Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka drejtuar një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit shqiptarë në vend, duke theksuar rëndësinë e arsimit në gjuhën amtare dhe rolin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar, transmeton Ulqini Online.

Në urimin e tij, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, shpreh përkrahjen dhe mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuojnë në procesin edukativo-arsimor, duke theksuar se “arsimi në gjuhën shqipe është jo vetëm mjet i diturisë, por edhe shtyllë e fortë për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, të gjuhës shqipe dhe të trashëgimisë sonë kulturore.”

Urimi përfshin përshëndetje të veçanta për nxënësit shqiptarë në komunat me shumicë shqiptare si Rozhajë, Plavë, Guci, Malësi, Tivar dhe Ulqin, të cilët sot nisin një etapë të re në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe përparimit.

“Le të jetë ky vit shkollor një vit i dijes, bashkëpunimit dhe suksesit për të gjithë,” thuhet në mesazhin e KKSH-së, i cili njëherazi nënvizon rolin vendimtar të mësuesve për përkushtimin e tyre, si dhe të prindërve për mbështetjen e pandërprerë që i japin fëmijëve në rrugën e formimit të tyre arsimor e qytetar.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë ndër institucionet që vazhdimisht ka ngritur zërin për të drejtat arsimore dhe kulturore të shqiptarëve në këtë shtet, duke e konsideruar edukimin si një themel të patjetërsueshëm për zhvillimin dhe mirëqenien e komunitetit.

By admini