
Diplomat e rreme dhe të blera janë një problem që shqetëson thellësisht opinionin publik në Mal të Zi. Gati se nuk kalon ditë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MPNI) të mos njoftojë se është zbuluar një dokument i falsifikuar. Gjatë mandatit të ministres Anxhela Jakshiq-Stojanoviq janë zbuluar 70 raste të tilla, të cilat janë dorëzuar në prokurori.
MPNI, sipas statistikave nga vitet e kaluara, ka filluar të merret më vendosmërisht me këtë problem. Sipas të dhënave që janë dërguar gazetës Pobjeda nga MPNI, gjatë vitit 2023 janë paraqitur rreth tridhjetë kallëzime penale. Në vitet e mëparshme, 2022 dhe 2021, nuk ka pasur kallëzime, në vitin 2020 ka pasur pesë, ndërsa në vitin 2019 janë paraqitur dy kallëzime, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, transmeton Ulqini Online.
Për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të diplomave që janë të dyshimta, por edhe pas skandalit në Bosnje dhe Hercegovinë, kur janë ngritur 21 aktakuza ndaj disa studentëve dhe dekanëve, Qeveria e Malit të Zi në fund të vitit të kaluar mori vendim për të pezulluar përkohësisht njohjen e diplomave nga institucionet e arsimit të lartë në BH. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit nuk do të njohë asnjë diplomë të Shkollës së Mesme Private “Tutin”, e fituar nga viti 2019, kur kësaj institucioni iu ndalua puna për shkak të paligjshmërisë.
Problem më i madh janë diplomat e blera, të cilat janë më të vështira për t’u zbuluar. Vetëm përmes bashkëpunimit midis ministrive përkatëse, pra Ministrisë së Arsimit, MPB-së, inspektorateve kompetente nga Mali i Zi dhe nga vendi i origjinës së dokumentit arsimor, është e mundur të kryhen verifikimet. Qeveria ka formuar edhe një grup pune ndërministror, i cili ka dërguar kërkesë të gjitha ministrive dhe organeve të vetëqeverisjes lokale që të mbledhin dhe dorëzojnë të dhëna për kualifikimet e të punësuarve.