
Pavarësisht sfidave që po kalon, Otrant Olimpik ka treguar karakter dhe rezistencë, duke barazuar pa gola (0:0) ndaj ekipit të Beranës, një prej pretendentëve kryesorë për titullin në Ligën e Dytë të Malit të Zi. Edhe pse në cilësinë e nikoqirit, skuadra ulqinake u detyrua të zhvillojë ndeshjen jashtë fushës së vet, për shkak të problemeve me tapetin e stadiumit në Ulqin, shkruan Ulqini Online.
Takimi u karakterizua nga një lojë e hapur dhe me shumë raste për ekipin nga Ulqinit, por pa konkretizim përfundimtar. Otrant Olimpik u paraqit me një formacion të balancuar, duke kombinuar talentin e lojtarëve të rinj si Lazoja, Gjecbitri, Sefa dhe të tjerë, me përvojën e emrave të njohur si Angjello dhe Valentin Rudoviq, si dhe sulmuesin tashmë të afirmuar Halil Muharremi.
Atmosfera në skuadër duket premtuese, ndërsa loja e treguar ndaj një kundërshtari të fortë si Berana jep sinjale pozitive për të ardhmen. Barazimi pa gola i jep një pikë të vlefshme ekipit nga Ulqini, i cili ka ambicie të qarta për të qëndruar në garë dhe për të ngjitur shkallët në renditje.
Ndërkohë, mbetet shqetësim çështja e fushës. Tifozët dhe klubi shpresojnë që së shpejti të zgjidhet problemi me barin në stadiumin e Ulqinit, në mënyrë që ekipi të rikthehet të luajë në shtëpinë e vet dhe të shfrytëzojë maksimalisht përparësinë e terrenit vendas.