë) e vizituan edhe Memorialin e Rexhajve kushtuar Luftës së Nokshiqit, që është krejt afër kullës së re alpine të tij.

Në raste të tilla kupton se për Zek Nokshiqin lidhja me historinë nuk është abstrakte. Ajo është pjesë e jetës së tij të përditshme.

Kënga, një tjetër mënyrë për të qenë shqiptar

Në portretin e Zek Nokshiqit ka edhe një dimension tjetër të bukur: kënga. Ai është këngëtar i odave malësore, i skenave dhe i ekraneve, interpretues i këngës shqipe. Edhe në Tropojë, edhe në Trojet Etnike Shqiptare në Ballkan, edhe në Teksas. Gjithandej. Gjithmonë.

Në materialet e mahershme shkrimore përmenden interpretime solo dhe bashkëpunime me këngëtarë të mirënjohur si Gëzim Nika, Fatmira Breçani, Shkëlzen Jetishi–Xeni, Rifat Kida, Shefqet Ademi, Arben Gjeloshi e të tjerë.

Kjo anë e tij nuk duhet parë si diçka e shkëputur nga pjesa tjetër e portretit të tij shumëdimensional.

Për malësorin alpin kënga është kujtesë, histori, amanet. Është një mënyrë për ta thënë me lahutë, çifteli apo zë atë që historia e shkruan me dokument.

Dhe kur kënga shqipe këndohet në Teksas, ajo merr një kuptim tjetër. Ajo bëhet një copë Atdheu përtej Atlantikut.

Njeriu që flet pak për veten

Një prej kujtimeve të mia më domethënëse për Zek Nokshiqin lidhet me një bisedë telefonike që e zhvilluam kur po shkruaja për Aksionin e Madh Kombëtar për Varrezat e Nokshiqit në Plavë.

I bëja pyetje për të, për jetën e veprimtaritë e tij.  Zeka më fliste për të tjerët.

E pyesja për punën e tij. Zeka më fliste për Komunitetin Shqiptar të Teksasit.

E pyesja për kontributet personale. Zeka më fliste për Nokshiqin, Plavë-Gucinë, Tropojën, shqiptarët e Amerikës.

Në shkrimin e asaj kohe kam shënuar se intervista ishte disi e vështirë pikërisht sepse Zek Nokshiqi nuk dëshironte të fliste për veten, por për komunitetin dhe për çështjet shqiptare.

Ky është një detaj i vogël. Por ndonjëherë një detaj i vogël tregon më shumë për njeriun sesa një biografi e tërë.

Për kontributet e tij Zek Nokshiqi është nderuar edhe me vlerësime publike, para vlerësimit me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Tropojës”.

Më 1 gusht 2019, në “Takimi Kombëtar i Plavë-Gucisë”, tek hoteli “Krojet e Vuthajve”, veprimtari i shquar atdhetar, kulturor, humanitar, Zek Nokshiqi u nderua me Çmimin e Madh “Dardania”, si vlerësim për veprimtarinë dhe kontributet e tij.

Por për njerëz të tillë, mirënjohja më e madhe nuk është gjithmonë ajo që shkruhet në diplomë. Është fjala e mirë që mbetet pas, dera që të hapet, besimi që të jepet.

Zek Nokshiqi ishte Kryeorganizatori i Takimit të Madh të Nokshiqit (në shkurt 2025), që me fjalën e tij, me punën e tij angazhuese, me fondet e tij e të vllaznisë nokshiqase, i mblodhi në “Emerald Hotel” me pesë yje në kryeqytetin e Prishtinës 714 të ftuar nderi, dhe mbi 100 të tjerë u larguan sepse nuk kishte tavolina e karrike hoteli i madh i Kosovës dardane. Aty u përkujtua me madhështi përvjetori i Betejave të Nokshiqit, u festua edhe nderimi me dekoratën e lartë: Urdhrin “Hasan Prishtina” nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Vetëm një personalitet si Zek Nokshiqi, një emër familje të madhe e të mirë si Nokshiqasit e Plavë-Gucisë, të Tropojës e të Teksasit, vetëm emri i një Beteje historike si e Nokshiqit, mundet t’iu shkojnë në një aktivitet kaq shumë personalitete, të ftuar nderi në Takimi i Madh i Nokshiqit.

Është fakti që, kur bëhet një thirrje për një punë të mirë, njerëzit bashkohen rreth teje.

DY ATDHE, NJË ZEMËR

E thamë edhe ma herët, ma nelt, se  më 31 janar 2021, në 30-vjetorin e mbërritjes së tij në Shtetet e Bashkuara, Zek Nokshiqi shkroi: “Faleminderit, Amerikë!” Dhe në fund: “Zoti e bekoftë Amerikën!”

Nuk ka kontradiktë këtu. Përkundrazi. Mund ta duash Amerikën që të dha lirinë, mundësinë dhe suksesin, dhe njëkohësisht ta duash Shqipërinë, Kosovën, Plavë-Gucinë, Tropojën dhe trojet e tua të origjinës, kombin tand.

Zek Nokshiqi është shembulli i shqiptarit që nuk ka pasur nevojë të zgjedhë mes këtyre dy dashurive. Ai e ka Amerikën atdhe të dytë. Por origjinën shqiptare e ka amanet të parë. Ai është një urë njerëzore mbi Atlantik.

Në fund, nëse do të duhej ta përmblidhnim Zek Nokshiqin në një fjali, do të ishte e vështirë, tejet e vështirë. Sepse ai është biznesmen, por portreti i tij nuk mbaron tek biznesi. Është veprimtar, por jo vetëm. Është humanist. Është këngëtar. Është familjar. Është një Nokshiqas i Plavë-Gucisë. Është një malësor  alpin i Malësisë së Gjakovës. Është shqiptaro-amerikan i Dallasit. Është mik i Kosovës.

Është një njeri që, kur vjen në Ballkan, kalon nga Tropoja në Rugovë, kalon nga Plavë-Gucia në Rrozhajë, kalon nga një shkollë shqipe në një memorial, kalon nga një mik tek një i afërm, sikur kufijtë shtetërorë të mos mund ta ndanin atë që historia dhe gjaku e kanë lidhur prej shekujsh.

Dhe ndoshta këtu qëndron thelbi i tij.

Zek Nokshiqi është një urë njerëzore ndërmjet Amerikës dhe trojeve shqiptare. Një urë që nuk e ndërpreu Atlantiku. Një urë që nuk e dobësoi largësia. Një urë që u forcua nga puna dhe mundësitë që i dha Amerika.

Ai e ka provuar se një shqiptar mund të jetojë mijëra kilometra larg vendlindjes dhe prapëseprapë të jetë çdo ditë pranë saj.

Sepse atdheu nuk është vetëm vendi ku jeton. Atdheu është edhe vendi për të cilin mendon. Është vendi për të cilin shqetësohesh. Është vendi ku ndihmon. Është vendi ku kthehesh. Është varri i të parit që nuk e lë të humbasë. Është shkolla shqipe që e ndihmon të mbetet hapur. Është spitali ku dërgon ndihmë. Është kënga që e këndon në Dallas. Është flamuri që e ngre në Amerikë. Është Nokshiqi që e mban edhe në targën e makinës.

Prandaj, përtej çdo posti, titulli, biznesi apo çmimi, Zek Nokshiqi mund të përkufizohet me diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të madhe: Zek Nokshiqi është një burrë shqiptar që nuk e harroi kurrë nga erdhi. Një njeri të cilit Amerika i dha mundësi dhe ai i dha Amerikës punën e tij. Një njeri të cilit të parët i lanë një emër dhe ai u përpoq ta lartësonte. Një njeri që nga Nokshiqi i Plavë-Gucisë, Tropoja e Kosova deri në Dallas të Teksasit, e ka ndërtuar jetën si një udhëtim mes dy kontinenteve, por me një busull të pandryshueshme: Shqiptarinë.

Dhe ndaj Zek Nokshiqit, “Qytetar Nderi i Tropojës”, i shkon për shtat një përcaktim: Njeriu që mendja dhe zemra i punojnë për Kombin e vet.

By admini

Leave a Reply