Nga Ismet Kallaba

Prishja e monumentit të Isuf Çelajt në fshatin Vuthaj të Gucisë përbën një akt qyqar të Ministrisë së Kulturës dhe Medias, konkretisht të ministres Tamara Vujoviq, e cila pa fakte relevante dhe duke mos qenë historiane, merr në dorë interpretimin e historisë. Ky veprim është një përpjekje për të kënaqur palën proserbe në Mal të Zi, duke barazuar mbrojtësit dhe viktimat (nënkupto shqiptarët) me kriminelët çetnikë për të cilët ekzistojnë dëshmi dhe dokumente arkivore për kryerjen e krimeve. Në mënyrë të tillë, mbështetur në deklarata tendencioze dhe subjektive, të pabazuara në dokumente arkivore dhe të dhëna shkencore, mund të njollosen të gjitha figurat kombëtare dhe historike shqiptare.
Në të njëjtën kohë, prishja e bustit të Isuf Kamer Çelajt është një humbje për shqiptarët në Malin e Zi, sepse, përpos tjerash, i hap rrugë prishjes edhe të monumenteve të tjera, të cilat nuk kanë lejen e organeve kompetente, përkatësisht Ministrisë së Kulturës dhe Medias. Në radhë të parë, është një shuplakë për politikën joparimore të partive politike shqiptare dhe politikanëve shqiptarë në Mal të Zi. Sepse ky rast nxori në shesh dhe demaskoi dyfytyrësinë e partive politike shqiptare dhe të disa politikanëve shqiptarë. Ata të cilët në fushata zgjedhore dhe në mjaft raste të tjera, e përdorin patriotizmin si kauzën kryesore dhe armën e tyre më të fortë politike, duke u përbetuar se do të mbrojnë çështjen shqiptare, nuk denjuan as të reagojnë, por heshtën! Dhe heshtja e tyre flet shumë! Sidomos heshtja e ministrave shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi, lë shteg për hije dyshimi dhe ngre shumë pikëpyetje. Por edhe ata që patën “guxim” të reagojnë ndaj Presidentit, heshtën ndaj ministres së Kulturës!
Me përjashtim të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, asnjë parti tjetër politike shqiptare nuk ka reaguar para prishjes së monumentit të Isuf Çelajt. Bile, fitohet përshtypja sikur disa forca politike mezi kanë pritur prishjen e bustit të tij për të akuzuar kundërshtarët politikë. Si një figurë përbashkuese që ishte, Isuf Çelaj nuk guxon të kthehet në luftë politike ndërshqiptare. Në vend që e gjithë lufta të kanalizohet dhe zhvillohet në mbrojtje të figurës së tij dhe kundër palës tjetër, e cila jo për të parën herë përpiqet të baltosë figurat patriotike shqiptare, shqiptarët kanë filluar të akuzojnë njëri-tjetrin dhe të kërkojnë fajtorin në mesin e tyre për heqjen e bustit të Isuf Çelajt. Kjo mendësi dhe politikë u bën dëm shqiptarëve në Malin e Zi dhe ndikon në rritjen e përçarjeve politiko-shoqërore, edhe ashtu të theksuara.
Në anën tjetër, mungesa e rezistencës së banorëve vendas kundër prishjes së monumentit të Isuf Çelajt është shenjë e dobësisë, kurse zbatuesit e urdhrit të Ministrisë së Kulturës nuk guxojnë të jenë vetëm shërbëtorë të verbër të urdhrit të një ministrie, e cila vepron në mënyrë selektive dhe joparimore. Sepse të pranosh të heqësh vetë bustin është në njëfarë forme pranim i fajit dhe i përgjegjësisë. Ndërkaq, pamjet dhe mënyra e heqjes së bustit të Isuf Çelajt simbolizojnë kriminelët që kthehen në vendin e krimit për ta kryer punën deri në fund! Sepse ditën e parë kishin hequr vetëm bustin, por kishin “harruar” ta heqin tekstin e vendosur në monument, prandaj ditën e dytë u kthyen sërish në Vuthaj për t’i hequr edhe shkronjat.
Për fund, të dhënat historike dëshmojnë se Isuf Kamer Çelaj ishte një dalzotës i vendit dhe i popullit të vet. Ai është është pjesë e historisë së popullit shqiptar dhe përpjekjes së tij për mbrojtjen e trevave shqiptare që sot i përkasin Malit të Zi. Figurat patriotike kombëtare si ai janë pjesë e memories kolektive të shqiptarëve, prandaj për shqiptarët në Malin e Zi nuk ka gjë më të shenjtë sesa mbrojtja e tyre. Duke mbrojtur Isuf Çelajn dhe figurat tjera kombëtare si ai, shqiptarët në Malin e Zi mbrojnë të drejtën historike dhe të drejtën e ekzistencës dhe jetës në trojet e veta. Ndërkaq prishja e monumentit të Isuf Çelajt paraqet një përpjekje për fshirjen e historisë kombëtare shqiptare dhe për disiplinimin dhe frikësimin e tyre. Kjo nuk përbën asgjë të re, sepse është vazhdimësi e politikës shtetërore ndaj shqiptarëve në Malin e Zi, e cila fillon që me tekstet shkollore duke iu mohuar nxënësve shqiptarë mësimin e historisë kombëtare, përfshirë figurat patriotike kombëtare, dhe duke iu imponuar mësimin e historisë zyrtare malaziase. /Koha Javore/

By admini