Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit në komunën e Ulqinit është pajisur me një dron të teknologjisë së lartë, që do të shërbejë për zbulimin dhe menaxhimin efikas të zjarreve në zonat me rrezik të lartë. Blerja është realizuar në kuadër të projektit ndërkombëtar Fire Free MED – FRED, i cili synon reduktimin e rrezikut nga zjarret pyjore në vendet e rajonit të Mesdheut, shkruan Ulqini Online.

Droni i ri DJI Matrice 350 RTK, i cili ka kushtuar 35.630,07 euro, përfshin pajisje moderne si kamerë termale, altoparlant, reflektor, dhe parashutë sigurie – duke mundësuar vëzhgim të avancuar ajror, paralajmërim në kohë reale dhe koordinim të saktë të ndërhyrjeve në raste emergjente.

Karakteristikat teknike të dronit përfshijnë:

  • Kohë fluturimi deri në 55 minuta,
  • Kapacitet ngarkese deri në 2.7 kg me sensorë të posaçëm për zbulimin e zjarreve,
  • Rezistencë ndaj kushteve të vështira atmosferike (mbrojtje IP55),
  • Fluturim në lartësi deri në 7000 metra mbi nivelin e detit,
  • Transmetim të drejtpërdrejtë në rezolucion 4K deri në distancë 20 kilometra.

Kjo teknologji e përparuar do të përdoret për monitorimin e zonave të rrezikuara, paralajmërimin e hershëm të institucioneve përkatëse dhe koordinimin efektiv të veprimeve gjatë zjarreve, duke ndihmuar në mbrojtjen e jetës së njerëzve, natyrës dhe pasurive materiale.

Në kuadër të projektit FRED po zhvillohet gjithashtu një platformë softuerike me inteligjencë artificiale, e cila do të integrojë të dhëna për parandalimin, mbikëqyrjen dhe analizën e zjarreve. Kjo platformë do të mundësojë bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet institucioneve nga gjashtë vende mesdhetare, për të përforcuar kapacitetet ndaj ndryshimeve klimatike dhe emergjencave natyrore.

Projekti Fire Free MED – FRED bashkon partnerë nga Kroacia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Italia, Portugalia dhe Mali i Zi, në një përpjekje të përbashkët për të luftuar zjarret përmes teknologjive inovative dhe bashkëpunimit rajonal.

Në prezantimin zyrtar të dronit morën pjesë: Kryetari i komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, me bashkëpunëtorët e tij, Përfaqësueset e Ministrisë së Çështjeve Evropiane dhe Ministrisë së Financave të Malit të Zi, znj. Borka Lješković dhe znj. Kristina Dushaj, si dhe përfaqësues të mediave dhe institucioneve lokale.

Blerja e dronit u realizua nga Departamenti për projekte të BE-së në komunën e Ulqinit, ndërsa Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit është përfituesi kryesor. Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Interreg Euro-MED.

By admini