
Në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor, Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, vizitoi sot disa nga shkollat fillore të qytetit, ku përshëndeti dhe uroi nxënësit për një fillim të mbarë dhe të suksesshëm në rrugëtimin e tyre arsimor, transmeton Ulqini Online.
Gjatë vizitës, Kryetari Nimanbegu theksoi rëndësinë e arsimit cilësor si themel për të ardhmen e brezave të rinj. Ai siguroi se Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të mbështesë shkollat në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zhvillimin e infrastrukturës shkollore.
“Arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të administratës komunale. Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe detyra jonë është t’i mbështesim me të gjitha mundësitë për të mësuar në kushte të denja dhe moderne,” u shpreh kryetari gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
Një nga lajmet më të rëndësishme të bëra publike gjatë vizitës ishte njoftimi se deri në fund të këtij viti pritet të vihet në funksion transporti urban, që do t’u mundësojë nxënësve një rrugëtim më të lehtë dhe më të sigurt drejt shkollave të tyre. Ky projekt synon rritjen e sigurisë së fëmijëve dhe lehtësimin e përditshmërisë për shumë familje në qytet dhe rrethina.
Kryetari Nimanbegu falënderoi mësimdhënësit dhe prindërit për përkushtimin e tyre, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes të gjitha palëve në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit.
“Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të ndërmarrë hapa konkretë në mbështetje të nxënësve dhe përmirësimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet,” përfundoi ai.
