Ekipi futbollistik Otrant-Olimpik nga Ulqini do të zhvillojë ndeshjen e radhës si nikoqir, por jo në fushën e vet. Arsyeja për këtë është gjendja e rënduar e barit në stadiumin e qytetit, i cili është tharë dhe aktualisht nuk plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare, shkruan Ulqini Online.

Ky stadium u inaugurua vetëm disa muaj më parë, pas investimeve që u prezantuan si hap i rëndësishëm për sportin lokal. Megjithatë, mirëmbajtja e pamjaftueshme apo problemet teknike kanë bërë që fusha të dalë jashtë përdorimit në një kohë kur sezoni futbollistik është në zhvillim.

Drejtuesit e klubit janë të detyruar të kërkojnë alternativa për zhvillimin e ndeshjeve si vendas, ndërsa tifozët shprehin pakënaqësinë për situatën që ndikon drejtpërdrejt në ekip.

Për momentin, mbetet e paqartë kur do të rikthehet Otrant-Olimpik në fushën e vet.

Ndeshja derbi kundër ekipit Berane luhet të dielen, me 31 gusht, me fillim në ora 19 në stadiumin e Petrovcit. Hyrja për tifozet është falas.

By admini