
Guri është i kërkuar dhe me çmim (ilustrim), Foto: Shutterstock
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar aktin e koncesionit për vendburimin “Darzë” në Komunën eUlqinit, duke hapur kështu rrugën për shpalljen e një tenderi publik për dhënien e koncesionit për kërkime gjeologjike dhe shfrytëzim të gurit teknik‑ndërtimor, me rezerva të vlerësuara rreth 900.000 metra kub.
Siç shkruan e përditshmja ”Vijesti”, me planin, të përgatitur nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, parashihet shfrytëzimi i vendburimit “Darzë” deri në 30 vjet, pavarësisht kundërshtimeve të Komunës së Ulqinit dhe disa bashkësive lokale, të cilat kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme negative ndaj mjedisit jetësor, prodhimit bujqësor, infrastrukturës lokale rrugore dhe sigurisë në trafik, transmeton Ulqini Online.
Sipas të dhënave të MONSTAT-it, çmimi mesatar i tregut për agregatin e gurit në Mal të Zi për vitin 2025 ishte rreth 17,30 euro për metër kub.
“Komuna e Ulqinit ka dërguar më 16.1.2026 vërejtje dhe sugjerime për këtë lokalitet, të cilat nuk janë marrë parasysh dhe as nuk janë reflektuar në draftin e aktit të koncesionit. Veçanërisht theksojmë se në draft askund nuk trajtohet ndikimi i shfrytëzimit të planifikuar mbi tokën bujqësore, si dhe fakti se hapësira në fjalë ndodhet në afërsi të menjëhershme të një zone të banuar, gjë që padyshim ndikon në jetën e përditshme dhe sigurinë e banorëve lokalë”, thuhet në vërejtjet e administratës lokale të drejtuar nga Genci Nimanbegu.
Procedura për përgatitjen e shpalljes publike zhvillohet në përputhje me Planin për dhënien e koncesioneve për vitin 2026, të cilin Qeveria e ka miratuar në mbledhjen e 19 shkurtit 2026.
